Luksemburgu para zgjedhjesh të reja?
10 Korrik 2013"Kryeministri duhet të vendosë vetë nëse do të përballet me një mocion mosbesimi apo do të japë dorëheqjen", tha zëdhënësi i qeverisë Guy Schuller. Dhe zëdhënësi i zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Jean Asselborn, u shpreh: "Gjithçka është e mundur."
Jean-Claude Juncker mban "përgjegjësinë politike" për veprimtarinë vite më radhë jashtë kontrollit të shërbimit sekret luksemburgas, ishte konkluzioni pas rreth 50 seancash, i një komisioni hetimor të Parlamentit, ngritur para gjashtë muajsh. Vetëm kolegët nga partia konservatore e Juncker-it votuan kundër raportit të komisionit, socialdemokratët partnerë në koalicion votuan pro tij së bashku me opozitën.
Praktika të dyshimta, veprimtari të errëta
Juncker-i 58 vjeçar akuzohet në radhë të parë se si politikani përgjegjës për shërbimin e fshehtë, nuk është kujdesur sa duhet për "Shërbimin informativ të shtetit luksemburgas" (SREL). Edhe pasi pati mësuar për veprimtaritë anormale të agjentëve, e kishte informuar komisionin parlamentar të kontrollit shumë rrallë dhe me shumë vonesë.
Shërbimi sekret ka pasur një jetë të vetën të frikshme, thuhet në raport. Vazhdimisht ka pasur praktika të paligjshme përgjimi. Viktima më e njohur ka qenë vetë Juncker: në fillim të 2007-s ish shefi i shërbimit sekret Marco Mille, kishte regjistruar fshehurazi me një orë speciale dore, një bisedë të zhvilluar me kryeministrin. Veç kësaj shërbimi sekret akuzohet se ka tregtuar makina të blera me fonde shtetërore, ka kurdisur një fushatë shpifjesh kundër një prokurori dhe ka paguar një apartament për ish presidentin e autoritetit të revizionit. Në 2010 Mille kaloi nga shërbimi sekret në postin e shefit të sigurisë në koncernin Siemens.
Juncker duhet të japë shpjegime
Në një debat të madh plenar këtë të mërkurë (10.07.2013) Juncker do të japë edhe një herë shpjegime; 120 minuta ka në dispozicion juristi, për të dhënë versionin e tij të fakteve. Nëse nuk ndodh një mrekulli, koalicioni qeveritar do të shpërbëhet. Duka i Madh i Luksemburgut Henri, do të shpërbëjë atëherë dhomën e deputetëve. Si datë e mundshme për zgjedhjet e parakohshme përmender 20 tetori. Zgjedhjet e rregullta duhej të mbaheshin në verën e vitit të ardhshëm. Juncker është prej 18 vjetësh kryeministër i Luksemburgut dhe prej më shumë se 30 vjetësh në qeverinë luksemburgase. Si shef i eurogrupit nga 2005 deri në fillim të 2013, ai bëri një emër shumë të mirë në BE.