1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni e Veriut: Projekti "Social Friday"

29 Tetor 2022

Një sipërmarrës i teknologjisë së ndërtimit në Maqedoninë e Veriut dhe punonjësit e tij të premteve bëjnë punë bamirësie në vend që të punojnë. Projekti “Social Friday” po përhapet në disa vende evropiane.

https://p.dw.com/p/4Ip4N
Nordmazedonien | Social Friday in Skopje
Të rinjtë duke u angazhuar në Social FridayFotografi: Sofi Lazovska/Frozen Time Drops Photography

Është një e premte e vonë vjeshte me diell në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Në një terasë mbi një çati në qendër të Shkupit rreth njëzet të rinj dhe disa të rritur rrinë para telajove të bardha katrore, në duar kanë penela, tavoloza me ngjyra dhe kanaçe me sprej. Gati të gjithë kanë veshur bluza me mbishkrimin: "Social Friday. Let´s reinvent Fridays". Një mësuese shkon nga një punim te tjetri dhe shikon pikturat që po krijohen.

Nordmazedonien | Social Friday in Skopje
Fikret Zendeli, sipërmarrës dhe themelues i nismës "Social Friday"Fotografi: Sofi Lazovska/Frozen Time Drops Photography

Bekimi dhe motra e tij Faria përdorin shabllone për të spërkatur lule dhe gjethe në një kanavacë, më vonë pikturojnë diçka mbi to dhe qeshin. Një vajzë moshatare me ta u jep këshilla se cilat ngjyra shkojnë me njëra-tjetrën. Bekimi dhe Faria, 17 dhe 18 vjeç, vijnë nga një familje shumë e varfër, prindërit e tyre kanë vdekur vite më parë. Detaje nuk duan të tregojnë. Që atëherë ata kanë jetuar në jetimore. Faria është në semestrin e parë të studimeve për mjekësi, vëllai i saj i vogël Bekimi do të donte të bëhej avokat më vonë. Ai thotë: "Është hera e parë që kam pikturuar një pikturë si kjo. Është kënaqësi e madhe."

Nordmazedonien | Social Friday in Skopje
Fotografi: Sofi Lazovska/Frozen Time Drops Photography

"Shtëpia e Kulturës "Koco Racin” në Shkup. Këtu këtë të premte po zhvillohet e ashtuquajtura social friday - një iniciativë e vlefshme e sipërmarrësit shqiptar nga Maqedonia e Veriut Fikret Zendeli. 39 vjeçari është në fakt inxhinier ndërtimi ka një firmë për paraqitjet dixhitale tredimensionale të ndërtimeve. Megjithatë Zendeli është bërë i njohur në vend me projektin e tij Social Friday: një herë në tremujor një të premte, ai dhe punonjësit e tij në vend që të punojnë në firmë bëjnë punë bamirësie - për njerëzit e varfër, për minoritetet e pafavorizuara ose për mbrojtjen e mjedisit.

Të bashkosh njerëzit

Zendeli këtë të premte ka bashkuar të rinj nga një shtëpi e fëmijës në Shkup me nxënëse dhe nxënës, që përgatiten për studime për art. Aty janë edhe disa punonjës të Zendelit. Të gjithë bëjnë piktura. Ato do të dalin në ankand më vonë në një vernisazh. Të ardhurat do t`i kalojnë jetimores.

Zendeli organizon të premte të tilla sociale që nga viti 2017. Ideja për këtë i ka lindur rastësisht gjatë një fluturimi me avion. Në revistën e avionit Zendeli lexoi për një studim, sipas të cilit të premtet janë ditët më joproduktive të një firme, pasi shumica e punonjësve mendojnë për fundjavën që po vjen. "Pyeta veten, nëse në vend të punës mund të bëja diçka kuptimplote, për shembull diçka që t`u shërbente të gjithëve. Kështu më lindi ideja e "Social Friday”, thotë Zendeli për DW. "Iniciativa dëshiron të përdorë kohën më joproduktive të javës për të bashkuar njerëzit, për të bërë diçka për të mirën e të gjithëve dhe në të njëjtën kohë për të promovuar bashkëpunimin”.

I emigruar në Zvicër

Po aq e pazakontë sa edhe projekti Social Friday është edhe jeta e Fikret Zendelit. Ai vjen nga një familje e thjeshtë dhe ka lindur në Gostivar, në veriperëndim të Maqedonisë. Babai i tij punonte si bojaxhi në Zvicër, në vitin 1992 solli atje gruan dhe tre fëmijët, djali i tij Fikreti në atë kohë ishte nëntë vjeç.

Ai u rrit në Langnau am Albis afër Cyrihut dhe gjermanishtja e Zvicrës shpejt u bë gjuha e tij amtare. Familja u mirëprit me çiltërsi dhe u ndihmua që në fillim, thotë Fikret Zendeli. Ai është edhe sot thellësisht mirënjohës Zvicrës për këtë.

