1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Majat e Ballkanit" - Impulse për bashkëpinimin rajonal përmes projekteve për turizimin

3 Korrik 2011

"Majat e Ballkanit" financuar nga GIZ (Shoqata Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar)është njëri prej projekteve, i cili mundëson shfrytëzimin e potencialit turistik në trikëndëshin kufitar Kosovë-Mal i Zi-Shqipëri.

https://p.dw.com/p/11oDH
Shtëpi pushimi në Theth në Shqipëri
Shtëpi pushimi në Theth në ShqipëriFotografi: DW

Vendin e njohur si "Maja e Husës" në fshatin Shkrel të Rugovës vetëm gjysmë kilometri e ndan nga kufiri me Malin e Zi. Ndërsa një shtëpizë e drunjtë e ngrehur në 1,750 metra mbi nivelin e detit i përket familjes Husaj, e cila pret e përcjell vizitorë nga vende të ndryshme gjatë gjithë sezonit të verës. "Kryesisht shtëpiza shfrytëzohet për pushime javore apo dhjetëditëshe. Këtë të shtunë unë i kam përcjell mysafirët nga Prishtina, dhjetë mysafirë të cilët e kanë shfrytëzuar një dhjetëditësh. Çmimet nëpër vila private janë të kapshme, p.sh., për dhjetë ditë paguhen 100 euro. Ushqimin vizitorët e përgatisin vet mirëpo, prodhimet bujqsore i marrin tek blegtorët, fqinjtë tanë" , thotë Aver Husaj, pronar i cili megjithëse banon në Pejë, ai i kthehet dhe i rikthehet fshatit të të parëve sa herë gjen mundësinë.

"Shtëpiza është e punuar me dru me hapësira të mjaftueshme. E shfrytëzoj për vizitë të familjes, por edhe për vizitorë që i duan pushimet në gjirin e natyrës dhe duan të shijojnë boronicat, luleshtrydhet, çajërat por edhe prodhimet e blegtorisë, si: djathin, qumështin, ajkën etj. Lartësia mbi nivelin e detit është 1,750 metra dhe sipas ekspertëve është banjë natyrore, në të cilën shërohen disa sëmundje.“

Burimet e Ali Pash Gucisë në Mal të Zi
Burimet e Ali Pash Gucisë në Mal të ZiFotografi: DW


Trashëgimia natyrore dhe kulturore, bazë për zhvillimin e turizmit në Kosovë

Kosova ka dy shtylla bazë për zhvillimin e turizmit: trashegiminë kulturore dhe atë natyrore. Dhe, pikërisht ky diversitet kulturor nxiti realizimin e projektit „Majat e Ballkanit“ në të tri shtetet ndërkufitare: Kosovë - Mal i Zi -Shqipëri, i cili financohet nga Organizata Qeveritare Gjermane GIZ(Shoqata për Bashkëpunim Ndërkombtar), thotë Halil Bajrami, udhëheqës i Divizionit të Politikave Turistike dhe promocionit në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë. "Ky projekt është diskutuar gjatë me donatorin GIZ, të cilin e falenderoj, sikurse qeverinë gjermane dhe popullin gjerman për mjetet që kanë ndarë jo vetëm për këtë projekt. „Majat e Ballkanit“ mbështetet edhe nga tri qeveritë e shteteve përkatëse, kemi një grup udhëheqës të përbërë nga përfaqësues nga tri shtete, i cili bashkarisht me donatorin GIZ të tri shteteve por edhe GIZ-in në Sarajevë, po përkujdesimi për hapat e mëtejshëm për zhvillimin e këtij projekti.”

Gjatë muajit qershor, me shtigjet e alpinizmit të bjeshkëtarëve nga të tria vendet të cilët filluan nga Guri i Kuq në Rugovë të Kosovës, kaluan në Plavë të Malit te Zi dhe vazhduan për në Theth të Shqipërisë, u mbajt ceremonia e hapjes se projektit "Majat e Ballkanit". Ndërsa, projekti do të vazhdojë me sinjalizimin e shtigjeve të ecjes, përgatitjen e portalit të web-it, por edhe aktivititete të tjera në bashkëpunim me donatorin, me pushtetin lokal dhe atë qendror, thotë z.Bajrami.


Shfrytëzim i potencialeve turistike dhe hapje e vendeve të punës

"Qëllimi i projektit është shfrytëzimi i potencialeve turistike, përkatësisht i bukurive natyrore për zhvillimin e turizmit malor dhe për mbështetjen e bjeshkëtarëve jo vetëm të këtyre tri vendeve por edhe të vendeve të tjera, për t´u krijuar atyre kushte që t'i shijojnë bukuritë e këtyre tri vendeve", thotë Bajrami.

Por banorët e zonave ndërkufitare, megjithëse çdo projekt është i mirëseardhur, ata më tepër do të preferonin një projekt unik në mënyrë që zhvillimi i turizmit të ketë një vijë të qartë. "Për zhvillimin e turizmit rural në Rugovë dhe në viset e tjera të Rugovës, secili projekt ka rëndësinë e vet. Mirëpo, projektet e veçuara janë afatshkurtëra dhe jetëgjatësi do të premtonte një projekt i përgjithshëm për zhvillimin e turizmit dhe joshjen e të interesuarve për shfrytëzimin e bukurive të kësaj zone ndërkufitare, thotë z.Husaj.

Regjisorin Fatos Lajci, ambientalist i apasionuar i cili pjesën më të madhe të jetës e kalon nëpër bjeshkët e trikëndëshit kufitar Kosovë - Mal i Zi - Shqiperi, sot e kontaktojmë në telefon teksa i ngjitet Majës së Hajles 2400 metra mbi nivelin e detit. Mirëpo, tek ky adhurues i natyrës i cili njeh mirë çdo pëllëmbë të këtyre trevave dhe shtigjet e ecjes alpine të të cilit i kanë tejkalaur me kohë kufijtë, nuk gjejmë entuziamzin e pritur për projektin "Majat e Ballkanit".

Regjisori dhe ambjentalisti Fatos Lajci gjat alpinizmit
Regjisori dhe ambjentalisti Fatos Lajci gjat alpinizmitFotografi: DW


"Majat e Ballkanit" apo "Parku Ballkanik i Paqes"?

Projekti "Majat e Ballkanit" në thelb është projekti "Parku Ballkanik i Paqes", i cili filloi në vitin 2000 dhe kjo duhet të jetë shumë e qartë edhe për vet financuesin GIZ dhe të involvuarit e tjerë në projekt. Projekti "Majat e Ballkanit", nuk e përfshin rrjetin e shoqërisë civile: organizatat joqeveritare dhe ato ndërkombëtare që e kanë filluar këtë projekt qysh në vitin 2000, dhe as komunitetin e të gjitha pushtetet lokale të komunave të zonës ndërkufitare të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilët në Konferencën Ndërkombëtarenë për Parkun e Paeqes në Ballkan me 2006 në Prishtinë nënshkruan një Letër të Qëllimit të Mirë me emrin "Ballkans peace Park" që të lobojnë dhe kontribuojnë që ky projekt të realizohet prej të tria shteteve. Me një fjalë „Majat e Ballkanit” është një copy paste i projektit tonë në të cilin kemi punuar me vite tëra dhe që tani atij i është ndryshuar vetëm emri.

Alpinizëm në trikëndëshin kufitar Kosovë - Mali i Zi - Shqipëri
Alpinizëm në trikëndëshin kufitar Kosovë - Mali i Zi - ShqipëriFotografi: DW

Lëvizja për "Parkun Ballkanik të Paqes" filloi në vitin 2000 me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe stimulimit të punësimit lokal me fokus krijimin e tri parqeve të ndara nacionale që shtrihen në: Bjeshkët e Nemuna - Kosovë, Theth -Valbonë- Shqipëri dhe Prokletije - Mali i Zi. Përgjatë viteve u organizuan shtigje ecjeje me emrin "Long Walk for Peace"(Rrugëtimi i Gjatë për Paqe) ku zë fill edhe ideja për realizimin e dokumentarit me po të njëjtin titull nga regjisori Fatos Lajci. Mirëpo, qoftë nëpërmjet projektit dhjetëvjecar "Parku Ballkanik i Paqes", qoftë nëpërmjet projektit aktual "Majat e Ballkanit" apo nëpërmjet një projekti tjetër "Alpet e Ballkanit", tashmë trikëndëshi kufitar Kosovë - Mal i Zi - Shqipëri është evdientuar si zona me potencialin më të fuqishëm turistik dhe me anë të zhvillimit të turizmit rural në këtë zonë pritet të gjenerohen mijëra vende pune.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora