"Lumturia kombëtare bruto" - burim frymëzimi për Scholzin
14 Mars 2023Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se mirëqënia e Gjermanisë nuk duhet të matet vetëm me produktin e brendshëm bruto. Gjatë vizitës së parë të një kreu të qeverisë të mbretërisë himalajase të Butanit, kancelarin e bëri për vete ideja e indeksit të përdorur atje, i cili merr parasysh tregues të tjerë përveç fuqisë së thjeshtë ekonomike dhe që quhet "Lumturia Kombëtare Bruto".
"Ideja e Butanit për të marrë parasysh ndjenjën e lumturisë së qytetarëve të saj është magjepsëse".
"Kur bëhet fjalë për matjen e mirëqënies, Butani luan një rol pionier," tha Scholz-i në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Lotay Tshering në Berlin. "Ideja e Butanit për të përfshirë ndjenjën e lumturisë së qytetarëve të saj është magjepsëse." Sipas tij, është bërë një hap me raportin e parë vjetor ekonomik të qeverisë tringjyrëshe, duke përfshirë tregues socialë dhe mjedisorë. Për këtë u ra dakord në marrëveshjen e koalicionit dhe u zbatua nga Ministri i Ekonomisë së Gjelbër Robert Habeck.
Ideja e lumturisë kombëtare bruto ishte nisur që në fillim të viteve 1970 nga mbreti i atëhershëm, Jigme Singye Wangchuck. Ajo bazohet në tregues të tillë si qeverisja e mirë, zhvillimi i qëndrueshëm social dhe ekonomik, promovimi i kulturës dhe mbrojtja e mjedisit. Scholz-i tha për këtë temë: "Më duket shumë e arsyeshme që mirëqënien tonë të mos e matim vetëm me përmasa ekonomike, por të marrim parasysh edhe faktorët jomaterialë".
Butani konsiderohet i vetmi vend neutral klimatik në botë
Nga ana e tij, Tshering nuk deshi të komentojë nëse mendon se ky parim mund të zbatohet në Gjermani: "Vërtet nuk e di”, tha ai. As ai vetë nuk vrapon duke predikuar lumturinë. "Është një filozofi apo koncept i qeverisë që ndjekim”. Të gjithë anëtarët e qeverisë butaneze e ndjekin këtë filozofi në bazë ditore dhe më pas e zbatojnë atë në punën e tyre.
Megjithatë, lumturia kombëtare bruto nuk është veçoria e vetme unike e këtij vendi aziatik. Ai konsiderohet gjithashtu i vetmi vend neutral ndaj klimës në botë. Kjo do të thotë se ai eleminon të paktën aq gazra që dëmtojnë klimën sa lëshon. Butani e arrin këtë falë pyjeve të mëdha që mbulojnë më shumë se dy të tretat e sipërfaqes së vendit dhe fiksojnë masat e dioksidit të karbonit. Kushtetuta parashikon që vendi duhet të ketë të paktën 60 për qind pyje.
"Nëse duhet të mësojmë gjermanisht, do ta bëjmë me kënaqësi."
Tshering-u theksoi dëshirën e shtetit të tij për të bashkëpunuar më ngushtë me Gjermaninë, veçanërisht në fushën e arsimit. "Nëse duhet të mësojmë gjermanisht për këtë, do ta bëjmë me kënaqësi," tha ai, duke iu referuar formimit profesional. Ai shpreson se në "dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet" në vendin e tij do të ketë institucione të formimit profesional që plotësojnë standardet gjermane. Për më tepër, Gjermania duhet të ndihmojë Butanin për të zhvilluar energjinë diellore dhe të erës. Butani mbështetet shumë në hidrocentralet, por gjatë thatësirave, prodhimi i energjisë elektrike bie deri në 65 për qind për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas Tshering-ut.
E vendosur midis dy fuqive të mëdha që janë India dhe Kina, në mes të maleve Himalaje, Butani ka më pak se 800.000 banorë dhe hapësira e tij është afërsisht e barabartë me atë të Baden-Württemberg. Ky vend budist me maja mbi 7000 metra, i quajtur në gjuhën e tij "toka e dragoit të bubullimës", është një nga më të mbyllurit në botë. Ai vendosi marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë vetëm në nëntor 2020.
aud/sti (afp, dpa, rtr)