Merkel pa dy aleatët e saj më të rëndësishëm?
25 Prill 2012Ato ishin kohë kur presidenti francez Nicolas Sarkozy dilte publikisht me deklarata të dashurisë për kancelaren gjermane Angela Merkel: "Unë nuk mund të përshkruaj me fjalë se sa e dua Angela Merkelin."
Dhe kështu lindi aleanca mes kancelares Merkel dhe presidentit Sarkozy e njohur ndryshe si: "Merkozy". Në media ky u kthye në një term të zakonshëm. Ndërkohë, ata të dy pothuajse janë ndarë sepse Sarkozy do vetëm veten e tij dhe flakë tutje të gjitha bindjet vetëm për të qëndruar në pushtet, duke përfshirë këtu edhe dashurinë për kancelaren gjermane. Por si e sheh Merkel këtë?
"Unë jam krejt e relaksuar, madje pa e paragjykuar se si do të rezultojnë zgjedhjet presidenciale në Francë. Por edhe sa i përket kësaj ndjenjat e mia partiako-politike janë të njohura", tha ajo.
Hollande e do Merkelin më pak se ç'mund ta thotë
Pavarësisht ndjenjave partiake-politike për konservatorin Sarkozy të gjitha shenjat tregojnë për një fitore të socialistit François Hollande. Është mjaft e mundshme që ai të fitojë zgjedhjet presidenciale në Francë. Dhe Hollande e do më pak Merkelin, më pak se ç'mund ta thotë zyrtarisht. Madje edhe më pak ai e do shpikjen e saj: Paktin Fiskal. Me të Franca së bashku me 24 shtete të tjera të BE-së dëshiron t'i përkushtohet kursimeve. Megjithatë François Hollande ka pikëpamje tjera sa i përket kësaj çështjeje: "Unë do të refuzojë ratifikimin e Marrëveshjes."
Ndërkohë, ai e ka zbutur pak këtë deklaratë: ai do të nënshkruajë në qoftë se në Pakt do të theksohet se bëhet fjalë për një marrëveshje që krijon rritje ekonomike. Me këtë mund të jetojë, bile shumë mirë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. "Menaxhimi i shëndoshë i buxhetit është i qëndrueshëm dhe në afat të gjatë gjithnjë i duhur për rritjen ekonomike. Dhe ne nuk kemi nevojë vetëm për menaxhim të shëndoshë fiskal, por ne kemi nevojë për çdo gjë që duhet për rritjen ekonomike."
Kështu nuk ka më kontradikta në këtë pikë në mes të kancelares Merkel dhe presidenti të mundshëm të ardhshëm francez Hollande.
Probleme edhe në Holandë
Atje është e mundur që Merkel të humbë edhe një tjetër aleat. Mark Rutte, kryeministri holandez, deri tani ka bërë politikë të urtë dhe të qetë evropiane. Programet e kursimeve nuk ishin problem për të. Por tani gjërat kanë ndryshuar. Ekstremisti i djathtë dhe kundërshtari i Evropës, Geeert Wilders nuk do ta mbështesë më qeverinë e pakicës në Holandë. Ndërsa pa atë Rutte nuk mund të ketë më shumicën për buxhetin shtetëror. Dhe shumica e holandezëve e konsideron si të tepruar kursin e kursimeve të Merkelit. Megjithatë Merkel nuk ka frikë nga zgjedhjet e reja në Holandë.
"Në Evropë çdo ditë diku mbahen zgjedhje. Kur jam zgjedhur kancelare për shembull unë nuk doja fare negociata për anatërsimin me Turqinë. Por pararadhësi im kishte rënë dakord për negociatat për anëtarsim. Dhe kështu ishte e vetkuptueshme që unë duhej t'i pranoja ato", shprehet Merkel.
Autor: Sabine Henkel / Esat Ahmeti
Redaktoi: Bahri Cani