Makinat elektrike nuk janë gati për shitje masive
24 Maj 2013Nga rreth 43 milion automjete që qarkullojnë në rrugët e Gjermanisë, vetëm 7 mijë janë elektrike. Sipas Stefan Bratzel, drejtor i Instutit të Kërkimeve 'Center for Automotive Management', ky numër është shumë shumë i vogël duke menduar që vetëm pak individë janë pronarë të këtyre makinave. "Pjesa më e madhe e këtyre makinave janë pjesë e flotave të kompanive të ndryshme. Shumë pak prej tyre janë në pronësi të qytetarëve."
Ulrich Eichhorn, drejtor i shoqatës së Industrisë së Automobilëve, përpiqet ta shohë më me optimizëm situatën. "Kur dikush në fillim të viteve 80' shihte se sa telefona celularë kishte, nuk mund të mendonte se sot çdokush mund të kishte një celular."
Ende duhen bërë kërkime dhe zhvillime në makinat elektrike që më pas kompanitë të tërheqin edhe klientët individualë, thotë Eichhorn. "Mungon një ofertë e gjerë dhe bindëse prandaj nuk ka shitje të këtyre lloj makinave. Por kjo do të ndryshojë në mënyrë dramatike në vitet e ardhshme. Deri në vitin 2014 do japin ofertat e tyre 16 prodhues gjermanë të makinave elektrike, plus edhe kompani të vendeve të tjera."
Kosto e lartë prodhimi
Makinat elektrike përshkrojnë një largësi të kufizuar dhe bateritë e tyre duhet të karikohen vazhdimisht. Problemi kryesor i prodhuesve mbeten bateritë, sepse janë të rënda dhe të shtrenjta. Për shkak të tyre një makinë elektrike kushton 50% më shumë se sa një makinë me motor me djegie, thotë Stefan Bratzel. "Jo të gjithë mund të paguajnë këtë çmim. Kjo diferencë e cmimit duhet të zvogëlohet në vitet e ardhshme, sepse edhe çmimet e baterive do të jenë më të lira."
Sipas një studimi të kompanisë së këshillimit Roland Berger dhe Shoqatës për Kërkime Inxhinierike në fushën e automjeteve, zhvillimi i teknikës së baterive në të ardhmen do të përqëndrohet në Japoni dhe Korenë e Jugut. Gjermania do të luajë vetëm një rol të vogël. Stefan Bratzel nga Instituti i Automjeteve beson se makinat elektrike për momentin shihen interesante si një makinë e dytë. Në kundërshtim me këtë, Shoqata e Automjeteve kërkon të imponohet me një studim të fundit ku thotë se përdorimi i makinave elektrike sjell përfitime ekonomike.
Synim i vështirë
Në Gjermani deri në vititn 2015 do të jepen rreth 700 milion Euro nga taksat për të promovuar makinat elektrike. Pjesa më e madhe e këtyre parave do të jepen në projekte kërkimi dhe projekte rajonale. Në vende të tjera Europiane si Franca apo vendet Skandinave, janë duke u përpjekur të rrisin shitjet e makinave elektrike me anë të ofertave speciale. Lideri i makinave elekrike është Japonia me 24 mijë të tilla, ndërkohë në Gjermani janë vetëm 7000.
Qëllimi që deri në vitin 2020 në rrugët e Gjermanisë të qarkullojnë 1 milion makina elektrike ndoshta nuk mund të arrihet. Edhe vetë shoqata e automjevete gjermane, duke para zhvillimet aktuale, parashikon që të jenë deri në 600 mijë makina elektrike. Në të njëjtën kohë Ulrich Eichhorn hedh poshtë akuzat se prodhuesit gjermanë të makinave kanë humbur në konkurencë më prodhuesit Japonezë. "Gara për prodhimin e makinave elektrike do të jetë e gjatë. Nuk ka rëndësi se kush udhëheq në kthesën e parë, rëndësi ka kush arrin i pari në vijën e finisht."