Lula fitoi në Brazil - Bolsonaro nuk e ka pranuar humbjen
31 Tetor 2022Në zgjedhjet presidenciale në Brazil, ish-presidenti i krahut të majtë Luiz Inácio Lula da Silva dhe presidenti aktual i krahut të djathtë Jair Bolsonaro kanë zhvilluar një garë pikë më pikë deri në momentin e fundit. Në fund, Lula fitoi me një rezultat shumë të ngushtë. Komisioni zgjedhor e shpalli fitues me 50.9 për qind të votave. Ndërsa Bolsonaro mori 49.1 për qind. Më shumë se 150 milionë brazilianë u ftuan për të votuar.
Në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve, Lula deklaroi se dëshiron të pajtojë kampet e armiqësuara në vendin e Amerikës së Jugut. "Unë do të qeveris në interesin e 215 milionë brazilianëve”, tha Lula në São Paulo. "Në Brazil ekziston vetëm një popull, nuk ka dy popuj të Brazilit”. Tani ka ardhur momenti për të rivendosur paqen mes grupeve të armiqësuara, sipas tij.
Presidenti i deritashëm po hesht
Presidenti i SHBA Joe Biden ka uruar presidentin e zgjedhur të Brazilit për fitoren e tij. Biden theksoi shprehimisht se votimi ishte "i lirë, i drejtë dhe i besueshëm".
Presidentit të ri i kanë ardhur urime edhe nga Gjermania. Presidenti federal Frank-Walter Steinmeier deklaroi në Berlin, se Brazili është një partner i rëndësishëm strategjik dhe një lojtar kyç në tejkalimin e sfidave globale. Kancelari Olaf Scholz e uroi presidentin e ri, ashtu si edhe ministrja e Jashtme Annalena Baerbock.
Por presidenti i deritanishëm Bolsonaro nuk i ka komentuar zgjedhjet dhe nuk është e qartë nëse ai do të pranojë humbjen. Gjatë natës së kaluar ka pasur festime dhe protesta në vend. Njoftohet edhe për incidente dhe një të vrarë. Por aleatët e Bolsonaros në pushtet e kanë njohur fitoren e Lulës. Bolsonaro ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi sistemin zgjedhor dhe ka thënë disa herë se është e mundur që të mos njohë rezultatet. E disa nga mbështetësit e tij kanë bërë thirrje madje për një grusht shteti ushtarak.
Rëndësia e zgjedhjeve
Lula kishte fituar edhe raundin e parë më 2 tetor – ndonëse me një rezultat më të ngushtë se sa pritej sipas sondazheve. Pas kësaj, gara u konsiderua përsëri plotësisht e hapur. Prej muajsh, fushata zgjedhore u karakterizua nga akuza të rënda reciproke dhe informacione të rreme të përhapura në internet. Të dy kandidatët luftuan për çdo votë deri në fund.
Zgjedhjet kanë implikime të rëndësishme përtej kufijve të Brazilit. Rajoni i Amazonës konsiderohet si një prej rezervoarëve më të mëdhenj në botë i dioksid karbonit dhe luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike globale. Duke pasur parasysh situatën e tensionuar në tregjet e energjisë dhe ushqimit për shkak të luftës në Ukrainë, Brazili me burimet e tij të mëdha natyrore është edhe një partner i rëndësishëm tregtar.
bc/rb/fw/se (AFP, AP, dpa, Reuters)