Merkel bën të qartë, se nuk do të dërgohen ushtarë në Irak.
22 Gusht 2014Megjithatë po shqyrtohet mundësia e dërgimit të trajnuesve ushtarakë, tha Angela Merkel në Grimma. Qeveria gjermane të mërkurën e javës së ardhshme do të vendosë përfundimisht, se e çfarë armësh do të furnizojë milicët kurdë të Peshmergës në Irakun verior, që luftojnë kundër organizatës terroriste "Shtetit Islamik" (IS). Deri tani për Gjermaninë ka qenë tabu, për të dërguar armë në një zonë lufte.
Seancë e posaçme e Bundestagut
Edhe pse për furnizimin me armë nuk është i nevojshëm miratimi i Bundestagut, parlamenti do të diskutojë për këtë kthesë në politikën gjermane. Grupet parlamentare në Berlin janë të një mendimi, për t'i sjellë deputetët për një seancë të posaçme nga pushimet verore.
Kryetari i parlamentit Norbert Lammert (CDU) theksoi në "Spiegel Online": "Edhe pse në rastin e furnizimit të mundshëm me armë nuk bëhet fjalë për një rast, për të cilin nevojitet mandatimi nga Bundestagu sipas ligjit të përfshirjes së parlamentit, rëndësia politike është aq e madhe, saqë debati parlamentar konsiderohet i nevojshëm." Se kur do të mblidhet me të vërtetë parlamenti, nuk është vendosur.
Të Gjelbrit kërkuan nga Merkel, që të japë në Bundestag një deklaratë qeveritare në lidhje me shitjet e planifikuara të armëve për kurdët në Irak. Ata kërkojnë që deklarata të jepet javën e ardhshme para vendimit përfundimtar të qeverisë, thuhet në një letër të kryetarëve të grupit parlamentar Katrin Gëring-Eckardt dhe Anton Hofreiter drejtuar kancelares. Shefi i grupit parlamentar të të Majtëve, Gregor Gysi, kërkoi një rregullore të re ligjore për eksportet e armëve, në bazë të së cilës dërgesat në disa vende duhet të ndalohen krejtësisht. Për vende të tjera duhet të nevojitet miratimi i Bundestagut.
Bundeswehri ka vazhduar në mëngjesin e kësaj të premteje fluturimet e tij me ndihma humanitare në Irakun e veriut. Sipas Forcave Ajrore nga aeroporti Halle/Lajpcig u ngrit një Antonov AN-124 me rreth 60 ton ushqime dhe rreth 8.5 ton pajisje mjekësore për metropolin kurd të Erbilit. Në këtë rajon kanë gjetur strehë dhjetëra mijëra jezidë, të krishterë dhe të tjerë të zhvendosur nga milicët terroristë të "Shtetit Islamik" (IS). Më parë tre avionë Transall me rreth 20 ton ushqime në bord ishin nisur drejt Erbilit. Për javën e ardhshme Bundeswehri ka njoftuar një tjetër fluturim me ndihma.