Matteo Salvini: "Ilegalët" duhet të bëjnë gati çantat
7 Qershor 2018Numri i azilkërkuesve dhe migrantëve që vijnë në Itali krahasuar me një vit më parë ka rënë me 75 përqind. Që prej fillimit të vitit me varka nga deti kanë ardhur vetëm 13.000 njerëz, të nisur kryesisht në Libi. Marrëveshja me Libinë, kontrollet e shtuara kufitare dhe frikësimi i migrantëve prej tyre tregojnë efektin e shpresuar nga BE dhe nga Italia. Pra kthesa është arritur shumë kohë para ndërrimit të qeverisë.
Tregim fuqie me potere
Por qeveria e re populiste vazhdon të bëjë sikur po ndodh një "invazion", siç e quan atë ministri ekstremist i djathtë i Brendshëm, Matteo Salvini. Kjo thjesht është e gabuar. Është e vërtetë se në pesë vitet e fundit në Itali kanë ardhur rreth 700.000 azilkërkues dhe migrantë, por që 500.000 prej tyre të vazhdojnë të jetojnë ilegalisht midis Alpeve dhe Siçilisë, siç pohon qeveria e re, kjo nuk është e qartë. Shumë prej këtyre njerëzve janë pranuar si azilantë, por shumë edhe janë larguar më tej në drejtim të Veriut, në Francë, Gjermani ose diku tjetër në BE. "Problemi" i paraqitur nga populistët bëhet kështu gjithnjë e më i vogël.
Organizata ndihmëse për azilkërkuesit dhe refugjatët në Romë presin që numri i të ardhurve të bjerë edhe më tej dhe që populistët ta kremtojnë këtë si fitoren e tyre, megjithëse ata kanë korrur vetëm fryte të politikës së tanishme të azilit në BE. Ministrat e Brendshëm të BE ka tri vjet që janë fokusuar te izolimi dhe frikësimi, në fillim në kufirin turko-grek, pastaj në rrugën detare për në Itali.
Deklarata mburravece e ministrit të Brendshëm ekstremist të djathtë se "ilegalët" duhet të bëjnë gati çantat për të ikur do të ketë ndoshta pak efekt në praktikë. Vitin e kaluar autoritetet ndërmorën 6.500 dëbime. Salvini do të shpëtojë tani nga 500.000 vetë. Për këtë e para ai duhet t'i gjejë ku janë ata, së dyti të ndërtojë kampe gjigande për dëbime dhe së treti të gjejë vende që t'i pranojnë dhe më tej të gjejë 2,3 miliardë euro që duhen vetëm për transportin dhe shoqërimin e atyre që duhen dëbuar.
Ndryshim i klimës sociale në Itali
Ajo që megjithatë do të ndryshojë dhe ka ndryshuar tashmë, është klima sociale në Itali. Po bëhet gjithnjë e më e pranueshme në opinion nxitja kundër azilkërkuesve dhe migrantëve, megjithëse në jug ata preferojnë t'i shfrytëzojnë si punëtorë të lirë me mëditje. Sulmet dhe dhuna kundër migrantëve po shtohen, mendojnë ndihmësit e refugjatëve.
Populistët e djathtë duan të heqin dorë nga parimi që përgjegjës për refugjatët është vendi ku ata hyjnë për herë të parë, i ashtuquajturi rregull i Dublinit. Ministri i Brendshëm Salvini kërkon një sistem të përhershëm shpërndarjeje për të gjithë ata që vijnë. Por këtë e kundërshtojnë shtete si Hungaria e Polonia. Këto premisa diametralisht të kundërta për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve është vështirë që të harmonizohen. Një pajtim evropian për një sistem të unifikuar azili, me këtë qeveri italiane, bëhet edhe më i largët.