1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200811 Merkel Balkanreise

22 Gusht 2011

Sot (22.08) kancelarja gjermane Angela Merkel nis vizitën në Kroaci. Të martën Merkeli pritet në Beograd. Para vizitës Merkeli ka kërkuar rifillim të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

https://p.dw.com/p/12KZ6
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: dapd

Në mesazhin javor përmes videos, kancelarja gjermane, Angela Merkel është fokusuar tek vizita e saj në Kroaci dhe Serbi. "Të hënën dhe të martën unë vizitoj një rajon, i cili në vitet e shkuara ka qenë pjesë e shumë kryetitujve në Evropë. Do të shkoj në Kroaci dhe më pas në Serbi."

Merkel shprehet se të gjithë ende i kujtojmë me siguri konfliktet e tmerrshme që kaluan vendet e ish-Jugosllavisë. Asokohe u bë e nevojshme një ndërhyrje ushtarake e NATO-s, dhe Gjermania u bë pjesë e këtij misioni paqeje. Por njëkohësisht ishte e qartë, që konflikti nuk mund të zgjidhej vetëm me mjete ushtarake, thotë Merkel.

Vullnet i patundur për të zgjidhur konfliktet vetëm paqësisht

"Për këtë arsye është e nevojshme, që ne vëmendjen tonë politike edhe sot - si dhe në vitet e fundit - ta mbajmë të drejtuar nga ky rajon. Një rëndësi të veçantë pati vendimi i Këshillit të Evropës në Selanik në vitin 2003, i cili i ofron të gjitha shteteve të ish-Jugosllavisë një perspektivë evropiane. Por kjo nuk mund të bëhet pa kushte."

Salla e mbledhjes në Selanik ku u vendos perspektiva evropiane e rajonit (Qershor 2003)
Salla e mbledhjes në Selanik ku u vendos perspektiva evropiane e rajonit (Qershor 2003)Fotografi: European Community

Kancelarja Merkel bën të qarte se çfarë kërkohet nga Evropa. "Ne duam krahas respektimit të parimeve të Bashkimit Evropian, natyrisht edhe vullnetin e çdo vendi në veçanti që të bashkëpunojë në fqinjësi të mirë, të zgjidhë konfliktet në mënyrë paqësore e në respekt ndaj njëri-tjetrit."

Sllovenia, si vendi i parë ia doli dhe është sot një anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, dhe ka futur gjithashtu euron si monedhën e saj, shprehet kancelarja Merkel. Kroacia në vitet e fundit ka zhvilluar bisedimet e anëtarësimit, dhe ato u mbyllën këtë verë. "Për këtë arsye, unë do të flas me kryeministren e atjeshme para së gjithash për vazhdimin e procesit të ratifikimit nga shtetet e tjera anëtare dhe për detyrat, që ka përpara Kroacia deri në anëtarësimin në BE."

Pamje ilustruese - Kroacia e ka rrugën hapur për në BE
Pamje ilustruese - Kroacia e ka rrugën hapur për në BEFotografi: dapd

Për Serbinë fjalë të qarta: Dialog me Kosovën

Kancelarja Merkel në mesazhin përmes videos i kushton vëmendje të posaçme edhe vizitës në Serbi. "Natyrisht unë gëzohem edhe për vizitën në Serbi, sepse Serbia dhe Gjermania kanë me njëra-tjetrën marrëdhënie të mira bilaterale. Serbia ka bërë arritje të konsiderueshme në muajt e vitet e fundit për të përshkuar rrugën drejt Bashkimit Evropian." Këtu bën pjesë para së gjithash, arrestimi i të dyshuarit për krime lufte, Mladiç dhe Haxhiç dhe ekstradimi i tyre në Tribunalin e Hagës, shprehet Merkel.

Kancelarja gjermane i vlerëson këto procese gjyqësore si të një rëndësie të madhe, me qëllim të ballafaqimit të vërtetë me krimet e së shkuarës në rajon. Dhe pa këtë ballafaqim me të shkuarën nuk do të ketë paqe në rajon, shprehet Merkel.

"Nga ana tjetër sot ka sërish tensione mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dhe për këtë arsye do të jetë njëra nga detyrat e mia, që të bëj të qartë se dialogu me Kosovën duhet të rinisë sërish. Nuk ka perspektivë evropiane për këtë rajon, po qe se nuk ndërmerren të gjitha përpjekjet, megjithëse plagët e së shkuarës janë të thella dhe ende vazhdojnë të dhembin."

Pamje nga Jarinja, në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës në 27 Korrik. Merkel do të thotë një mesazh të qartë në Beograd
Pamje nga Jarinja, në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës në 27 Korrik. Merkel do të thotë një mesazh të qartë në BeogradFotografi: dapd

Evropa - vepër paqeje

Tek ky rajon bëhet e qartë: Evropa është një vepër paqeje, thekson Merkel. "Dhe ne e shohim, se sa shpejt mund të rikthehen trazirat e armatosura në një rajon të tillë. Dhe për këtë duhet të ekzistojë gjithmonë vullneti i patundur i anëtarëve të Bashkimit Evropian, - i atyre, që janë ndërkohë anëtarë prej kohësh dhe i atyre, që duan të bëhen pjesë e jona - që konfliktet me njëri-tjetrin zgjidhen në mënyrë paqësore - me dialog dhe në frymën e parimeve të shtetit ligjor.

Autor: DW/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica