1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali i Zi me euro në BE?

28 Janar 2013

Edhe pse nuk është as anëtar i Eurozonës dhe as i BE, Mali i Zi përdor si monedhë euron. A do t'i duhet Malit të Zi, që të heqë euron gjatë bisedimeve për pranim në BE, për ta rifutur më vonë sipas të gjitha rregullave?

https://p.dw.com/p/17T35
Harte e Malit te Zi

Për t'iu shmangur inflacionit, por edhe për t'u shmangur nga regjimi i Slobodana Miloshevicit në vitin 1999 Mali i Zi lë dinarin si monedhën e tij dhe fut markën gjermane, me miratimin e këtij vendi. Në vitin 2002, përpara se institucioni, që kujdeset për ekonominë në Bashkimin Evropian, Ekofin, ndaloi futjen e njëanshme të monedhës euro, Mali i Zi kaloi në përdorimin e euros si monedhë të veten, shpjegon ministri malazez i Financave, deri para pak kohe guvernator i Bankës Qëndrore, Radoje Žugić: „Ne kishim blerë markën gjermane, atëherë e kishim blerë, kishim bërë konvertimin në sistemin e pagesave në euro dhe kjo ka qenë një marrëveshje e heshtur në atë moment“, thotë Žugić.

Se si është e mundur, që disa vende përdorin euron pa qenë anëtarë të BE, nuk duan ta komentojnë në Bankën Qendrore Evropiane. Zëdhënësi Viktor Kšižanovski thotë: „Nuk mund të komentoj për vende të veçanta, por meqenëse euro është valutë globale, me të cilën blihet në nivel ndërkombëtar dhe mund ta blesh kudo në botë, Banka Qendrore Evropiane nuk mund të kontrollojë veprime të tilla dhe as ta ndalojë dhe as ta promovojë përdorimin e euros.“Kšižanovski shpjegon se një gjë e tillë vlen për personat fizikë, ligjorë dhe për shtetet: „Politika jonë është që euro është valutë ndërkombëtare, me të cilën tregtohet lirisht dhe secili mund ta blejë, nëse dëshiron."

E parëndësishme për negociatat?

Megjithatë për Malin e Zi, që negocion për anëtarësim në BE, kjo nuk do të jetë vetëm çështje e vullnetit të lirë. Në mes të janarit u zhvilluan takimet e para të krerëve të BE dhe të këtyre vendeve në lidhje me çështjet e negociatave për politikat ekonomike dhe monetare, si dhe për lëvizjen e lirë të kapitalit. aty negociatorëve malazezë u është shpjeguar legjislacioni në këtë fushë.

„Mund të them se çështja e euros nuk është përmendur në mënyrë eksplicite në lidhje me Malin e Zi dhe të gjitha prezantimet e politikës monetare nga ana e përfaqësuesve të Ekofinit kanë qenë krejtësisht neutrale, ata nuk kanë marrë aspak parasysh faktin se Mali i Zi përdor euron si mjet zyrtar pagese, kështu që lidhur me këtë nuk mund t'ju themi asgjë më të konkrete“, thotë shefja e grupit për çështjet ekonomike dhe monetare, Zorica Kalezić.

Megjithatë në takimet në Bruksel ministri i Financave ka dëgjuar deklarata të ndryshme: „Kemi patur ekzaminimin dhe bisedimin e parë për euron, të zhvilluar në Ekofin“, thotë Žugić dhe premton: „Ne në qeveri do të ndërmarrim disa masa, që janë kusht i mëtejshëm për mbajtjen e euros, siç është miratimi i rregullave fiskale në një periudhë të afërt."

Ekonomikisht jo racionale

Që një vend të mund të fusë euron si monedhë të vetën, parakusht është që të bëhet anëtar i BE dhe të respektojë kriteret e Mastrihtit, që kanë të bëjnë me shkallën e ulët të inflacionit, deficitin buxhetor nën tre përqind, dhe borxhin publik më të vogël se 60% të prodhimit të brendshëm bruto (BDP).
Ministri Žugić thotë, se për shkak të ruajtjes së euros, në Mal të Zi po ndërmarrin masa kursimi, ngrijnë pensionet, planifikojnë shtimin e tatimit mbi të ardhurat. Megjithatë për hyrjen në eurozonë, zëdhënësi i BQE Kšižanovski shton edhe një kriter tjetër: „Vendi duhet të vendosë një kurs stabil të devizës, që do të thotë se valuta e vendit duhet të bëhet e qëndrueshme në raport me euron brenda një kohe të caktuar.“

Në se Malit të Zi do t'i kërkohet që të fusë valutën e vet, për të plotësuar këtë kriter, ai do të jetë vendim politik. Ministri i Financave shpreson se nuk do të jetë kështu: „Për mendimin tim do të ishte krejtësisht joracionale nga ana ekonomike, që të kthehesh në valutën tende e pastaj të shkosh në drejtim të euros.“ Fakti që Mali i Zi tani nuk ka valutë, i bën gjërat më të thjeshta mendon ministri: „Kjo është për ne rrethanë lehtësuese krahas kritereve të tjera, të cilat duhen plotësuar për t'u bërë zyrtarisht anëtar i eurozonës."

Tepër i vogël për ndikim në eurozonë

Eksperti i institutit për Studime Ekonomike në Këln, Jurgen Mates, thotë se futja e mundshme e monedhës së vet do ta ndihmonte shumë vendin, në qoftë se ndodhet në probleme ekonomike. Ai nuk përjashton mundësinë që nga ky vend të kërkohet që të fusë një valutë të re. „Mund ta marr me mend, se Mali i Zi ndodhet ndoshta në disa vështirësi makroekonmike dhe për t'i kapërcyer ato, mund të jetë një zgjidhje valuta e vet, sepse do të mundësohej devalvimi, pra do të ishte e mundur një politikë monetare e vetja."

Në Mal të Zi, që ka rreth 650.000 banorë, thonë se një ekonomi kaq e vogël nuk mund të ndikojë në eurozonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendet e tjera, që përdorin euron, edhe pse nuk janë në BE, si për Vatikanin me 832 banorë, Andorën, San Marinon, Monakon, si dhe për Kosovën me gati dy milionë banorë.

Autor: Ana Bogavac/ Angjelina Verbica
Redaktoi: Auron Dodi