Mbrojtja nga terrori: mësimet nga rasti Anis Amri
6 Janar 2017Kërkimi vazhdon. Kërkimi i organizatorëve të mundshëm ose i atyre që kishin dijeni për atentatin që do të kryhej nga Anis Amri në tregun e Krishtlindjeve. Prokuroria Federale është ndërkohë e bindur se tuniziani që u vra në një shkëmbim zjarri me policinë në Milano është ai që kreu atentatin pranë Kishës së Kujtimit të Berlinit.
Siç dihet prej kohësh, Amri madje po përgjohej që prej disa muajsh. Prandaj hetuesit në Qendrën e Përbashkët Antiterror (GTAZ) e dinin edhe se Amri po mendonte për një atentat. Por për ta arrestuar, ajo që dihej me sa duket nuk mjaftoi - në mungesë të dëshmive konkrete. Sot dihet se 24 vjeçari ishte një bombë me sahat. Potencialin e tij e vlerësuan në mënyrë të gabuar. Prandaj përfundimi në opinion është se autoritetet dështuan krejtësisht në periudhën para atentatit në tregun e Krishtlindjeve.
Politika dhe mediet janë në garë - rreth dy javë pas atentatit - për shpjegimin e kësaj ngjarjeje të tmerrshme. Por cilat përfundime janë vërtet të reja? Që Amri kishte kontakte me xhihadistët dhe që kishte kërkuar në internet udhëzime për ndërtimin e bombave - për këtë u raportua që disa ditë pas atentatit. Se pse nuk qe e mundur të arrestohej Amri, megjithë këto paralajmërime, edhe kjo dihet prej kohësh.
Mozaiku i Amrit u plotësua gabim
Kjo vlen edhe për kritikën e justifikuar se pse nuk i vendosën atij kufizime pas refuzimit të kërkesës së azilit dhe dështimit të përpjekjes për ta dëbuar. Nga ana juridike do të kishte qenë e mundur që të kufizohej rrezja e lëvizjes së Amrit. Një detyrim për t'u lajmëruar rregullisht në polici, do të kishte qenë më e pakta. Kjo neglizhencë dhe gabime të tjera të mundshme megjithatë nuk kanë të bëjnë me mungesën e ligjeve. Ajo që mungoi qe zbatimi konsekuent i tyre. Kjo është tragjikja.
Prandaj diskutimi që po zhvillohet më me ashpërsi në këtë drejtim që prej fillimit të vitit e anashkalon problemin. Një centralizim i gjerë i arkitekturës gjermane të sigurisë, siç përfytyron ta bëjë ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, nuk do të ishte garanci për një mbrojtje më të mirë nga terrori. Rasti Amri e tregon: autoritetet patën një tablo me shumë pamje për këtë burrë, të cilin ata e kishin përfshirë në 549 të ashtuquajturit rrezikues në Gjermani. Por mozaiku u plotësua gabim në një vend vendimtar.
Komunikatat për shtypin të Prokurorisë Federale janë shqetësuese
Sa i madh është rreziku terrorist edhe para ose pas Amrit, këtë e dëshmojnë komunikatat për shtypin të Prokurorisë Federale. Në ditën pas atentatit në tregun e Krishtlindjeve të Berlinit, në Saksoninë e Poshtme u arrestua marokeni Redouane S. Atë e akuzojnë se ka qenë i përfshirë në disa atentate, midis të tjerash në atë në 13 nëntor 2015 në Paris. Në 14 dhjetor në Berlin u arrestua sërish tuniziani Charfeddine T alias Ashraf Al-T. - për shkak të dyshimit se kishte planifikuar një atentat terrorist me porosi të Shtetit Islamik. Prokuria Federale bëri të ditur se hetimet e mëpasme "e shtuan dyshimin për përfshirje në krim". Ashraf Al-T dhe Redouane S. janë vetëm dy prej shumë të dyshuarve për terrorizëm që u arrestuan në kohën e duhur.