Maqedoni: refugjatët e ngujuar në zonën neutrale
10 Mars 2016Ata nuk e dinë se ku do të përfundojë udhëtimi i tyre, pasi rruga për në Ballkan është e bllokuar. Por edhe pas bllokadës së korridorit ballkanik, numri i refugjatëve po vazhdon të rritet. Ata janë të vendosur për qëllimin e tyre, refugjatët preferojnë më mirë të rrezikojnë jetën se sa të kthehen në vendin e tyre, sepse siç thonë, atje i pret një ferr i vërtetë.
- “Unë preferoj të vdes këtu, nuk mund të shkoj në Damask, se jam i kërkuar atje. Ata i marrin të rinjtë në ushtri, me forcë, për të luftuar. Ti je i detyruar ose të vrasësh ose të të vrasin, këto nuk janë opcionet e mia”
- “Kufiri është i bllokuar, ne nuk e dimë se në çfarë kohe do të hapet, jemi të lodhur, shumë të lodhur, dhe ne nuk e dimë se çfarë do të bëjmë.”
- “Nuk kemi opcion tjetër përveç Evropës. Ne me të vërtetë kemi shumë probleme, shumica e njerëzve këtu kanë probleme serioze shëndetsore. Ne duam që ta ngremë zërin, që dikush të na dalë në ndihmë”, thonë refugjatët sirianë.
UNHCR : Duhet gjetur zgjidhje për refugjatët
Koordinatori i UNHCR-së në Idomeni, Babar Baloch konfirmoi se në tri ditët e fundit, përfshirë edhe ditën e enjte (10.03), nuk është lejuar që refugjatët të kalojnë në territorin e Maqedonisë. Ai shtoi se kjo nuk është zgjidhje, pasi mijëra refugjatë tashmë janë të bllokuar në qendrën e pritjes së refugjatëve në Idomeni.
“Duhet të kuptojmë se këta nuk janë turistë, por janë refugjatë dhe këta refugjatë vijnë në Europë duke kërkuar mbrojtje ndërkombëtare nën ligjet ndërkombëtare. Bashkimi Evropian ka për detyrim të veprojë sipas ligjeve ndërkombëtare dhe humanitare si dhe duhet t'iu përmbahet këtyre detyrimeve”, thotë Baloch.
Në kufirin verior refugjatët kanë mbetur në zonë neutrale
Në kampin e Tabanocit midis Maqedonisë dhe Serbisë po mbretëron situatë poashtu e rëndë, pasi mbi 1500 refugjatë janë të ngujuar në tenda të improvizuara jashtë, pas ndalesës së tyre për të vijuar rrugëtimin drejt Serbisë dhe vendeve të tjera. Ata kanë paralajmëruar masa radikale, në rast se shumë shpejt nuk gjendet zgjidhje për ta. Ata paralajmërojnë bllokimin hekurudhës dhe hyrjen me dhunë në Serbi.
Autoritetet e kampit në Tabanocë thonë se nuk kanë kapacitet për t'u përballiur me njerëz të tjerë. “Nuk kemi më mundësi dhe kushte për një numër kaq të madh të refugjatëve, sa kemi këtu, nuk mundemi t'i mbajmë edhe shumë ditë. Sot kemi mbledhje, ku do të marrim udhëzime se si do të veprojmë në të ardhmen” , thotë Arbnor Tefiku nga Qendra për përballje me kriza.
“Kufiri nga ana serbe është i mbyllur në zonën neutrale kanë mbetur refugjatë, të cilët refuzojnë të strehohen në qendrën tranzitore që gjendet vetëm 500 metra më tej. Netët janë të ftohta dhe me shi, ne po mundohemi maksimalisht t'i ndihmojmë regugjatët” , thotë Goran Stojanovski koordinator i qendrës tranzitore në Tabanocë.
Ndihmëssekretarja e shtetit e SHBA-së, Viktorija Nuland ka vizituar kufirin Greqi- Maqedoni, më qëllim që të njihet nga afër me krizën e emigrantëve. Në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë nga dita në ditë po rritet numri i refugjatëve për shkak të numrit të vogël të emigrantëve që po lëshohen përmes kufirit nga ana e Maqedonisë.
Që nga fillimi i vitit nëpër territorin e Maqedonisë kanë kaluar mbi 50 mijë migrantët. Ata me trena specialë transportohen nga kufiri me Greqinë drejt atij me Serbinë prej nga vazhdojnë rrugëtimin drejt destinacionit të fundit, shtetet e Bashkimit Evropian.