1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lukashenko me duar të pastra? Gjestet e tij ndaj Perëndimit

Roman Goncharenko10 Tetor 2015

Pas lirimit të të burgosurve politik Aleksandër Lukashenko do që rizgjedhja e tij të duket e pastër. Presidenti i Bjellorusisë shpreson tek një fillim i ri me Perëndimin. Por sistemi i pushtetit të tij autoritar mbetet.

https://p.dw.com/p/1Glpv
Alexander Lukaschenko Präsident Weissrussland
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/S. Grits

Gjithçka flet për një fitore rutinë. Kuotat e sondazheve për Lukashenkon janë të larta, ndërsa për kundërshtarët të dobëta. Presienti i Bjellorusisë, i cili e qeveris me dorë të hekurt qysh nga viti 1994 ish-republikën sovjetike, me sa duket e pret krejt i çlirët fitoren e tij të pestë në zgjedhjet e së dielës (11.10).

Por pak javë para votimit pikërisht aleati më i ngushtë i Lukashenkos ndërhyri në luftën e tij elektorale: Rusia. Moska i konkretizoi planet e saj për ndërtimin e një baze të aviacionit ushtarak në Bjellorusi. Në sfondin e luftës në Ukrainën fqinjë gati gjysma e bjellorusëve (45%) shprehen kundër kësaj në sondazhe. Opozita u përpoq t'i verë njerëzit në lëvizje për të protestuar në rrugë. Të martën (06.10) Lukashenko e kritikoi Rusinë me një ton të pazakontë dhe tha, se vendi i tij nuk ka nevojë për një bazë të tillë ajrore.

Jo më "diktatori i fundit në Europë"

Kjo ishte pika kulmore e radhës në një luftë elektorale, që misioni i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve e përshkroi si "në pjesën më të madhe të padukshme". Por kjo në fitoren e Lukashenkos pak mund të ndryshojë.

Ndërkohë kreu bjellorus i shtetit do të çlirohet prej imazhit që ka Perëndimi për të si "diktatori i fundit i Europës". Unë nuk jam më kështu, deklaroi Lukashenko në një intervistë për agjencinë e lajmeve Bloomberg në prill: "Ka diktatorë më të këqinj, apo jo? Unë jam e keqja më vogël." Ai la të nënkuptohet me këtë kolegun e tij rus Vladimir Putin. Që prej krizës në Ukrainë Lukashenkon gjithnjë e më rrallë po e quajnë "diktator".

Ndryshe nga viti 2010 Lukashenko do që të mos ketë dyshime, se ai do t'i fitojë zgjedhjet. Atëherë në kryeqyetin Minsk pati protesta, që policia i mposhti. Shumë udhëheqës të oppozitës u arrestuan dhe u gjykuan me dënime afatgjata me burgim. BE-ja vendosi sanskione dhe bllokoi xhirollogaritë e politikanëve e biznesmenëve bjellorusë. Lukashenko i izolua në Perëndim.

Kriza e Ukrainës shfrytëzohet politikisht

Por 61 vjeçari e shfrytëzoi krizën e Ukrainës, për ta çarë izolimin në politikën e jashtme. Fillimisht Minsku u bë pikëtakimi për bisedimet mes qeverisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë. Në fund të gushtit papritur Lukashenko fali disa politikanë të dënuar të opozitës. BE e përshëndeti këtë zhvillim. Tani Bjellorusia duhet të bëjë një hap të dytë dhe të zhvillojë zgjedhje demokratike presidenciale, thuhet në Bruksel.

Demonstration in Minsk gegen russische Militärbasis
Protestë në Minsk (04.10) kundër bazës ushtarake ajrore ruseFotografi: REUTERS/Vasily Fedosenko

Edhe në politikën e brendëshme Lukashenko ka përfituar prej krizës në Ukrainë. Në programin e tij elektoral ai skicon dy opcione për Bjellorusinë: stabilitet ose kaos. Mesazhi është: Kush nuk do "revolucion, gjak dhe luftë", duhet të votojë për të. Llogaria e tij me sa duket del. Për 48 përqind të bjellorusëve paqja dhe stabiliteti janë prioritetet më të rëndësishme. Këtë e ka konstatuar instituti bjellorus i dempskopisë NISEPI me seli në Vilna të Lituanisë. "Ngjarjet në Ukrainë ishin faktori më i rëndësishëm, që përcaktuan opinionin e politikës së brendëshme të popullsisë në Bjellorusi", vëren sociologu dhe themeluesi i këtij institucioni Oleg Manajev në intervistë për DW. Populli ndër të tjera edhe nga frika prej ngjarjeve si ato në Ukrainë u radhit pas Lukashenkos.

Sanksionet rrisin presionin ekonomik

Sociologë si Manajev parasahikojnë fitoren e Lukashenkos me shumicën dy të tretat. Krahas kreut të shtetit në garën elektorale janë lejuar edhe dy kandidatë të tjerë. Për herë të parë mes tyre është edhe një grua. Por vëzhguesit mendojnë, se asnjëri prej kandidatëve nuk do të përbëjë pengesë për Lukashenkon. Oppozita e përçarë nuk mundi të bjerë dakord për një kandidat të vetëm të sajin. Për këtë arsye disa politikanë të opozitës si Aleksandër Lebedko u kanë bërë thirrje qytetarëve për bojkotimin e zgjedhjeve. Lebedko donte të kandidonte vet, por dështoi në mbledhjen e 100.000 nënshkrimeve, që duhet të arrijë çdo kandidat për president.

Vëzhguesit konnstatojnë arsye ekonomike pas gjesteve të Lukashenkos në drejtim të Perëndimit. Vendi është i rrënuar ekonomikisht dhe ndihma ruse nuk është më e mjaftueshme. Nëse përmbushet shpresa e Lukashenkos, kjo do të mësohet shpejt. Afati i sanksioneve përfundon më 31 tetor. Ministri i Jasahtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, në fund të gushtit u shpreh për një zbutje të sanksioneve."Tani për tani nuk ka arsye të besojmë, se në Bjellorusi janë krijuar kushte demokratike", thotë Oliver Kaczmarek nga grupi parlamentar gjermano-bjellorus."Por ne duam t'i pranojmë sinjalet pozitive si lirimi i të burgosurve politikë", thekson deputeti socialdemokrat i Bundestagut (Parlamenti i Gjermanisë). Tani të shohim një herë rezultatin e zgjedhjeve.

Rusia mbetet partneri më i fortë

Megjithatë Lukashenko ende nuk është me duar të pastra: "Nuk duhet të besojmë, se sundimtari bjellorus papritur ka ndryshuar dhe është bërë demokrat", thotë Aleksandër Klaskovski nga portali online Naviny.by. Lukashenko vazhdon të qeverisë i vetëm.

Nëse Bjellorusia dhe BE-ja vërtetë së shpejti do të afrohen sërish, Lukashenko nuk do ta konsiderojë këtë si një kthesë drejt Perëndimit. "Ne kemi qenë gjithmonë bashkë dhe do të vazhdojmë të qendrojmë edhe shumë gjatë bashkë", tha ai në një konferencë duke iu referuar Rusisë. Vëzhguesit presin, që Moska të mbetet partneri më i fortë i Lukashenkos dhe se ajo ka mjete të shumta presioni, për të realizuar bazën ajrore në Bjellorusi. Të dy këto vende në fillim vitit 2015 themeluan Unionin Euroaziatik të ish-republikavë sovjetike. Varësia e madhe ekonomike prej Rusisë si rrjedhojë mund të vazhdojë të rritet.