Japan AKW Landwirtschaft
21 Mars 2011Nga centrali i dëmtuar i Fukushimës ka kaluar radioaktivitet në atmosferë, gjë që po kthehet në një problem shumë serioz për ekonominë bujqësore në rajonin e Fukushimës. Në provincën e Fukushimës dhe provincat përreth Ivatre dhe Ibaraki, është gjetur jod me radioaktivitet në qumësht dhe spinaq. Sasia e gjetur e kalon 27 herë kufirin e lejuar. Autoritetetet bënë thirrje për të mos përdorur më artikujt ushqimorë me rrezatim. Shitjen e tyre megjithatë ata nuk e kanë ndaluar, sepse nuk ekziston rrezik akut.
Japonezët reagojnë me vetëpërmbajtje
Në fundjavë u gjet në kryeqytetin Tokio, 240 kilometër larg centralit bërthamor të Fukushimës, jod radioaktiv në ujin e pijshëm. Megjithatë shumë klientë nuk treguan asnjë shenjë paniku. "Më thanë që perimet janë të sigurta, vetëm duhen larë. Nuk jam e shqetësuar", thotë një blerëse japoneze.
Megjithatë vihet re një rënie e blerjes, shprehet një shitës: "Kemi filluar ta ndjejmë këtë. Mendoj se shumë njerëz kanë frikë, që edhe perimet mund të jenë me rrezatim."
Të hënën (21.03) era ka marrë drejtimin e Verilindjes, drejt Paqësorit, ky mot i vjen në ndihmë Tokios, duke e ruajtur atë nga valë të reja rrezatimi radioaktiv. Megjithatë rajoni në veri të centralit është prekur nga rrezatimi. Në qytetin Sendai, 200 km. nga Fukushima, njerëzit këtu po përpiqen të mbrohen sa të munden. Kavami një punonjës i ri fabrike thotë: "Jam vërtet i irrituar për shkak të rrezatimit. Përpiqem të informohem sa më mirë. Dëgjoj rregullisht radion, dhe kur dal jashtë vë një maskë, dhe përpiqem të mos marr frymë thellë."
Luftë me rrezatimin
Ndërkohë presioni në reaktorin 3 është rritur së tepërmi presioni. Autoritetet evakuuan forcat e shpëtimit në Fukushima për shkak të tymit të dalë nga reaktori 3. Autoritetetet kanë diskutuar edhe marrjen në konsideratë të çlirimit të një pjese të avullit, por kjo do të thotë më shumë radioaktivitet në atmosferë. Në reaktorin 2 është vendosur furnizimi me energji elektrike.
Rreziku ekziston sidomos për forcat e shpëtimit në reaktorët e dëmtuar. Autoriteti atomik japonez, NISA paralajmëron se 300 zjarrfikësit në mision ftohjeje mund të thithin pluhurin me radioaktivitet. Megjithë rrezikun kanë dalë gjithnjë e më shumë vullnetarë për të shkuar në Fukushima.
Autor: Bernd Musch Borowska/Lindita Arapi
Redaktoi: Bahri Cani