Lumë parash nga Zvicra në Greqi?
12 Shtator 2012Marrëveshja do të jetë gati për nënshkrim që ditët ose javët e ardhshme. Shumat e llogaritura deri tani tingëllojnë joshëse: Të paktën tridhjetë, por ndoshta edhe gjashtëdhjetë miliardë euro kanë depozituar grekët e kamur në Zvicër, raporton shtypi athinas. Disa komentatorë flasin madje për 200 miliardë euro, pra për shumë më tepër sesa kapaciteti ekonomik vjetor i Greqisë apo shuma e përgjithshme e depozitave të kursimit në vend. Shifra të sakta nuk ka. Mirëpo, dihet që vetëm në 2009-n grekët kanë tërhequr mbi 65 miliardë euro nga llogaritë e tyre dhe që të paktën 16 miliardë prej këtyre përfunduan jashtë vendit.
Mbështetje e madhe për Athinën
Për Ministrinë e Financave në Athinë do të ishte një mbështetje e madhe me të holla sikur shuma të tilla të tatoheshin (me kusht që të bëhet fjalë vërtet për para ende të patatuara. Për këtë qëllim Greqia po negocion me Zvicrën mbi një marrëveshje shlyerjeje. Kjo marrëveshje do të orientohet nga marrëveshja e fundit fiskale gjermano-zvicerane, shpjegon juristi Ilias Bissias, i cili ka mbrojtur titullin e doktorit në Zvicër dhe punon sot në Athinë dhe Zyrih si avokat ekonomik. „Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes një mbajtës grek i një llogarie bankare në Zvicës ka tri mundësi" mendon Bissias: „Ose ai mbetet anonim dhe paguan për këtë një taksë ndëshkimi në vlerë 30 për qind të kapitalit të tij të përgjithshëm, me gjasa edhe më shumë. Ose ai i regjistron depozitat e tij të kursimit në Zvicër nëpërmjet bankës te zyra e taksave greke dhe pranon që t'i nënshtrohet një kontrolli fiskal. Ose merr një afat prej katër apo pesë muajsh për të mbyllur llogarinë e tij bankare zvicerane."
Do të zhduken papritur paratë nga Zvicra?
Bissias thotë se shumë grekë i sjellin kursimet e tyre në Zvicër në rrugë krejt të ligjshme, nga frika prej falimentimit të shtetit. Ata nuk kanë se ç'druajnë e nuk kanë as problem që të kontrollohen. Megjithatë kursimtarë të tillë për arsye sigurie kanë vetëm shuma të vogla, thotë ai. Më shumë fuqi shpërthyese kanë sipas tij rastet e vjetra zvicerane: Para të dyshimta, të cilat janë kontrabanduar në republikën alpine duke shmangur autoritetin fiskal dhe që tani do të tatohen me efekt prapaveprues. Këtu kërkohet veçanërisht aftësi negociuese, paralajmëron avokati: "Autoriteti fiskal kërkon të shmangë mbylljen e llogarisë bankare në Zvicër dhe transferimin e parave tjetërkund, këtë mundësi ai e ka pas marrëveshjes së re" shpjegon Bissias. Për këtë arsye duhen gjetur zgjidhje me kuptim. Në rast se Athina ngul këmbë për një përqindje tatimi prej 30 ose 40 për qind të kapitalit të përgjithshëm, e cila përveç kësaj ka edhe efekt prapaveprues, atëherë ai gati nuk arrin të përfytyrojë që shumë grekë të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe të mos parapëlqejnë t'i dërgojnë paratë e tyre gjetiu, thotë avokati athinas.