Nderohen tre ambasadorë të kulturave
27 Gusht 2013Duket si një deklarim politik i fillimit të shekullit 21, ajo që Johann Wolfgang von Goethe e shpreh me dy rreshta: "Orientin dhe Oksidentin /nuk i ndan dot më". Fjalia nga Divani Perëndim-Lindje i Goethes, që u krijua nga entusiazmi për poetin persian Hafis, mund të shërbejë si një motiv në ndarjen e sivjetshme të medaljes Goethe. Ajo nderon personalitetet e huaja, që kanë merita sidomos në këmbimin kulturor dhe përçimin e gjuhës gjermane. E iniciuar në vitin 1954 nga instituti Goethe medalja sot është urdhër zyrtar në Repubikën Federale të Gjermanisë. Kësaj rradhe vlerësohen tre letrarë, që i njohin shumë si Lindjen ashtu edhe Perëndimin.
Hosseini Zad: i entusiazmuar pas Brecht-it
Në rradhë të parë përkthyesi Mahmoud Hosseini Zad, nga pikëpamja e jurisë "përkthyesi më i rëndësishëm i letërsisë bashkëkohore në gjuhën perse". I lindur në vitin 1946 në verilindje të provincës Teheran, ai erdhi në vitet 60-të në Mynih, për të studjuar politikë dhe shkenca shoqërore. Shpejt ai zbulon dashurinë për letërsinë gjermane. Kthehet në Iran dhe bëhet docent i gjermanistikës. Që në moshë të re Hosseini Zad interesohet për modernen. Bertolt Brecht e ngazëllen atë aq shumë, saqë përkthen pjesët e tij teatrale në persisht. "Përkthimi i veprave klasike nuk më bind aq shumë", pranon ai më vonë. "Më të mirat në këtë sferë janë përkthyer prej kohësh dhe veprat, që nuk janë të mira, nuk është e nevojshme të përkthehen."
Sot ai i kushtohet autorëve bashkëkohorë si Ingo Schulze dhe Uwe Timm, që trajtojnë historinë e kohëve të fundit. Apo Judith Hermann, e cila zbulon ndjenjën e jetës në skenën e sotme të bohemëve dhe artistëve. Si përkthyes atë e tërheq, siç thotë vetë, "gjuha e thjeshtë" e autorëve aktualë gjermanë. "Dhe për me tepër, ndër protagonistët e tyre mund të gjesh njerëz nga kultura të ndryshme. Edhe kjo ka për mua rëndësi të madhe". Më shumë se një duzinë libra ka përkthyer ndërkohë Mahmoud Hosseini Zad duke kontribuar, që letërsia bashkëkohore gjermane të bëhet shumë më e njohur në Iran se ajo e gjuhëve të tjera.
Petros Markaris: distancë kritike
Këtë ai e ka të përbashkët me shkrimtarin athinas Petros Markaris, i cili ka shumë simpatizantë në Gjermani. I lindur në 1937 në Stamboll nga prindër greko-armenë, ai ndjek atje gjimnazin austriak, banon më vonë në Athinë, studjon në Vjenë dhe Stutgart, flet turqisht, greqisht dhe gjermanisht. Bertolt Brecht bëhet edhe për Markaris figura qendrore, edhe ai përkthen pjesët e tij teatrale: "Ai më ka mësuar, se si shkrimtar i mirë mund të jesh vëzhgues i mirë", thotë ai duke e patur fjalën për distancën kritike, me të cilën Brechti e vështron botën. "Nëse unë diskutoj në një tavernë me shokët për Greqinë dhe krizën, jam i emocionuar. Kur shkruaj, unë jam i tërësisht i distancuar. Besoj se me veprën letrare duhet t'u shpjegosh njerëzve ato anë të realitetit, që nuk dalin të qarta në të përditshmen, në politikë, në media."
Ndërsa kancelarja gjermane u dikton grekëve një kurs të ashpër kursimi, dhe shahet për këtë naziste, Markaris shkruan kundër ndryshimit të klimës në mes Greqisë dhe Gjermanisë. Në artikuj dhe komente, që botohen në gazetat gjermane dhe sigurisht në romanet e tij shumë tërheqëse kriminale, që hedhin një vështrim të mprehtë mbi korrupsionin, kreditë e këqija dhe fondet hedge. Por ai nuk pushon së besuari te Europa: "Ne të gjithë kemi bërë gabime. Por duhet t'i korigjojmë gabimet dhe të rregullojmë atë, që nuk ka funksionuar. Po ta prishnim të gjithën, do të ishte një tragjedi, edhe në kuptimin antik."
Naveen Kishore: Avokat i letërsisë gjermane
Markaris nderohet si autor, i cili përçon një "imazh autentik të Greqisë" dhe në atdheun e tij është një "avokati i sinqertë i Gjermanisë". Laureatin e tretë të medaljes Goethe mund ta quajmë me bindje avokat të letërsisë gjermane: indianin Naveen Kishore, i cili prej vitit 1982 mban shtëpinë botuese Seagull në Kalkuta. Ajo bën përkthime të letërsisë gjermane në anglisht. "Gjithmonë kam patur ndjenjën, se poezia, filozofia dhe letërsia gjermane dhe franceze krijojnë brenda meje një hapësirë shprese", thotë 60-vjeçari i sotëm. "Jo nga pikëpamje politike, apo ekonomike, por si një lloj vlere letrare."
Si djalë i ri ai kishte mundësi të lexonte letërsi gjermane në anglisht, sepse ajo botohej atëherë nga shtëpitë botuese britanike dhe amerikane. "Dikur me sa dukej, nuk qe më komercialisht fitimprurëse", shpjegon Kishore. Për të mbushur boshllëkun filloi të merret vetë me këtë pune. "Kështu lindi bashkëpunimi me shtëpinë botuese Gallimard në Francë dhe me atë Suhrkamp në Gjermani". Pasuan të tjera bashkëpunime.
Medalja Goethe: urë ndërmjet lindjes dhe perëndimit
Ndërkohë edhe instituti Goethe është një ndër partnerët, me të cilët Kishore publikon serinë "The German List". Në vitet e fundit Seagull ka marrë më shumë se 60 licenca nga shtëpitë botuese gjermane duke kontribuar në përhapjen e letërsisë gjermane përtej Indisë. Seagull ka ndërkohë degë në Londër dhe New York. Por pikërisht prej Kalkutës sipërmarrja e vogël me nëntë punonjës ka shkaktuar një revolucion në tregun e librit. Me disa qindra vepra të autorëve gjermanë, të përkthyer në anglisht, shtëpia botuese e Naveen Kishore është ofruesi më i madh i letërsisë gjermane në botë.
Tre fitues, tre urëlidhës. Medaljet Goethe, që ndahen me 28 gusht në Weimar, vënë një theks kulturor-politik në vitin 2013. Lidhjen ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, që për Goethen para gati 200 vjetësh ishte një ëndërr literare, ato e mbushin sot me jetë, që të tre.