1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut në pritje të refugjatëve afganë

19 Gusht 2021

Të premten pritet mbërritja e grupit të parë të shtetasve afganë, për të cilët Maqedonia e Veriut ofroi strehim.

https://p.dw.com/p/3zAvX
Afghanistan I Flughafen in Kabul
Fotografi: Wakil Kohsar/AFP

Për transportimin e shtetasve afganë do të kujdesen SHBA dhe organizatat ndërkombëtare tek të cilat kanë qenë të angazhuar këta persona. Me të mbërritur në Shkup përgjegjësia për akomodimin, rregullimin e statusit apo edhe risocializimin e tyre kalon tek trupi koordinues i formuar nga Qeveria e Maqedonisë.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani thotë se shtetasit afganë në Maqedoninë e Veriut do të qëndrojnë përkohësisht, por çfarë harku kohor përfshin kjo, këtë nuk e di askush. Akomodimi i refugjatëve afganë do të bëhet nëpër disa hotele në vend.

"Vetë fakti që ata do të qëndrojnë në hotele tregon se ata do të qëndrojnë këtu përkohësisht, deri sa të rregullojnë dokumentacionin për destinacionin e tyre final, kryesisht Shtete e Bashkuara të Amerikës. Janë gjashtë ose shtatë hotele me të cilët është arritur marrëveshje, dhe kjo marrëveshje është arritur nga organizatat ndërkombëtare, ku kanë qenë të angazhuar, pra shpenzimet do te mbulohen prej tyre”, ka deklaruar Osmani.

Zaev: Refugjatët afganë do të sistemohen në shoqëri

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se përveç strehimit dhe kujdesit shëndetësor do të bëhet edhe angazhim i tyre shoqëror, për sa kohë që do të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut.

Mazedonien Zentrum von Skopje
Fotografi: DW/P. Stojanovski

"Në vend do të mbërrijnë shtetasit afganë, për të cilët Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë verifikimet e nevojshme. Për 450 refugjatët afganë do të realizohen disa fluturime. Ekziston mundësia që ky numër të rritet në ditët në vazhdim. Politikanët vendas nuk duhet të përdorin krizën afgane për qëllime të caktuara politike dhe të mos nxisin ndjenja ksenofobe tek qytetarët, tani që vendi është në prag të zgjedhjeve lokale”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e vlerson si të gabuar vendimin e qeverisë për pranimin e refugjatëve afganë në numër më të madh se sa vendet e tjera më të pasura se Maqedonia.

"Jam i habitur me politikat e qeverisë, vendet skandinave pranojn numër shumë më të vogël të refugjatëve se sa vëndet e Ballkanit,” u shpreh Mickoski.

Dujoski: Refugjatët afganë nuk kërcojnë sigurinë e vendit

Struktura e refugjatëve afganë që do të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut kryesisht do të jenë nga stafi lokal i organizatave ndërkombëtare që gjenden në Kabul. Këta janë aktivistë për të drejtat e njeriut, gazetarë, studentë, fëmijë dhe familjarë të të punësuarve në ushtrinë amerikane ose në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Qytetarët e RMV nuk duhet ta shohin strehimin e afganëve në vend si kërcënim për sigurinë, thotë Nikolla Dujovski dekani i Fakultetit të Sigurisë. Nuk ka nevojë për panik, sepse këta janë njerëz largohen nga Afganistani për sigurinë e tyre.

"Institucionet, policia nuk do të lejojnë asnjë incident, veçanërisht sepse nuk po flasim për terroristë, njerëz me të kaluar kriminale, përkundrazi, ata janë njerëz që kanë punuar dhe mbështetur botën demokratike perëndimore për të ndërtuar një shoqëri të ndryshme në Afganistan”,vlerson Dujovski.

Profesori i sociologjisë në Universitetin e Shkupit, Gjorgji Tonovski, vlerëson se ardhja e refugjatëve afganë në Maqedoninë e Veriut ka nxitur frikë te një pjesë e popullatës. Sipas tij, reagimi negativ ndaj pranimit të shtetasve afganë ka të bëjë me atë se kjo pjesë e shoqërisë është e prirë të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit.

"Ekziston dhe frika se ardhja e tyre në këto hapësira do të mund të sillte shtrirjen e frymës islamike fundamentaliste. Prej këtu buron reagimi negativ për sa i përket refugjatëve afganë”, tha Tonovski.