Merkel - Hollande sërish kërkojnë zgjidhje "europiane"
5 Mars 2016Gati dy orë kohë kishte planifikuar Angela Merkel, për të përgatitur në pallatin Elysee në Paris bashkë me presidentin francez ndoshta samitin vendimtar të BE-së për zgjidhjen e krizës së refugjatëve të hënën (07.03) dhe bisedimet për Sirinë të mërkurën (09.03). Pas konsultimeve dhe një telefonate me presidentin rus Vladimir Putin kancelarja dhe Francois Hollande dolën në konferencë shtypi. Asnjë shtrëngim duarsh, asnjë përqafim, asnjë fjalë si "mikja Merkel" apo "i dashur Francois" nuk u përmendën në konferencën e shtypit , siç është bërë e zakontë në samitet gjermano-franceze. Në vend të kësaj u shfaqën fytyra serioze.
Merkel dhe Hollande theksuan, se duan të gjejnë një "zgjidhje të përbashkët europiane" me Turqinë për krizën e refugjatëve dhe me 26 shtetet e tjera anëtare të BE-së, por ato nuk dhanë propozime të reja. Presidenti francez Hollande ripërsëriti gatishmërinë e tij për të pranuar 30 000 refugjatë nga Siria. Por në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë më shumë. Kjo është një shifër simbolike krahasuar me numrin e refugjatëve, që kanë pranuar vitin e kaluar Gjermania, Austria dhe Suedia. Franca qysh para samitit të fundit të BE-së hoqi dorë nga ideja e preferuar e kancelares për kontigjente pranimi të refugjatëve për të gjitha vendet e BE-së.
Turqia asi i fundit
Qysh atëherë edhe Angela Merkel nuk e përmend më shprehimisht këtë koncept. Ajo flet tani, që refugjatët dhe migrantët më mirë të qendrojnë në vendin kryesor tranzit në Turqi, ose së paku të strehohen në vendin anëtar të BE-së Greqi. Në Paris ajo e kritikoi aplikimin e mëvetsishëm të kuotës nga Austria, Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. "Ne shohim, që si rrjedhojë nuk do të ketë reduktim të qendrueshëm të refugjatëve. Edhe sikur gjatë këtyre ditëve të vijnë më pak refugjatë në Gjermani, kjo nuk është një zgjidhje e qendrueshme, sepse në anën tjetër tani e ka Greqia problemin më të madh. Ne duhet të arrijmë një ekuilibër europian", kërkoi Merkel sërish. "Problemin" në Greqi, bllokimin e rreth 30.000 refugjatëve UNHCR e ka cilësuar si një katastrofë njerëzore, të shkaktuar nga vetë njerëzit.
Meqënëse shpërndarja legale e refugjatëve nga Turqia direkt në vendet e BE-së duket se mbetet një iluzion, kancelarja dhe presidenti francez kanë përcaktuar një itinerar të veprimit për samitin e së hënës në Bruksel: "Të mbrohen më mirë kufijtë e jashtëm, të pengohet hyrja ilegale nga Turqia, migrantët të kthehen sërish në Turqi dhe Greqia të ndihmohet për strehimin e refugjatëve", tha Merkel në Paris. Kancelarja u shpreh e bindur, se edhe Turqia ka interes, që të zgjidhet në mënyrë të qendrueshme kriza e refugjatëve. Turqia po përjeton situata të vakuumit ligjor për shkak të kontrabandistëve dhe strukturave të mafies në brigjet e veta të Egjeut. "Atje janë mbytur 800 vetë vitin e kaluar dhe mbi 320 këtë vit. Fëmijë e familje. Turqia dhe ne nuk mund ta pranojmë, që njerëzve u duhet të ndërmarrin një rrugë kaq të rrezikshme, por ne duam më mirë t'i ndajmë mes nesh detyrat dhe barrën. Ndaj është e drejtë dhe legjitime, që BE-ja të ndihmojë me tre miliardë Euro dhe të merret me çështjet, që i dalin Turqisë."
Lufta në Siri arsye për arratinë masive
Vala e refugjatëve për në Europë në pjesën më të madhe shkaktohet prej luftës në Siri. Ndaj presidenti francez në fillim të samiti gjermano-francez organizoi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin. Krahas kancelares në konferencë telefonike u lidhën edhe kryeministri britanik David Cameron dhe kryeministri italian Matteo Renzi. Hollande i bëri thirrje Putinit, që të shfrytëzojë influencën e tij ndaj kreut të Sirisë, Bashar al-Assad dhe të kujdeset për respketimin e armëpushimit. Lejohet të sulmohen vetëm pozicionet e grupit terrorist "IS" dhe "Al Nusra". Presidenti rus e premtoi këtë, vuri në dukje Hollande pas telefonatës. "Ai deklaroi, se do të respektohet armëpushimi dhe do të pengohet bombardimi i popullsisë civile. Gjithashtu është vullneti i përbashkët, të ndihmohet popullsisë civile, sepse atje po përballemi me një dramë njerëzore."
Një raund i ri bisedimesh politike me të gjitha palët e luftës në Siri do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Gjenevë me ndërmjetësimin e OKB-së. Putin ka lënë të nënkuptohet, se ai do të hyjë në procesin politik, u shpreh Angela Merkel pas konferencës telefonike. Një zgjidhje për çështjen e Sirisë është edhe në interesin e Turqisë, që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve. E ky është edhe qëllimi i samitit BE-Turqi të hënën në Bruksel.