Mali i Zi me qeveri të re
31 Tetor 2023Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi të martën (31.10.) Qeverinë e re të kryeministrit Millojko Spajiq. Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe dy partive shqiptare.
Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 19 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. 19 deputetë opozitarë votuan kundër zgjedhjes së Qeverisë,, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.
Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se "anëtarësimi i plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi "aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij. Ai tha po ashtu se politikat ekonomike do të synojnë të përmirësojnë standartet e jetesës së popullsisë dhe do të përfshijnë reforma që do të mundësojnë më shumë të ardhura fiskale, investime dhe një klimë më të mirë biznesi dhe gjyqësor. Lëvizja Evropa Tani ka thënë që pensioni minimal do të jetë 450,00 euro, ndersa rroga minimale 1.000,00 euro.
Mbështetje nga aleanca proserbe dhe proruse
Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit. Në qeverinë e re për herë të parë shqiptarët do të kenë një zëvendëskryeministër të dalë nga partitë nacionale që përfaqësojnë direkt ata, dhe ai do të jetë Nik Gjeloshaj. Përveç postit të zëvendëskryeministrit ai do të jetë edhe Ministër i Ekonomisë. Marash Dukaj do të vazhdojë detyrën si Ministër i Administratës Publike ndërsa Fatmir Gjekaj, do të jetë Ministër i Pakicave.
Kryeministri Millojko Spajiq ka marrë urime nga personalitete të larta të vendeve të rajonit dhe më gjërë. Ai të maretën takohet edhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila qëndron për vizitë në Mal të Zi. Qeveria e porsazgjedhur ka paralajmëruar mbledhjen e parë, ku do të merret vendimi për shtyrjen e regjistrimit të popullsise me një muaj. Nuk dihet se sa ky vendim do të kënaqë opoziten, e cila kundërshton fuqishëm regjistrimin dhe ka paralajmëruar bojkotin e tij.