1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbushen strehimoret me refugjatë në Gjermani

11 Shtator 2022

Pas heqjes së kufizimeve të pandemisë, në Gjermani po vijnë gjithnjë e më shumë azilkërkues. Në disa rajone ka vështirësi me gjetjen e vendeve në strehimoret e azilit, kapacitetet e akomodimit kanë mbërritur në limite.

https://p.dw.com/p/4GfE8
Deutschland | Gemeinschaftsunterkunft für Geflüchtete in Berlin
Strehimore në Berlin SpandauFotografi: Frederic Kern/Geisler-Fotopress/picture alliance

Në disa rajone të Gjermanisë po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjenden vende për strehimin e azilkërkuesve nga vende të tjera dhe refugjatët e luftës nga Ukraina. Strehimoret janë mbushur. Në Dortmund, Bonn apo Berlin, ku kanë ardhur shumë refugjatë nga Ukraina, ka shumë vështirësi me akomodimin e refugjatëve të ardhur këto javët e fundit, bëhet e ditur nga një sondazh i agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. 

Sipas të dhënave të Ministrisë Federale të Brendshme, në shtatë muajt e këtij viti janë regjistruar 113,171 kërkesa për azil, rreth 17% më shumë se një vit më parë në të njëjtën hapësirë kohore. Kësaj i shtohen refugjatët nga Ukraina që duhet po ashtu të akomodohen. Për shkak se shumica e refugjatëve ukrainas janë nëna me fëmijë, shumë komuna duhet të gjejnë edhe vende në shkolla për ta. Më 26 gusht janë regjistruar 985.000 ukrainas që kanë ardhur në Gjermani për shkak të luftës. Një pjesë e tyre është kthyer sërish në vend. Jo të gjithë ukrainasit që vijnë në Gjermani regjistrohen tek autoritetetet, kështu që shifra aktuale duket parë me rezerva. 

Hotele si alternativë strehimi

"Në Bavari strehimoret e azilit janë shumë të mbingarkuara", ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme të landit bavarez." Si edhe më parë shumë refugjatë nga Ukraina janë strehuar në hotele për shkak të mungesës së alternativave." Një zëdhënës i Ministrisë së Migracionit në landin Baden-Vyrtemberg është shprehur se megjithë zgjerimin e kapaciteteve në qendrat pritëse janë arritur limitet. Në Berlin po kërkohen mundësi të tjera strehimi në hotele me çmime të ulta.

Ukraine, Lwiw | ukrainische Flüchtlinge am Bahnhof
Fotografi: Thomas O'Neill/NurPhoto/picture alliance

Në strehimoret aktuale po shikohen po ashtu mundësi për të strehuar edhe refugjatë të tjerë, por ka kritika, sepse kjo do të vështirësonte edhe më shumë situatën e banimit. Në landin e Hesenit janë zënë 70% e kapaciteteve. "Situata është e tensionuar, por nën kontroll", ka thënë zëdhënësi i presidiumit të qeverisë së landit. Bashkitë në landin Renani-Veriore janë ankuar për shpërndarje të gabuar të refugjatëve, kurse landet kërkojnë më shumë mbështetje nga federata. Në shpërndarjen e azilkërkuesve nuk merret sa duhet parasysh numri i refugjatëve nga Ukraina.

Nuk pritet një çtensionim i shpejtë i gjendjes. Policia Federale gjermane ka konstatuar deri në fund të korrikut 36.000 hyrje ilegale në vend. "Tendenca në rritje vihet re edhe në shtetet e tjera europiane", ka thënë një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme. Shumica e migracionit ilegal vjen nga itinerari i Ballkanit.