Maqedonia vetmitare: Greqia nuk e ka prioritet zgjidhjen e çështjes së emrit
25 Nëntor 2011Procesi i zgjidhjes së çështjes së emrit midis Shkupit dhe Athinës për një periudhë do të jetë një gjendje status-quoje për shkak të problemeve aktuale ekonomike dhe politike në Greqi, vlerësojnë analistët politik në Maqedoni. Sipas tyre qeveria e re për shpëtimin kombëtar në axhendë primare ka zgjidhjen e krizës financiare dhe aspak nuk jep sinjale se ajo do të merret me çështje politike përfshirë këtu edhe kontestin e emrit me Maqedoninë.
Nuk ka sinjale që Greqia do të merret me çështjen e emrit
Sllobodan Çashulle, ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë thotë se në qeverinë e re greke janë të ulur edhe ministra nga parti nacionaliste, të cilët në qeverinë e shpëtimit kanë hyrë me kushtëzime. “Koalicioni i qeverisë greke bazohet në marrëveshje nga më të ndryshmet, përfshirë edhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme. Në kushte të këtilla do të jetë shumë e vështirë që Greqia të bëjë lëshime apo të heqë dorë nga qëndrimi i saj shumë i fortë për ndryshimin e emrit tonë”, shprehet Çashule.
Prioritet mbi prioritetet për Greqinë, thotë profesori universitar Denko Malevski janë çështjet ekonomike. “Tema ekonomike është shumë e rëndësishme si për Evropën poshtu edhe për SHBA. Dalja e Greqisë nga kriza ndërlidhet me mbijetesën e euros andaj interesat e BE-së dhe SHBA-ve janë të atilla që ato do të jenë shumë të kujdeshme të mos bëjnë presione ndaj Greqisë për çështje të tjera përfshirë edhe atë me emrin me Maqedoninë,” thotë Denko Malevski.
Maqedonia duhet të bëhet vetë aktive
Derisa kriza do të vazhdojë me këtë intensitet në Greqi është më se e sigurtë se nuk do të mund të pritet ndonjë zgjidhje për çështjen e emrit, thotë diplomati Risto Nikovski. Maqedonia nuk duhet të qëndrojë indiferente në këtë periudhë por përkundrazi duhet të zhvillojë një diplomaci më aktive për zgjidhjen e çështjes së emrit. “Çështja e emrit askund nuk zë vend në axhendën e qeverisë së re greke, ndaj Athinës nuk po ushtrohet asnjë presion andaj mbetet alternativë e vetme që Maqedonia ta shtyjë këtë proces”, vlerëson Nikovski.
Ndërkohë analisti Ylber Sela, thotë se çështja e emrit është konsumuar jashtë mase dhe pa një qëndrim ndërkombëtar është vështirë të përfundojë zgjidhja e saj. “Pa një presion ndërkombëtar nuk mund të zgjidhet ky kontest. Unë mendoj që prioriteti grek tani do të jetë kriza financiare si të dilet nga ky qorrsokak financiar”.
Status-quoja për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë mund të tejkalohet me respektimin e marrëveshjes së përkohshme midis Shkupit dhe Athinës të arritur më vitin 1995 me të cilën parashihet antarësimi i Maqedonisë në të gjitha organizatat ndërkombëtare me referencën ish Republika jugosllave e Maqedonisë, vlerëson Sllobodan Çashule.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Lindita Arapi