Macron-Vuçiq: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi
8 Prill 2024Presidenti i Francës, Emanuel Macron, diskutoi në Paris me presidentin e SerbisëAleksandar Vuçiq, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Macron tha se "çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit” dhe sipas tij, e gjithë kjo është përfshirë në marrëveshjen e arritur vitin e shkuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut. "Franca do të kujdeset që çdo hap i marrëveshjes të përmbushet”, tha Macron.
Macron tha se "është i vetëdijshëm për vështirësitë e arritjes së një kompromisi”, por shpreson që "liderët do të kenë vizionin dhe forcën për të këmbëngulur dhe për të kontribuar për stabilitetin në rajon”.
Macron: Përgjegjësit për Banjskën duhet të dalin para drejtësisë
Presidenti francez gjatë një konference të përbashkët për median me Aleksandar Vuçiq, tha se ”duhet bërë gjithçka, që ajo çfarë ndodhi vjeshtën e kaluar në veri të Kosovës të mos përsëritet më”. Duke iu referuar sulmit në Banjska në veri të Kosovës, ku një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës dhe vranë një pjesëtar të saj, Macron tha "përgjegjësit për sulmin në Banjska duhet të dalin para drejtësisë”.
”Është e nevojshme që nga njëra anë përgjegjësit për sulmin në Banjska vjeshtën e kaluar të dalin para gjykatave për të dhënë përgjigje për veprimet e tyre. Duhet bërë gjithçka që të mos ndodhë një dramë e tillë përsëri”, tha Emannuel Macron.
Vuçiq: Kosova nuk ka bërë asgjë për normalizimin e raporteve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se qëndrimi se Prishtina dhe Beogradi "kanë bërë diçka” për dialogun për normalizimin e raporteve të ndërmjetësuar nga BE-ja, "nuk është i vërtetë, pasi "njëra palë nuk ka bërë asgjë”, tha ai duke iu referuar Kosovës.
Sipas Vuçiqit Serbia ka përmbushur "tri gjëra” sa i përket marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe parakusht ka qenë "formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Kosova nuk e ka përmbushur.
Lista Srpska bojkon përsëri votimet në veri
Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e propozuar nga Franca dhe Gjermania, ka 11 nene, dhe ndër tjera parashikon edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore. Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet të zbatojnë po ashtu të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut që nga viti 2011.
"Po ashtu dua që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, tha presidenti Emannuel Macron, duke ju referuar zgjedhjeve që do të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës Lista Srpska, mori vendim që të bojkotojë votimet e datës 21 prill në veri të Kosovës për shkarkimin e kryetarëve shqiptar.