Me dymbëdhjetë taksi përreth botës
Kudo në botë taksia është një vend i shkëmbimit kulturor. Edhe nëse si pasagjer udhëton me një taksi të vjetër, me një barkë prej druri apo me një limuzinë luksoze: në taksi mund të njohësh nga afër njerëzit dhe vendin.
Veturat e verdha kult
Me famë botërore janë taksitë e Nju Jorkut, Yellow Cabs. Edhe pse që nga 1980 ato nuk prodhohen më, veturat robuste dhe me hapësirë komode Checker Cabs janë legjendare. Në vitin 1999 u shit për 134.500 dollarë amerikanë vetura e fundit në qarkullim Checker Cab. Sot ky tip veture shihet të qarkullojë ndonjëherë, por si taksi ato tashmë kanë dalë nga përdorimi, sepse konsumojnë shumë karburant.
Vajzat udhëtojnë me makina rozë
Qytetet e mëdha të Meksikës nuk janë patjetër të sigurtë. Kësisoj komunat, ndër to edhe qyteti Meksiko dhe Puebla, kanë vënë në dispozicion para për projektin "Pink Cabs". Këto taksi në ngjyrë rozë qarkullojnë vetëm për gra, ato pranojnë ai pasagjerë vetëm gra dhe fëmijë dhe kanë tri gjëra të rëndësishme në bord: GPS, një buton për sinjal emergjence dhe një kuti kozmetike.
Kthim në të kaluarën
Në Kubë sheh shumë makina të vjetra nga SHBA-ja. Oldtimer-at e viteve 1950 dhe 1960 edhe pse kanë në takometër mbi 100.000 kilometra, vazhdojnë të qarkullojnë si taksi. Pikërisht për turistët një udhëtim me to nëpër rrugë është një përjetim. Shpesh taksia ndahet midis disa pasagjerëve, që mblidhen gjatë rrugës. Kontakti me vendasit në këtë rast është i garantuar.
Ka vend edhe për një
Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos: norma e numrit të pasagjerëve dhe kapacitetit të ngarkesës nuk merret seriozisht. Përderisa makina ecën, atë mund ta ngarkosh me gjithçka, që fiksohet disi. Imazhe të tilla has jo vetëm në Afrikë, por edhe në shumë vende aziatike, ku taksitë që mbledhin pasagjerë janë për shumë njerëz e vetmja mundësi për të përshkuar distanca të gjata.
Taksitë lundruese në arterien qendrore të Duabit
Kanali 4 km. i gjatë, Dubai-Creek, e ndan qytetin dymilionësh në Gjirin Persik në dy zona. Ura nuk ka, ndaj qarkullojnë shumë taksi lundruese. Në Creek lejohen të qarkullojnë vetëm anije druri. Barkat, që quhen Abras, transportojnë deri në 20 vetë: punëtorë, menaxherë, turistë. Një udhëtim kushton rreth 22 Cent. Thuajse në asnjë vend tjetër të botës nuk mund të udhëtosh kaq lirë me taksi.
Një punë çnjerëzore
Riksha, një shpikje nga Japonia, fillimisht u përhap në Azi, ndërkohë ajo shihet në mbarë botën në të shumtën e rasteve si biçikleta riksha. Por riksha e tërhequr nga dora e njeriut, si këtu në Kalkuta të Indisë, në vendet e tjera është zhdukur nga qarkullimi. Shumë politikanë duan ta ndalojnë këtë lloj pune, sepse e konsiderojnë atë si çnjerëzore dhe jashtë kohës.
Edhe një murgu i duhet të hipë ndonjëherë në taksi
Udhëtimi me taksi në Tailandë mund të kthehet në një aventurë të vërtetë. Kush hipën në Tuk Tuk – triçikël - duhet t’i ketë nervat dhe stomakun të forta. Kuptohet që një limuzinë me katër rrota është më komode. Por si tursit duhet t’i njohësh mirë çmimet dhe distancat, para se të hipësh në të. Murgjit në Tailandë gëzojnë një reputacion të veçantë, ndaj u garantohet qarkullimi gratis me taksi.
Me fat të madh!
Në Kamboxha ka lloje të shumta mjetesh të qarkullimit urban, që nga biçikleta riksha e deri tek taksitë motoçikletë e mikrobusët. Pick-Up është një ndër variantet me çmimin më të leverdisshëm. Kush nuk i kushton shumë vëmendje komoditetit, mund të udhëtojë edhe i hipur në karroceri – por duhet të llogarisë, se ka si bashkëudhëtare bagëtinë.
Çaj i gjelbër në mes të rrugës
Taksia është ndër mjetet më të rëndësishme të qarkullimit në metropolet kineze, ajo është me çmim të leverdisshëm dhe gjendet kudo. Vetëm në Pekin ka rreth 66.000 taksi. Si turist duhet ta kesh parasysh, që taksistët kinezë nuk dinë anglisht, ndaj duhet që destinacionin ta kesh të shkruar në gjuhën kineze. Tipike për taksistët kinezë është se s’bëjnë asnjë hap pa pasur me vete çajin e gjelbër.
Flota e zezë e kërcënuar të zhduket
Imazhi tipik i rrugëve të Londrës: taksitë e zeza dhe autobusët e kuqë me dy kate. Së shpejti kjo do të ndryshojë, sepse veturat e vjetra "Black Cabs" gëlltisin jashtëzakonisht shumë karburant. Kjo bie ndesh me planet e mjedisit që ka kryebahskiaku i Londrës, i cili do t’i ndalojë taksitë në qytet. Tani alternativat janë: energji me efikasitet, i përshtatshëm për mjedisin dhe me ngjyra!
Jo vetëm taksi por edhe pak nga karakteri berlinez
Flota e taksive të Berlinit ka „vetëm“ 7.600 makina. Ato duket – si në fotografi – sikur të gjitha qendrojnë në aeroportin Tegel. Pasagjerët hipin me radhë në taksitë, që i afrohen terminalit papushim dhe kolona e ytre duket se s'ka fund. Por edhe në qytet ato i gjen kudo. Shoferët e Berlinit konsderohen si taksistët më të dashur të Gjermanisë, pavarësisht mënyrës së tyre direkte të komunikimit.
Taksitë luksoze në ujë
Në qytetin italian Venecia nuk ka rrugë me asfalt. Qyteti i famshëm lagunë përshkohet prej kanaleve. Natyrisht atje qarkullojnë edhe barkat-taksi të motorizuara. Por për romantikët një udhëtim me „gondola“, e më së miri me një gondolier që këndon, është mishërimi i mënyrës veneciane të të jetuarit. Ama kujdes prej kurthit ndaj turistëve: Një udhëtim 40 minuta mund t'ju kushtojë deri në 150 Euro.