Maas: Bashkimit Evropian nuk mund t'i bëhet shantazh
15 Nëntor 2021Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas foli në favor të kthimit në vendin e tyre të origjinës të emigrantëve dhe refugjatëve që ndodhen në kufirin e Bjellorusisë me BE. Pas takimit me homologët e tij të BE, politikani socialdemokrat tha në Bruksel se ky ishte një sinjal i rëndësishëm për "Bjellorusinë dhe vendet e mundshme imituese" për ta bërë të qartë se ndaj BE nuk mund të bëhet shantazh. Prandaj ai është kundër pranimit të njerëzve në Bashkimin Evropian.
BE hapi sot rrugën për sanksione të zgjeruara kundër Bjellorusisë. BE për herë të parë mund të vendosë sanksione ndaj individëve dhe organizatave përgjegjëse që mbështesin pushtetin e atjeshëm në nxitjen e refugjatëve. I Ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell tha se sanksionet e reja duhet të godasin linjat ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe palët e tjera përgjegjëse të përfshira në trafikimin e emigrantëve.
Policia gjermane regjistron 9.500 hyrje të paligjshme nga Bjellorusia
Policia federale gjermane regjistroi më shumë se 9.500 hyrje të paligjshme të lidhura me Bjellorusinë këtë vit. Fokusi kryesor është kufiri gjermano-polak, sipas Shtabit të Policisë Federale në Potsdam. Policët atje përballen që nga gushti me presion të fortë nga migrimi. Aktualisht nuk ka shenja përmirësimi të situatës. Policia federale rikujtoi se kufiri gjermano-polak është një kufi i brendshëm i Shengenit i BE, i cili mund të kalohet në çdo kohë dhe në çdo vend. Për këtë arsye policia kryen vetëm kërkime në zonën afër kufirit, nën pragun e kontrolleve kufitare. Këto masa janë të koordinuara ngushtë me policinë kufitare polake.
aud (dlf, dpa)