Media kritike në Hungari: "Na shohin si tradhtarë"
5 Maj 2021Attila Babos e kishte ëndërr të bëhej gazetar. 44-vjeçari nga qyteti jugor hungarez, Pécs, është diplomuar për menaxhim kulturor. Por menjëherë pas përfundimit të studimeve, në vitin 2004, ai filloi të punonte për një gazetë lokale: "Dunántúli Napló" (Gazeta Transdanubia), një gazetë me një traditë të gjatë dhe në atë kohë me një lexueshmëri të lartë në Hungarinë e Jugut.
"Nuk ka qenë kurrë e lehtë të ruaje një vështrim kritik ndaj administratës së qytetit dhe atyre në nivel lokal", thotë Babos për DW, "pavarësisht se kush qeveriste". Por Babos nuk bënte kompromise në raportimin e tij dhe në dhjetor 2016 ai pushohet brenda natës. Një biznesmen dhe shok i shkollës i kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, kishte blerë grupin mediatik Dunántúli Napló, së bashku me një duzinë gazetash të tjera, e aty nuk kishte më vend për gazetarë të pavarur.
Pas pak, Babos dhe dy kolegë të tij themeluan portalin e pavarur, "Szabad Pécs". Të tre dëshironin të bënin një gazetari të mirë dhe kritike lokale. Nuk e dinin se do të kthehej në odise, por edhe në një histori suksesi, që do t'i bënte të famshëm në Hungari.
Sponsori tërhiqet nga frika
Babos fillimisht e financonte portalin me paratë e veta. Më vonë erdhën donacionet e lexuesve. Sidoqoftë, të tre gazetarët shpesh punonin falas. Një sipërmarrës që donte të sponsorizonte portalin u tërhoq përsëri sepse, siç thotë Babos, ishte kërcënuar me disavantazhe biznesi nga qarqet pranë qeverisë.
Megjithëkëtë, prodhuesit e "Szabad Pécs" ishin të suksesshëm, sepse herë pas here zbulonin ndonjë skandal të vogël a të madh. Më i njohuri, është "Volvo Gate", i cili prej vitit 2018 po trajtohet nga gjykatat. Është një aferë korrupsioni prej një milion dollarësh për blerjen disa të autobusëve "Volvo" për Pécs, me një çmim shumë më të lartë, nga ana e administratës së qytetit që drejtohej nga partia e Orbán Fidesz-it. Në vitin 2019, Szabad Pécs u nderua me çmim nga shoqata hungareze e gazetarëve MÚOSZ.
Shtyrje nga stafi i sigurisë
Portali që në fillim u prit me urrejtje dhe agjitacion nga përkrahësit e Orbanit e në të njëjtën kohë Babosit dhe kolegëve të tij iu ndërpre çdo qasje në informacionin e administratës së qytetit. Një nga pikat kulmore të pengesës në raportim u arrit në vjeshtën e vitit 2018: në përurimin e Akademisë Kombëtare të Basketbollit në Pécs nga Viktor Orbán, Babos u dëbua me vrazhdësi nga sheshi para ndërtesës. Stafi i sigurisë e shpalli sheshin "pronë private", thotë Babos, raportuesit e pavarur ishin të padëshiruar.
Që nga vjeshta e vitit 2019, Pécs drejtohet nga një administratë e re, me në krye një të pavarur, të cilin e kishin mbështetur partitë opozitare. "Szabad Pécs" është po aq kritike ndaj administratës së re. Por kushtet e punës tani janë "më normale", thotë Attila Babos, dhe falë mbështetjes financiare nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur të miliarderit amerikan, George Soros, portali mund të financojë dy poste editoriale. Sidoqoftë, Babos vjen në një gjykim të zymtë në përgjithësi: "Ne ende kemi organe të lira shtypi në Hungari, por nuk kemi më liri shtypit."
36 vende më poshtë në indeks
Në fakt, në segmentin tradicional të medias - shtyp, radio dhe TV - nuk ka më organe të pavarur. Media publike u fut menjëherë nën kontroll kur Orbani erdhi në pushtet, në vitin 2010, ndërsa pjesa dërrmuese e medias private të pavarur u blenë nga biznesmenë të afërt me qeverinë. Nëse kjo nuk ndodhte, atyre u ndërpriteshin burimet e të ardhurave nga reklamat shtetërore ose sulmoheshin për vite me radhë nga autoriteti mediatik, besnik i Orbanit, NMHH, siç ishte Klubrádió e Budapestit, që i humbi të gjitha frekuencat jashtë Budapestit dhe, në shkurt të këtij viti, edhe frekuencat e transmetimit në kryeqytet.
Nuk çudit që Hungaria ka rënë ndjeshëm këto vite në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij (RSF). Ajo tani ndodhet në rangun e 92-të, 36 vende më poshtë që nga viti 2013. Në BE, vetëm Bullgaria është prapa Hungarisë.
Histori suksesi në median digjitale
Sidoqoftë, ka edhe histori të mahnitshme suksesi përtej medias tradicionale dhe, si në rastin e Szabad Pécs, dixhitale. Më i njohuri quhet "Telex" dhe është ngritur disa muaj më parë. Portali është hapur nga ish-stafi editorial i ish-faqes më të madhe hungareze të lajmeve, Index.hu. Ekipi editorial u largua në mënyrë kolektive, verën e kaluar, pasi një biznesmen i afërt me qeverinë kishte blerë portalin dhe kishte shkarkuar kryeredaktorin Telex financohet plotësisht nga donacionet dhe lexuesit - dhe tani arrin mesatarisht 500,000 lexues në ditë.
Më pak i njohur, por gjithashtu i suksesshëm, është një tjetër portal i pavarur, i financuar ekskluzivisht nga donacione dhe lexues, i cili u krijua në kontekstin e Fidesz-it: Válasz Online (përgjigje në internet), themeluar në fund të vitit 2018. Krijuesit janë konservatorë të rinj që ndjekin doktrinën e Fidesz-it, por mbajnë një vështrim kritik ndaj mënyrës së qeverisjes së Orbanit dhe partisë së tij.
"Ata na shohin si tradhtarë".
Njëri prej tyre është András Bódis, 44 vjeç, i cili në fillim të vitit, në një dokumentar të përgatitur me kujdes të veçantë, shpërbën një narrativ të përhapur nga Viktor Orbani, se në Hungari, mbi 50 përqind e medias qenka kritike ndaj qeverisë. Dikush tani "konsiderohet si armik, si dhe kushdo që nuk përfaqëson plotësisht narrativat qeveritare," i tha Bódis DW. "Meqenëse ne përfaqësojmë vlera konservatore, ne mund të jemi edhe armiku më i madh në sytë e qeverisë, sepse ata na shohin si tradhtarë."
Portali publikon kryesisht analiza dhe intervista të gjata. Është i vetmi medium i rëndësishëm i pavarur me një orientim të qartë konservator në Hungari. Financiarisht portali nuk ka asnjë vështirësi, megjithëse financohet vetëm nga donacionet vullnetare të lexuesve dhe ofertat i ka të hapura për të gjithë median. Përkundrazi, thotë Bódis, gjatë pandemisë, Válasz Online ishte në gjendje ta dyfishonte numrin e mbështetësve.
Nevojë e madhe për informacion të pavarur
Ai e shpjegon këtë me një "transformim në peizazhin e medias hungareze që nuk njihet në këtë masë në Perëndim". Vërtetë që nuk gjen grupe të mëdha mediatike që të jenë të pavarura, sipas Bódis, por gjen gjithnjë e më shumë portale të pavarura në internet që jetojnë kryesisht ose tërësisht nga donacionet e lexuesve të tyre. Kjo është edhe për shkak të situatës absurde se media e afërt me qeverinë ka pasur një monopol mbi informacionin, por nga frika e qeverisë vështirë thuajse nuk guxon të botojë lajme kritike - kjo është arsyeja pse edhe shumë simpatizantë të qeverisë duan t'i marrin informacionet nga të ashtuquajturat media opozitare.
"Në përgjithësi, rezulton se shumë njerëz në Hungari kanë një nevojë të madhe për informacion të pavarur", thotë Bódis. "Kjo është arsyeja pse portale si tonat mund të ekzistojnë dhe kjo është arsyeja pse unë duhet të them se si gazetar në Hungari nuk ndihem keq për momentin."