Me eko-turizëm drejt mirëqënies
27 Maj 2016Delta e gjerë e lumit Danub është parajsa e fundit natyrore e Rumanisë. Para se Danubi pas udhëtimit të tij nëpër 10 vende të derdhet në Detin e Zi, ai shfaq edhe një herë këtu gjithë madhështinë e vet. Në 5800 kilometra katrorë rrjedha dhe degëzime romantike të lumit të mbushura me bimësi. Një parajsë për zogjtë dhe peshqit. Por natyra dhe e ekzistenca e banorëve të kësaj zone janë në rrezik.
Mëkatet më të mëdha janë bërë në kohën e Çausheskut me synimin për të përfituar sipërfaqe për të mbjellë përmes bonifikimeve përpjekja për të ngritur industri të rëndë. Hapja e kanaleve të thella, sidomos në anën ukrainase të Deltës bëri që të shkatërrohen vendet ku peshqit lëshojnë vezët.
Sot banorët që kanë mbetur në fshatrat e deltës së Danubit duan ta ruajnë natyrën dhe ta sigurojnë jetesën e tyre përmes eko-turizmit. Për këtë ambientalistë, banorë dhe politikanë punojnë së bashku, që turistët të vijnë këtu për të parë bukurinë e natyrës dhe që në vend që të strehohen në hotele të mëdha anonime të qëndrojnë në shtëpitë e ndërtuara tradicionalisht me tulla balte dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë për ruajtjen e mjeshtërive tradicionale. Njëri nga banorët e zonës, peshkatari Valeriu Trofimov thotë: "Ne kemi nevojë për koncepte të reja për mbrojtjen e natyrës. Por edhe për mbrojtjen e banorëve. Por unë besoj se jemi në rrugë të mbarë.“
Eko-turizmi i butë
Koncepti mbi të cilin bazohen tani shumica e 12 mijë banorëve në deltën e Danubit është eko-turizmi i butë. Ata shpresojnë se në fshatrat e tyre do të vijnë turistëve të magjepsur nga bukuria e peizazhit të lumit në lindjen e largët të Bashkimit Evropian, të cilët do të paguajnë për të ndejtur në shtëpitë me tulla balte e me çati me kallama, përpara se fshatrat të jenë braktisur dhe shkatërruar plotësisht. Kjo për shkak se shumë banorë preferojnë sot të ndërtojnë shtëpi moderne dhe me më tepër mirëqënie jashtë deltës.
Ideja e projektit vjen nga fshati Mila 23. Ky fshat quhet kështu, sepse gjendet 23 milje larg prej hyrjes në deltë. Banorët e Mila 23 janë krenarë që nga fshati i tyre ka shumë kampionë Bote dhe Olimpikë në kanotazh - gjithsej 13. Kampioni absolut është Ivan Patzaichin, aktiv deri në vitet 80, cili së bashku me një partner nga një zyrë në Bukureshtit Ivani ka paraqitur një koncept për zhvillimin e qëndrueshëm në deltën e Danubit. Me këtë koncept ata shkojnë tani në fshatrat e peshkatarëve. Motoja: Tradita është në modë. Mbrojtja e natyrës gjithashtu. Mos i lini shtëpitë tuaja të shemben, dhe edhe në qoftë se i modernizoni ato, atëherë patjetër në stil tradicional. Stop peshkimit të tepruar dhe ndërtimeve pa leje. Nëse funksionon eko-turizmi, të gjithëve do të na përmirësohet jeta.
Frikë nga burokracia
"Ajo që më shqetëson është se ne si qiradhënës dhomash duhet të plotësojmë të njëjtat standarde si një hotel me yje. Ne nuk mund ta bëjmë këtë. Dhe pastaj vijnë të pasurit nga jashtë deltës dhe ngrenë këtu rrjete hotelesh," - ankohet Valeriu Trofimov, i cili jep në shtëpine e tij dhoma me qira. Një dhomë kushton rreth 25 euro me mëngjes dhe darkë.
Ivan Patzaichin i njeh këto frikëra. Por meqenëse edhe ai vetë nuk i do hotelet e mëdha në deltën e Danubit, ai i inkurajon banorët të bëhen aktivë. Disa kilometra më poshtë rrjedhës së lumit ata kanë filluar me ndërtimin e shtëpive tradicionale me tulla balte. "Këto materiale dhe ky lloj ndërtimi sot pothuajse janë harruar. Po ashtu thuajse nuk ka më mjeshtër që dinë të bëjnë tulla balte apo të mbulojnë kulmet me kallamishte. Por ne duam ta ndryshojmë këtë tani." .- thotë Ivan Patzaichin-
Disa fshatarë i kanë zbukuruar tani shtëpitë dhe kanoet e tyre për të pritur turistë dhe vizitorë dhe të gjithë shpresojnë që në qoftë se koncepti i eko-turizmit do të kontribuojë që idili i tyre të vazhdojë të ekzistojë, do të jetë edhe më mirë.
Po ashtu ata duan të dëshmojnë edhe se kush jeton në shtëpi tradicionale nuk ka pse të heqë dorë prej standardeve moderne.