Mali i Zi: Kriza e Coronës trazon Tuzin
26 Shkurt 2021Tuzi, qyteti me shumicë shqiptare, 10 kilometra larg kryeqendrës Podgoricë është vënë në qendër të vëmendjes këto ditë, jo vetëm për opinionin e Malit të Zi. Shkak u bë vendimi i Institutit të Shëndetit Publik, respektivisht Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë të të cilit, mbylleshin këtë komunë objektet e hotelerisë, në kuadër të masave të ashpërsuara që u morën për parandalimin e pandemisë së Coronavirusit. Tuzi ishte qyteti i vetëm nga e ashtuquajtura ”Zonë e Gjelbër” që do të mbyllte lokalet, dhe kjo shkaktoi indinjatë në radhët e pronarëve të hoteleve .
Kryetari i kësaj komune, Nik Gjeloshaj, në përputhje me ligjin për qeverisjen lokale lëshoi vendimin, që objektet hoteliere të vazhdojnë punën nga ora 8:00 deri në ora 18:00. Forca të shumta policore erdhën në Tuz që të vinin në jetë vendimin, respektivisht të mbyllnin objektet hoteliere, por hasën në kundërshtim nga ana e qytetarëve dhe autoriteteve komunale. Kryetari i komunës Nik Gjeloshaj kërkoi takim me kryeministrin Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq me qëllim të gjetjes së gjuhës së përbashkët. Kur qytetarët e Tuzit bllokuan sheshin në drejtim të Podgoricës dhe rrugën ndërkombëtare në drejtim të Shqipërisë situata u duk se do të përkeqësohej.
Përkrahje dhe akuza për strukturat drejtuese të Tuzit
Banorët e Tuzit dhe strukturat drejtuese të komunës morën përkrahje nga partitë partnere të koalicionit Forca e Re demokratike, por edhe nga partitë opozitare malazeze, ndërkohë që disa parti të shumicës parlamentare kërkonin procedimin e Kryetarit të Komunës Nik Gjeloshaj. Fillimisht u tha se në Tuz do të vij Kryeministri Krivokapiq, por vizita e tij u anulua, ndërkaq në një video-mesazh Kryeministri vlerësoi se "ngjarjet në Tuz nuk i shërbejnë askujt dhe se institucionet do të funksionojnë në të gjithë territorin e shtetit”. Më pas ai shtoi, se "nuk dua të akuzoj askënd për këtë aktivitet, por ka tregues që zotëri Nik Gjeloshaj donte të shndërronte këtë problem shëndetësor në një problem politik”, u shpreh Krivokapiq.
Ndërkohë pas qetësimit të situatës, pati zëra se Qeveria e Malit të Zi do ta tërheqë vendimin për objektet hoteliere në Tuz. Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe deputeti Genci Nimanbegu zhvilluan një takim me zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq dhe Ministren e Shëndetësisë, Jelena Boronoviq Bojoviq, ku u ra dakord për respektimin e masave, për sa kohë Instituti për Shëndetin Publik dhe Ministria e Shëndetësisë nuk dalin me masa të reja. Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj pati të enjten në mbrëmje takime edhe me pronarët e objekteve hoteliere. Të premten hotelet mbeten të mbyllura. Prokuroria Themelore në Podgoricë ka njoftuar ndërkohë, se po hetohet lidhur me deklaratën e Nik Gjeloshajt, dhe se po konfirmohet "ekzistimi i bazës së dyshimit se është kryer vepra penale e thirrjes për rezistencë. Po ashtu padi penale është ngritur dhe ndaj ushtruesit të detyrës së Kryeshefit të Policisë komunale, Rexhep Çunmulaj, i cili po ashtu dyshohet se ka kryer veprën penale të thirrjes për rezistence. Situata në orët e hershme të mëngjesit të së premtes u paraqit qetë.