Maqedoni: pesë persona akuzohen për terrorizëm
2 Maj 2012Policia maqedonase ka arrestuar në 24 orët e fundit 20 persona për të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e pesë peshkatarëve maqedonas në fshatin Smilkovc. Të arrestuarit janë nxjerrë edhe para gjykatësve hetues.
Ministria e Brendshme kumtoi se ndaj pesë personave është ngritur aktakuzë për terrorizëm. Personat e moshës 24 - 54 vjeç akuzohen për vrasjen e pesëfishtë të peshkatarëve maqedonas. 10 të tjerë akuzohen për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre. Ndërsa pesë persona akuzohen për armëmbajtje pa leje. Sipas saj, disa prej personave të dyshuar ende janë në arrati.
Ministrja e Brendshme maqedonase, Gordana Jankullovska, pohon se personat e arrestuar kanë lidhje me grupet radikale islamike. Disa prej tyre, sipas saj, kanë marrë pjesë edhe në luftërat e zhvilluara në Afganistan dhe Pakistan kundër trupave të NATO-s. Deri tani nuk është bërë publik identiteti i personave të arrestuar të cilët do të kenë marrë pjesë në këto aksione. Sidoqoftë, opinioni maqedonas pret me kurreshtje detajet nga aksionet policore.
Тrаjanov: Grupi është i lidhur me zhvillimet në Kosovë
Аnalistët me të cilët ka biseduar korrespodenti i redaksisë maqedonase të Deutsche Welle-s në Shkup thonë se aksioni ka pasur përmasa më të gjëra rajonale. Ish-ministri i Brendshëm maqedonas, Pavle Trajanov, pohon se aksioni policor ka pasur për qëllim neutralizimin e grupeve të rrezikshme me karakter rajonal.
"Me siguri që këtu janë të përziera dy gjëra: ekstremizimi i ndërlidhur me Kosovën dhe fanatizmi fetar. Disa ekspertë kaherë kanë paralajmëruar se në Maqedoni ka grupe ekstremiste, fundamentaliste dhe grupe të tjera të cilat veprojnë në rajonet e Shkupit, Kumanovës, Lipkovës ... Besoj se shërbimet i kanë pasur këto informacione", pohon Trajanov, i cili së bashku me partinë e tij është pjesë e koalicionit qeveritar në Maqedoni.
Naumov: Maqedonia ka një problem serioz
Ndërsa ish-shefi i Agjencisë Maqedonase për Informim (shërbimi sekret i këtij vendi) Kire Naumov pohon se Maqedonia ka një problem serioz me terrorizmin, në qoftë se dëshmohen si të vërteta pohimet e bëra publike në konferencën për shtyp nga Ministria e Brendshme.
"Nëse të gjitha këto pohime janë të vërteta, e gjitha kjo i ngjanë terrorizmit të organizuar të grupeve radikale islame. Nëse ky konstatim nuk është i përshpejtuar dhe dëshmohet si i vërtetë, atëherë Maqedonia ka një problem shumë të madh dhe serioz", pohon Naumov.
Gjatë operacionit "Monstrum", gjatë së cilit janë angazhuar forca të mëdha policore, janë bastisur edhe 26 objekte. Policia kumtoi se ka gjetur sasi të mëdha armësh dhe literaturë me "sfond islamik fanatik".
Pesë peshkatarët maqedonas janë vrarë me 12 prill.
Autor: Goran Petrevski
Redaktoi: Bahri Cani