Macron dhe Le Pen në ring
24 Prill 2017Fituesi i raundit të parë duhet të fillojë fazën e re, të vështirë, për balotazh. Emmanuel Macron, i pari i raundit të parë, një reformator ekonomik dhe liberal proevropian, duhet të përballet frontalisht me Marine Le Pen, nga krahu i së djathtës ekstreme Front National. Fushata ka vazhduar menjëherë, sepse balotazhi mbahet më 7 maj, ndërsa Front National nuk është kundërshtar fare i lehtë.
Kujdes ...
Macron e kuptoi menjëherë se sa e ashpër do të jetë lufta për postin e presidentit. Darka e tij menjëherë pas zgjedhjeve në restoranin tradicional "La Rotonde" u shndërrua në skandal. Si mund të organizojë një darkë dikush që ende nuk i ka fituar zgjedhjet, pyet shtypi. Ndaj ylli i ri në politikën franceze nuk guxon t'i lejojë vetes as gabimin më të vogël.
Macroni duhet të dalë menjëherë në fushatë, sepse Marine Le Pen të hënën në mëngjes e ka nisur fushatën në disa qytete të vogla në veri. Ekipi i Macron-it merr shembull nga fushata e Obamës dhe i drejtohet grupeve të caktuara të zgjedhësve. Por edhe ai do të ketë një tur të ri nëpër qytete. Macronit i duhen në balotazh më shumë se 60% të votave për të qenë vërtetë presidenti i të gjithë Francës, siç tha ai të dielën pas zgjedhjeve. Bëhet fjalë edhe për besueshmërinë politike.
Por kjo nuk është e thjeshtë. Kandidati konservator Francois Fillon dhe ai socialist Benoit Hamon kanë kërkuar prej votuesve të tyre që të votojnë për Macron-in, me qëllim që të ndalet marshimi i radikalizmit të djathtë. Por ekstremisti i majtë Jean-Luc Mélenchon nuk do të luajë këtë lojë të "frontit republikan".
Në analizat e institutit Cevipof thuhet se më pak se gjysma e votuesve të Fillonit do të votojnë për Macron, ndërsa rreth 30 % për Marinne le Pen. Gati gjysma e majtistëve të Mélenchon do të votonin për Macron, i cili do të kishte mbështetjen e madhe të zgjedhësve të socialistëve. Kur llogariten këto vota, atëherë pritet që Macron të fitojë rreth 60%. Në vitin 2002 Jacques Chirac ka fituar në mënyrë të ngjashme rreth 82 % të votave.
Front National lufton me mjete të ashpra
Ideologu kryesor i Front National, Florian Philippot ka bërë të ditur se ata do të koncentrohen tek çështja e Evropës. Ai tha se rezultati i raundit të parë është "historik", sepse shtatë milionë francezë kanë votuar për Front National. Francezët duhet të kenë mundësinë që në referendum të vendosin nëse Franca duhet të jetë pjesë e BE-së, premton Philippot. FN vazhdon edhe me retorikën super nacionaliste dhe armiqësore ndaj të huajve. Ndërkohë që Marine Le Pen tërë kohën pohon se ajo është "kandidate e popullit".
Franca e përçarë
"Vendi është përçarë në tri pjesë të mëdha", pohon Gérard Collomb, kryetar bashkie në Lyon dhe mbështetës i Macron. Njerëzit sërish duhet të bashkohen dhe të krijojnë shumicat e tyre në krahun e majtë apo të djathtë politik. Por kjo nuk është e lehtë.
Front National ka shtrirë influencën në veri, në lindje dhe në pjesët e bregdetit Mesdhe. Ndërsa Macron në qytetet e mëdha, në Paris dhe në bregdetin e Atlantikut. Në përgjithësi, Front National ka pozicione më të fuqishme në pjesët rurale, ndërsa Macron në qytete. Pas kësaj fshihen edhe përçarjet mes të pasurve dhe të varfërve, që do të thotë se në këtë vend ka nevojë për reforma.