Lëvizje migratore prej varfërisë dhe diskriminimit
25 Tetor 201278 vetë. Pra, kaq shumë - ose më mirë, kaq pak qytetarë të të Serbisë dhe Maqedonisë kanë kërkuar azil në Gjermani në vitin 2010.
2.435 vetë ishte numri i azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia vetëm në shtator 2012. Kjo shifër e Ministrisë Federale Gjermane të Punëve të Brendshme - ka bërë që shumë politikanë të kërkojnë rishqyrtimin e heqjes së vizave për serbët dhe maqedonasit.
Sepse që nga shtatori 2009, qytetarët e këtyre dy vendeve mund të udhëtojnë për në BE pa vizë. Që atëherë - dhe veçanërisht muajt e fundit - numri i azilkërkuesve nga këto vende është rritur në mënyrë dramatike.
Zyra Federale për Refugjatët: "Vijnë për arsye ekonomike"
Nga këndvështrimi ynë, në ardhjen e serbëve dhe maqedonasit kemi të bëjmë qartë me një abuzim të liberalizimit të vizave. Dhe kjo duhet të sjellë me vete pasoja ", thotë Manfred Schmidt, kryetar i Zyrës Federale për Emigracionin dhe Refugjatët (BAMF).
"Ne kemi një fluks grupesh familjare relativisht të mëdha," shpjegoi ai në një intervistë me DW. Por paratë e xhepit që paguhen sot në Gjermani për azilkërkuesit janë rreth tri herë më shumë se të ardhurat mujore në Serbi dhe Maqedoni. "Problemi është kryesisht kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në Gjermani. "Nëse njerëzit që vijnë nga Serbia dhe Maqedonia, qëndrojnë për tetë javë, apo tre muaj në Gjermani, atëherë kjo u mjafton për të jetuar gjashtë apo nëntë muajt e ardhshëm në Serbi apo Maqedoni."
Në këtë kontekst luan një rol kyç një vendim i Gjykatës Federale Kushtetuese të korrikut, për rritjen e përfitimeve për azilkërkuesit në Gjermani dhe barazimin e tyre me përfitimet e zakonshme sociale.
Friedrich: "BE-ja duhet ta pezullojë lëvizjen pa viza"
Ministri i Brendshëm federal Hans-Peter Friedrich, dëshiron tani të rishqyrtojë hyrjen pa viza të qytetarëve nga vendet e treta. Ministria e Brendshme, së bashku me landet po kërkojnë mënyra "për t'i shkrutuar procedurat administrative për azilin dhe përfundimin e lejeve të qëndrimit nga autoritetet e imigracionit." Me fjalë të tjera, metoda më të shpejta për dëbim nga Gjermania.
Friedrich flet për një "abuzim të papranueshëm në rritje të së drejtës për azil". Fluksi masiv i shtetasve serbë dhe maqedonas duhet të ndalet menjëherë, thonë burimet në Ministrinë e Brendshme. Ministrat e Brendshëm të landeve të Hesen dhe Bavari shprehen në mënyrë të ngjashme.
Friedrich mendon se zgjidhja e këtij problemi, është edhe një detyrë e Bashkimit Evropian: "Duhet të jetë e mundur që BE ta anulojë sa më shpejt të jetë të drejtën e qytetarëve të këtyre vendeve për të udhëtuar pa viza në BE." Përveç kësaj, MPB është në kontakt të ngushtë me qeveritë e Serbisë dhe Maqedonisë, shkruan Ministri i Brendshëm federal Hans-Peter Friedrich në një deklaratë për DW.
Pro Asyl: "Panik krejtësisht pa bazë"
Sipas referentes ligjore të OJQ-së Pro Azyl, Marei Pelzer ky diskutim shkon në drejtim të gabuar. "Ky panik dhe këto diskutime janë krejtësisht pa bazë dhe drejtohen kundër refugjatëve këtu", thotë ajo në intervistë me DW.
Sipas saj ky debati mund të ndikojë dhe në krijimin e një atmosferë të pakëndshme në Gjermani, si në vitet 1990, kur në qytetin verior gjerman Rostock-Lichtenhagen pati përleshje përpara qendrës qendrore të pritjes për azilkërkuesit.
Pelzer thekson se në ndryshim nga Franca, ku Gjykata e Lartë ka vendosur se sinti dhe roma duhet të gëzojnë një mbrojtje të veçantë, në Gjermani numri i kërkesave për azil që pranohen është thuajse zero. "Prandaj, është e pakonceptueshme që të flasim për abuzim".