Megjithë gabimet e tij në librat e historisë Jelsini do të hyjë si një njeri i ndërgjegjshëm në një kohë të pasigurt
24 Prill 2007Ai ishte një burrë i guximshëm. Boris Nikolajeviç Jelcin. Ai u preu në gusht të vitit 1991 rrugën puçistëve të fundit komunistë që donin të kthenin mbrapsht orët e politikës. Mbi taks përpara të ashtuquajturës Shtëpi të Bardhe të Moskës ai drejtoi rezistencën duke vënë në rrezik jetën e vet. Ai u përkujdes për shpërbërjen paqësore të ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe regjimit të tij totalitar, duke vënë kështu bazat për një zhvillim demokratik të ish-republikave sovjetike.
Sidomos Gjermania duhet t'ia dijë shumë për nder Jelcinit. Si presidenti i parë i zgjedhur me rrugë demokratike ai tërhoqi trupat e vendit të tij prej territoreve të Gjermanisë së Bashkuar. Gjermanët, sikurse shumica e evropianëve, e donte këtë burrë shteti që i ngjante një arushi. Perëndimi, e para së gjitha ish-kancelari Helmut Kohl, e mbështetën Jelcin në detyrën e tij të vështirë për ristrukturimin e ish-ekonomisë së dikurshme të komanduar socialiste. Jelcini drejtonte një shtet pa të ardhura. por jo të gjitha problemet e shtetit me sipërfaqen më të madhe në botë mund të zgjidheshin me para. Perëndimi pastroi apo furnizoi me ujë të pastër të gjithë moçalin e korrupsionit në Kremlin. Në fund vetë Jelsini nuk ishte gjithmonë me fat në përgjzgjedhjet që u bënte këshilltarëve dhe ministrave të tij. Ndonjëri prej tyre i shkaktoi ekonomisë ruse dëme në miliarda. Por ajo që po ndodhte në Rusi si në vende të tjera ishte procesi i transformimit nga ekonomia e planifikuar në atë të tregut, një proces ky i pashembullt. Në këtë drejtim do të ishte naive të mendoje se politikanë të tjerë nuk do të kishin bërë gabime.
Imazhi i Rusisë ndën drejtimin e Boris Jelcinit ishte i mirë, shumë më i mirë se sot. Jelcin i dëboi ish-bashkëpunëtorët dhe mentalitetin e KGB-së prej redaksive të televizinit, radiove apo të gazetave. Mediet e Rusisë ishin të lira. Ato informonin për ato që ndodhin në vend. Sot detyra e tyre kryesore është që të duartrokasin dhe të lëvdojnë shefin e Kremlinit.
Sigurisht që pretendimi moral i Jelsinit kohë pas kohe pësonte edhe dëme. Në tetor 1993 ai iu kundërvu në mënyrë të përgjakshme parlamentit, i cili synonte t'i kufizonte pushtetin. Gjatë luftës së parë në Çeçeni ai mori vendime të gabuara. Një pjesë e familjes së tij u pasurua me rrugë dhe mënyrë të padrejtë. Jelsini nuk ishte një administrator i mirë dhe mospërputhjet dhe kontradiktat ligjore mes administratës rajonale dhe qeverisë qendrore bënë që perandoria gjigande të bëhej thuajse e paqeverisshme.
E megjithatë, në librat e historisë Jelsini megjithë gabimet e tij do të hyjë si një njeri i ndërgjegjshëm në një kohë të pasigurt. Si një njeri që i duhej të ndërtonte demokracinë dhe ekonominë e tregut në një vend ku nuk mund të mbështetej tek demokratë të sprovuar apo ekonomistë me përvojë në fushën e ekonomisë së tregut.
E si ua doli mbanë të gjitha këtyre? Boris Jelcini ishte një njeri i guximshëm.