1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e Hoeness e pranon evazionin fiskal prej 27,2 milionë euro

afp dpa rtr(mck)12 Mars 2014

Procesi ndaj presidentit të Klubit të Bajernit Hoeness po vazhdon në Mynih. Shuma e evazionit fiskal është tashmë jo 3,5 milionë, por 27,2 milionë euro. Të enjten pritet vendimi.

https://p.dw.com/p/1BOVl
Fotografi: Reuters

Mbrojtja e presidentit të Klubit futbollistik të Bajernit të Mynihut, Uli Hoeness pranon shumën e evazionit fiskal prej 27,2 milionë euro e llogaritur nga zyra e taksave. Mbrojtja e konsideron shumën të drejtë, deklaroi avokati i tij në hapje të ditës së tretë të procesit për evazion fiskal në Gjykatën e Landit në Mynih. Zyra e financave e kishte paraqitur këtë shumë të martën (11.03) para gjykatës si një taktikë e Hoeness-it. Në fillim të procesit ndaj presidentit 62 vjeçar të Klubit u ngrit akuza për evazion fiskal për të paktën 18, 5 milionë euro, shumë kjo pesë herë më shumë se padia e ngritur fillimisht për 3,5 milionë euro. Sipas prokurorisë, Hoeness ka kryer evazion fiskal në gjithsej shtatë raste. Kjo ka të bëjë me deklarimin jo të saktë të fitimeve në periudhën mes viteve 2003 deri në 2009.

Sipas akuzës Hoeness ka pasur dy xhirollogari në Zvicër, përmes të cilave kryente transaksione kryesisht në valutë "në shuma të konsiderueshme". E hapur mbetet çështja, nëse ai e ka bërë në kohën e duhur dhe në masën e duhur vetëkallëzimin pranë zyrës së financave, në mënyrë që t'i shmanget dënimit. Dënimet e parashikuara për avazion fiskal janë deri në disa vjet heqje lirie. Për raste të rënda dënimi arrin deri në dhjetë vjet burgim. Menaxheri i futbollit i referohet ligjit, që parashikon faljen e atyre, që kryejnë evazion fiskal, në rast se bëhet vetëkallëzim. Vendimi pritet ditën e enjte (13.03).