Pas shkollës ai studioi për teknikë ndërtimi. Ai mori një ofertë të mirë pune në një kompani të njohur zvicerane. Por e refuzoi dhe u kthye në vendin e tij të lindjes Maqedoni. Prindërit dhe vëllezërit e motrat e tij u shokuan.

Shpirti aventure dhe ambicioz

Zendeli mbërriti në Shkup në dimrin e vitit 2009 me një makinë të vjetër dhe dy kompjutera në sediljen e pasme. "Nuk ishte patjetër nevoja e kërkimit të rrënjëve të mia", thotë ai. "Ishte më shumë një etje për aventura dhe ambicie për të krijuar në vendlindje firmën time, që do të afirmohej në tregun zviceran”."

Zendeli themeloi në vitin 2010 në Shkup firmën Breon për paraqitjen dixhitale tredimensionale të të dhënave të ndërtesave, shkurt BIM, një teknologji pa të cilën asnjë projekt i madh ndërtimi nuk mund të bëjë dot sot. Që atëherë firma e Zendelit është etabluar me sukses në tregun zviceran dhe është përfshirë në shumë projekte të mëdha ndërtimi.

Bashkë me suksesin sipërmarrësi i bën vetes pyetje për jetën. Sidomos në Maqedoninë e Veriut, një vend me pabarazi të madhe sociale. Të fitosh shumë para, të blesh mallra luksi dhe të bësh një jetë të shtrenjtë, ndërkohë që fqinjët e kanë të vështirë. S´e bëja këtë dot, thotë Zendeli. "Shpesh pyes veten, se si mund ta përdor jetën time të kufizuar në këtë planet për ta lënë atë më të mirë sesa e gjeta."

Social Friday in Skopje, Nordmazedonien
Social Friday në Shkup, grupi vlerëson rezultatet e krijimtarisë së tyreFotografi: Keno Verseck/DW

Bashkëpunim afagjatë

Fillimisht Zendeli projektin Social Friday e shihte vetëm si një aktivitet për firmën e tij. Por më pas erdhën gjithnjë e më shumë kërkesa përmes rrjeteve sociale dhe kompanive të tjera, të cilat e frymëzuan atë për ta bërë këtë ide më të njohur në publik.

Ndërkohë projekti e preokupon pothuajse po aq sa edhe puna në firmë. Social Friday ka prej kohësh faqen e saj të internetit. Në Maqedoni marrin pjesë ndër të tjera një bankë e madhe dhe një firmë farmaceutike dhe IT, edhe firma dhe iniciativa në Bullgari, Kosovë, Letoni, Norvegji dhe Austri marrin pjesë rregullisht. Ndonjëherë pas eventeve të social friday mund të vijë edhe një bashkëpunim afatgjatë. Për shembull, pas një të premteje sociale, firma e Zendelit financoi për një vit në një qendër ditore për fëmijët romë një vend punë për një mësuese të papunë anglishteje. Më vonë ajo mori aty një vend të përhershëm.

Gjëra pozitive nga Maqedonia e Veriut

Vitin e kaluar Zendeli ishte i ftuar në një konferencë të forumit TED (Teknologji, Argëtim, Dizajn), një konferencë udhëheqëse në botë për idetë inovative - ishte paraqitja e parë në TED e një sipërmarrësi nga Ballkani Perëndimor. Zendeli e promovon vazhdimisht projektin e tij tek sipërmarrjet e mëdha, ai sapo ishte në Stokholm në qendrën e kompanisë H&M. "Unë mendoj se Social Friday ka një potencial të madh për të ndryshuar kulturën e korporatave në mbarë botën", thotë ai. "Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, ky projekt tregon se edhe nga një vend si Maqedonia e Veriut, për të cilin njerëzit osë nuk dëgjojnë asgjë, ose jo shumë gjëra të mira mund të vijë diçka pozitive."

Social Friday në shtëpinë e kulturës 'Koco Racin' përfundon në këtë pasdite të ngrohtë vjeshte me një drekë të përbashkët. Mbi njëzet piktura kanë pikturuar të rinjtë pa prindër dhe nxënësit së bashku. Disa përqafohen duke u ndarë, pas disa javësh do të takohen përsëri, kur të organizohet ankandi.

Social Friday in Skopje, Nordmazedonien
Fotografi: Keno Verseck/DW

Më vonë, kur Fikret Zendeli dhe dy punonjëset e tij nxjerrin nga shtëpia e kulturës pikturat e paketuara në kartona dhe qeset me ushqimet e mbetura për t'i vendur në makinë, aty kalon një familje rome, një nënë me tre fëmijët. Ata e njohin njëri-tjetrin nga një event i mëparshëm i Social Friday. Punonjëset e Zendelit i japin asaj frutat e mbetura, pijet, djathin dhe bukën. Nëna pyet me mirësjellje, nëse mund t'i jepnin ca para për pelena, ajo nuk ka më për fëmijën e saj më të vogël. Fikret Zendeli e dëgjon. Ai shkon në tregun aty pranë dhe i blen asaj një pako të madhe.

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter