1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Macron: Franca do të riangazhohet në Shqipëri dhe Ballkan

17 Tetor 2023

Presidenti francez, Emmanuel Macron, që po bën një vizitë zyrtare në Tiranë siguroi që Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të kenë mbështetjen e Francës në procesin e afrimit dhe të hyrjes në BE.

https://p.dw.com/p/4XedT
 Emmanuel Macron dhe Edi Rama
Fotografi: Albania/Press office of the Prime Minister

"Kjo vizitë shënon një formë riangazhimi të Francës në Shqipëri dhe në rajon, sepse ishte një gabim i thellë, që prej vitit 1912 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, që këtu nuk kishte ardhur asnjë President i Republikës Franceze,” tha Presidenti francez Macron në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeminstrin Edi Rama, të zhvilluar të martën, (17.10)

Kryeministri Rama u shpreh në të njëjtën linjë lidhur rëndësinë e vizitës. "Është një vizitë angazhimi për ta thelluar më tej një marrëdhënie mes Francës dhe Shqipërisë që ka njohur një zhvillim të papritur dhe të shumëpritur vitet e fundit, si rezultat i një ri angazhimi të Francës në rajon, në kërkim të një marrëdhënieje shumë konkrete dhe shumë produktive për BE dhe BP. Rama shtoi se „me praninë e tij në Tiranë, Presidenti Macron  konfirmon besimin se rruga europiane e Shqipërisë është e pakthyeshme.”

Bashkëpunimi franko-shqiptar në rritje

Presidenti francez Macron tha se  "me Agjencinë Franceze të Zhvillimit do ta shoqërojmë Shqipërinë në reformat e saj ekonomike, tranzicionin energjetik dhe mjedisor. Franca ka levruar 210 milionë euro që nga viti  2019, për 4 projekte. Do të lëvrojë shumë se 600 milionë deri në vitin 2027 për projekte të reja, sipas prioriteteve të Shqipërisë.”

Frankreich Fernsehansprache von Präsident Macron zu Israel und Gaza
Fotografi: Eliot Blondet/abaca/picture alliance

Bashkëpunimi në luftën kundër kriminalitetit dhe kundër trafiqeve ilegale është një tjetër fokus i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Të martën në Tiranë u nënshkruan disa marrveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, kulturës, artit, forcimit të policisë në fushën balistike. Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e artit, Shqipëria i vuri në dispozicion ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha në të ashtuquajturin "Bllok” për ta shndërruar atë në rezidenca artistësh ne bashkëpunim me fondacionin francez "Art Explora.”

Koha e ribashkimit me Europën

Presidenti francez Macron e vlerësoi situatën aktuale gjeostrategjike në Europë si "kohën e ribashkimit të saj.”

"Ky ribashkim nuk është proces i imponuar nga Brukseli apo nga kryeqytetet e tjera që vjen të japë mësime lidhur me reformat popujve sovrane. Jemi në një moment ku duhet t'i japim Shqipërisë dhe gjithë rajonit një vizibilitet historik".

Emmanuel Macron tha se synonte „një bashkim mes të ngjashmish, ku ne të flasim në mënyrë të respektueshme për çështjet që kemi të përbashkëta si mbrojtja, emigracioni, energjia, gjeopolitika. Kjo do të thotë investime konkrete, angazhim,vend politik të plotë". Ai shprehu shpresën „që në muajt e ardhshëm ne si europianë të dimë të gjejmë rrugën e ribashkimit që na bën të mundur ta bëjmë këtë lëvizje, plotësisht të pakthyeshme dhe të fuqishme”.

Macron: Përgjegjesi nga të dyja palët  për paqen në veri të Kosovës

Presidenti Macron e cilësoi planin e Francës dhe Gjermanisë „udhërrëfyes" për Serbinë dhe Kosovën.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Presidenti Macron tha se „mendoj se është përgjegjësia e zotit Vuçiç që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Ajo që  presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është: riorganizmi i zgjedhjeve në komuna, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, njohjen e Asociacionit të Komunave serbe nga autoritetet kosovare".

Macroni theksoi se pret të jenë përgjegjës edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.

" E them shumë qartë, ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Përsa i përket Francës, kjo është e kushtëzuar me mbajtjen e fjalës dhe sot kjo fjalë nuk është mbajtur. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë rajonin," tha Presienti Macron.

Lidhur me lirinë e lëvizjes, kryeministri Rama tha se „Kosova sot  është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes".

„Do të ishte dramatike që të humbiste një të drejtë më në fund të fituar për të lëvizur lirisht në Bashkimin Europian, dramatike dhe ndërkohë të dyja palët, kanë në tavolinë një plan, që është plani franko-gjerman, që është gjëja më e mirë e mundshme,  që mund t'i ndodhi Kosovës," theksoi ai.

Edi Rama
Fotografi: Albania/Press office of the Prime Minister

Kryeministri Rama e quajti „të mirën më të madhe për Kosovën " jo vetëm uljen në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, por edhe firmosjen dhe zbatimin unilateral të marrëveshjes edhe sikur Serbia të mos dojë kurrë. Më pas Kosova t'ia lërë në dorë BE. Mjafton që në BE të hyjë në një proces ku njohja reciproke me vendet mosnjohëse të Bashkimit Europian të fillojë të funksionojë," theksoi kryeministri Rama.

Rrreziku i rritjes së „terrorizmit islamik" në Europë

Presidenti Macron tha Evropa po sheh një rritje të "terrorizmit islamik” dhe të gjitha shtetet janë të kërcënuara. Ai u ndal në konferencën për shtyp në Tiranë në vrasjen e  dy tifozëve suedezë në Bruksel nga një 45-vjeçar, që u identifikua si anëtar i Shtetit Islamik dhe mori përgjegjësinë në një video të postuar në internet.

"Të gjitha shtetet evropiane janë të cënueshme dhe ka vërtet një ringjallje të terrorizmit islamist. Siguria e Izraelit, lufta kundër të gjitha grupeve terroriste, procesi i paqes dhe zgjidhja politike, janë të gjitha të ndërlidhura," tha ai.

Dekorim i shkrimtarit të shquar të Shqipërisë Ismail Kadare

Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, (16.10) presidenti francez Macron i dorëzoi shkrimtarit të shquar Ismail Kadare dekoratën e lartë "Oficer i Madh i Legjionit të Nderit".

Deri tani përvec shkrimtarit, i vetmi shqiptar që ka marrë të njëjtën dekoratë nga Franca është Iljaz Vrioni, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe diplomat i shtetit shqiptar.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana