1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në të ardhmen e afërt BE-ja nuk është në gjendje për zgjerim të mëtejshëm

Aida Cama13 Dhjetor 2012

Kancelarja gjermane Angela Merkel pret nga takimi i nivelit të lartë të BE-së, i cili nis punimet të enjten (13.12.2012), një sinjal të qartë për një politikë të koordinuar ekonomike.

https://p.dw.com/p/171j0
Berlin/ Bundeskanzlerin Angela Merkel (CDU) gibt am Donnerstag (13.12.12) im Bundestag in Berlin eine Regierungserklaerung zum EU-Gipfel ab. Die Europaeische Union will beim anstehenden EU-Gipfel ueber eine Vertiefung der Wirtschafts- und Waehrungsunion als Konsequenz aus der Schuldenkrise beraten. (zu dapd-Text) Foto: Michael Gottschalk/dapd
Merkel Regierungserklärung zum EU GipfelFotografi: dapd

Në një deklaratë qeveritare të mbajtur para parlamentit gjerman, kancelarja Angela Merkel i quajti të sukseshme masat e deritanishme për përballimin e krizës së euros. Që prej vitit 2010, në shtetet e zonës së Euros, janë përgjysmuar deficitet buxhetore. Në Irland, shpjegon Merkel, deficiti i bilancit ekonomik është eliminuar pothuajse krejt, në Spanjë, Portugali dhe madje në Greqi ai është në ulje. Rregullimet bankare janë duke ecur përpara, theksoi kancelarja, duke pasur parasysh vendimin e ministrave të fiinancave të vendeve të BE-së, të marrë mëngjesin e së enjtes (13.12.2012).

Më e rëndësishmja për të kapërcyer krizën, është që të gjitha vendet e BE-së të përmirësojnë aftësinë konkuruese në tregun botëror. Përndryshe, thekson Merkel: "ne nuk do të jemi më në gjendje në të ardhmen që të sigurojmë mirëqënien tonë". Në shumë vende evropiane prodhimi industrial ka rënë brenda një periudhe të gjatë kohore, dhe Bashkimi Evropian nuk është  marrë me këtë çështje. Sepse deri tani nuk kanë ekzistuar instrumentat për koordinimin e politikës ekonomike. Kjo duhet të arrihet tani. "Nëse ne paraqesim sot ose nesër një plan kohor për këtë, atëherë ky do të ishte një rezultat i mirë për Këshillin Evropian," tha kancelarja duke patur parasysh takimin e nivelit të lartë të BE-së.  
 
Opozita mendon se politika e Merkelit ka dështuar


Kryetari i partisë socialdemokrate në opozitë, Sigmar Gabriel, e konfrontoi prezantimin optimist të Merkelit me një bilanc krejt tjetër të politikës gjemane për përballimin e krizës. Numri i të papunëve në Evropë është rritur, kryesisht papunësia tek të rinjtë ka arritur nga 18 në 23 përqind. Po ashtu gjendja e borxheve në vendet e euros, është rritur shumë, kurse Merkel thekson se së fundi janë marrë më pak borxhe të reja. Rreziqet e përgjegjesisë së Gjermanisë, janë rritur në një bilion euro, thotë kryetari i socialdemokratëve Gabriel. Të gjitha këto janë pasoja të politikës së sforcuar të Merkelit, për të kursyer njëkohësisht në të 27 vendet e BE-së.

Nuk janë pjekur kushtet për zgjerim të mëtejshëm të BE-së

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel në deklaratën qeveritare u prononcua edhe lidhur me mundësinë e zgjerimit të BE-së. Në të ardhmen e afërt BE-ja nuk është në gjendje të pranojë vende të tjera anëtare. Në mes të vitit të ardhshëm është parashikuar që Kroacia të pranohet si vendi i 28 anëtar. Por ndërkohë ende nuk janë pjekur kushtet për fillimin e bisedimeve me vende të tjera.