1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: qeveria nuk është në rrezik

26 Mars 2012

Megjithë debaklin e liberalëve në Zarë, kancelarja Merkel nuk e sheh të rrezikuar koalicionin qeveritar mes partive të Unionit kristiandemokrat dhe FDP-së. Rezultate në këtë land më shumë i shërbejnë për zgjedhjet tjera.

https://p.dw.com/p/14SS7
Angela Merkel dhe Annegret Kramp-Karrenbauer
Angela Merkel dhe Annegret Kramp-KarrenbauerFotografi: dapd

Deri në zgjedhjet e landit Shlesvik-Holshtajn kanë mbetur edhe gjashtë javë ndërsa në landin me numrin më të madh të banorëve, në Renaninë - Veriore Vestfali, do të votohet pas shtatë javësh. Prandaj votimi dhe rezultatet e zgjedhjeve në landin e Zarës ishin për partitë në Berlin një rast i mirë që të bëhen analiza dhe të fillohet menjëherë me përmirësimin e gabimeve. Më së shumti gjëra për të korrigjuar kanë liberalët, të cilët kurrë më parë nuk kanë qenë në ndonjë gjendje më të rëndë. Për shkak të grindjeve brenda partisë dhe me partitë tjera, liberalët nuk fituan numrin e mjaftueshëm të votave për tu futur në parlamentin e këtij landi. Liberalët fituan vetëm 1,2 % të votave që është një rezultat jashtëzakonisht i dobët.

Philipp Roesler
Philipp RöslerFotografi: dapd

Shefi i liberalëve Rösler kërkon relaksim

Shefi i liberalëve Philipp Rösler vetëm një ditë pas debaklit në landin e Zarës u bëri thirrje anëtarëve dhe krerëve të partisë së tij që në këtë situatë të mos humbin nervat. "Me një relaksim dhe me qetësi mund të transmetohen mesazhet për temat ekonomike, për energji dhe konsolidimin e buxhetit. Mendoj se kjo është një bazë e mirë në veçanti kur bëhet fjalë për zgjedhjet e ardhshme në landin Shlesvik-Holshtajn dhe Renaninë-Veriore Vestfali, ku çështja e konsolidimit të buxhetit të landit është një prej më të rëndësishmeve dhe do të luajë një rol të veçantë në fushatën elektorale", theksoi Rösler.

Angela Merkel dhe Annegret Kramp-Karrenbauer
Angela Merkel uron kryeministren Kramp-KarrenbauerFotografi: dapd

Kancelarja gjermane dhe liderja e kristiandemokratëve (CDU) Angela Merkel i doli në ndihmë partnerit në koalicion. Landi i Zarës është diçka tjetër dhe gjendja në këtë land nuk mund të krahasohet me atë të liberalëve në nivelin federal. Mësimet nga këto zgjedhje janë të rëndësishme për të gjitha partitë, sepse përgjegjësia duhet të justifikohet kudo që një parti është në pushtet, deklaoi Merkel. Kancelarja bëri të qartë se këto rezultate nuk do të rëndojnë në asnjë mënyrë raportet me liberalët në nivelin federal.

"Ne në koalicionin qeveritar në Berlin kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Natyrisht që ka nevojë për debate rreth projekteve dhe propozimeve të ndryshme ligjore. Por kjo është e natyrshme dhe në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen krahasime mes gjendjes në landin e Zarës dhe në nivelin federal. Ne kemi shumë punë para nesh dhe koalicioni kristiademokrat dhe liberal do t'i kryejë me sukses", theksoi Merkel.

Opozita pohon se liberalët janë para shkatërrimit

Cem Özdemir dhe Claudia Roth
Cem Özdemir dhe Claudia RothFotografi: dapd

Opozita gjermane është e mendimit se partia liberale gjendet në krizë të thellë dhe nuk përjashton mundësinë e zhdukjes së saj nga skena politike. Kështu të paktën shprehet lideri i ekologjistëve Cem Özdemir. "Virusi i ka kapluar edhe liberalët në Shlesvig-Holshtejn dhe në Renaninë-Veriore Vestfali", tha Özdemir. Vet ekologjistët me shumë vështirësi e kanë kaluar të dielën cenzusin prej pesë për qind. Në këtë mënyrë ata ende janë prezent në të gjitha 16 landet e Gjermanisë. Özdemir pohon se kjo i bën optimistë edhe në prag të zgjedhjeve në dy landet tjera në maj.

Socialdemokratët kanë shënuar në këto zgjedhje një rritje prej gjashtë për qind, por as kësaj radhe nuk dolën partia më e fuqishme. Megjithatë rritja e votave i bën optimistë për zgjedhjet e majit, analizon lideri i socialdemokratëve Sigmar Gabriel me shpresë se në Renaninë-Veriore Vestfali do të ketë një koalicion të fuqishëm mes socialdemorkatëve dhe ekologjistëve. Sa i përket zgjedhjeve në landin e Zarës, atje me siguri që do të ketë një koalicion të madh mes kristiandemmratëve dhe socialdemokratëve.

Piratët sërish befasuan

Rezultatet e befasishme të piratëve kanë vazhduar edhe në këto zgjedhje. Pas futjes në vjeshtë në parlamentin e landit në Berlin, tani edhe në Zarë kanë fituar mbi shtatë për qind të votave dhe janë futur në parlament. Kryeministrja e këtij landi Annegret Kramp-Karrenbauer deklaroi në një konferencë të përbashkët me kancelaren Merkel se piratët duhet kuptuar seriozisht si një grup, por kjo nuk do të ndikojë fare në qëndrimet e kristiandemokratëve ndaj çështjeve të rëndësishme politike.

E Majta në këtë land ka shënuar humbje të konsiderueshme. Ajo si partia e tretë do të ishte në gjendje që së bashku me socialdemorkatët të krijojë një koalicion qeveritar, por dallimet mes tyre janë shumë të mëdha dhe është e sigurt që socialdemokratët nuk do të pranojnë të bashkëpunojnë me këtë parti, për të cilën thonë se nuk është e gatshme për përgjegjësi.

Autor: Peter Stützle/Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj