Luftë kundër superfabrikës të Teslas në Gjermani
3 Maj 2024Miliarderi Elon Musk do që të zgjerojë fabrikën e Teslas në Gjermani. Për Elon Musk, "Tesla do të bëjë që kjo këtu të jetë një xhevahir, për rajonin, për Gjermaninë, për Europën dhe botën." Pranë një qyteze të vogël, Grünheide, Tesla prodhon modelin Y - që vitin e kaluar ishte makina më e shitur në botë. Elon Musk ka sjellë rritje ekonomike në këtë rajon gjerman. Rreth 12.000 vetë kanë gjetur punë në fabrikë. Në hapjen e saj ishte madje prezent edhe vetë kancelari gjerman, Olaf Scholz. "Elektromobiliteti do të jetë mobiliteti i së ardhmes dhe kjo po bëhet e qartë këtu."
Protesta kundër Teslas
Superfabrika e Teslas gjendet në një zonë të mbrojtur ujore në Brandenburg. "Ne këtu në Grünheide i dalim kundër fabrikës së Teslas", thotë një aktiviste, sepse për këtë duhet të sakrifikohen pyje gjermane. Aktivistët janë ngritur në këmbë. Ata vijnë nga e gjithë Gjermania, dhe pjesërisht edhe jashtë saj -prej dy muajsh ata e mbajnë të bllokuar këtë zonë. Edhe Roman, kështu e quan veten aktivisti, merr pjesë në protestë bashkë me aktivistë të tjerë, një formë rezistence kundër Teslas: "E para unë i dua pyjet! Ndjehem i lumtur menjëherë kur jam në pyll. Që kur kam ardhur të jetoj këtu ndjehem i lidhur plotësisht me natyrën", thotë ai. Me bllokadën 24 vjeçari kërkon të pengojë shpyllëzime të tjera. Roman është i mendimit se është kontradiktë në vete të presësh pyje për të ndërtuar automjete në favor të mjedisit. "Tesla di ta shesë shumë mirë veten, se kjo është zgjidhja, pra alternativa e gjelbër, në krahasim me atë që njohim. Aktualisht nuk mund të vazhdojmë më kështu. Parë në një plan afatgjatë jo të gjithë një ditë do mund të kenë një automjet."
"Po tallen me njerëzit"
Edhe Manuela Hoyer ka krijuar një iniciativë qytetare ku nuk është në fokus vetëm ruajtja e pyjeve, por edhe se fakti që fabrika është ndërtuar në një zonë të mbrojtur ujore. Frika e qytetarëve; kontaminimi i ujit me pasoja për banorët që nuk do të mund të kishin ujë të pijshëm."Me njerëzit këtu po tallen. Pra, që thuhet, se kjo këtu është miqësore ndaj klimës. Kjo nuk ka hiç të bëjë me mbrojtjen e klimës. Aspak", thotë Manuela Hoyer.
Në një sondazh aktual më shumë se 60% e qytetarëve në Grünheide i kanë kundërshtuar planet e Teslas për të zgjeruar fabrikën. Por koncerni i mbetet besnik këtyre planeve, ai ka bërë vetëm disa korrigjime të vogla. Disa qytetarë madje nuk hezitojnë të përdorin edhe dhunën në protestën kundër Teslas. Në mars iu vu zjarri shtyllave elektrike nga një grup radikal i majtë. Sulmi e bllokoi për disa ditë prodhimin e Teslas, dhe i kushtoi koncernit miliona euro. Sulmi atëherë shkaktoi reagime në politikë dhe ekonominë gjermane.
Kurse Elon Musk i quajti ata "ekoterroristët më budallenj të botës", për shkak se aktivistët radikalë ndërprenë prodhimin e automjeteve elektrike. Ai vizitoi fabrikën në Grünheide për të shprehur mbështetjen për punonjësit e tij. "Giga Berlin, për fitoren", tha Musk.
Në lidhje me këtë protestë donim të dinim mendimin e Teslas, por pyetjet tona nuk morën përgjigje. Ndërkohë që koncerni vetë i ka bërë disa hapa në drejtim të mbrojtjes së mjedisit. Kështu për shembull u ndërtua një sistem i ri i filtrimit industrial të ujit. Gati i gjithë uji do të riciklohet dhe do të ulet kështu edhe konsumi i tij.
Përkrahësit e Teslas
Nuk duhet lënë mënjanë, se fabrika e Teslas ka edhe mjaft përkrahës në popullsinë lokale. Albrecht Köhler është pjesë e një iniciative tjetër qytetare. Së bashku me mikun e tij, Tobias Lindh ai i ndjek dhe dokumenton të gjithë zhvillimin e fabrikës së Teslas. "Edhe unë i shoh sfidat globale. Por Teslën e shoh si pjesë të zgjidhjes dhe jo të problemit. Kjo nuk është kështu tek shumica e atyre në kamp. Pra pa Teslën, për këtë jam i bindur, ne nuk do të kishim ecur kaq përpara në drejtim të elektromobilitetit."
Si mund të zgjidhet kjo grindje? Me këtë merret edhe politikanja lokale, Pamela Eichmann. Ajo është kryetare e këshillit komunal dhe ka dyshimet e saj në lidhje me zgjerimin e fabrikës së Teslas, por thotë, se me miliona të ardhura tatimore nga Tesla është ndërtuar një shkollë e re. Eichmann e di se shumë qytetarë janë të shqetësuar. "Le ta themi kështu, Tesla është për Grünheiden bekim dhe mallkim njëherësh. Bekim sepse janë rritur të ardhurat tatimore. Mallkim, sepse nga ana tjetër i gjithë transformimi prej Teslas prek të gjithë rajonin. E këtu kanë frikë qytetarët, sepse ata i tremben shndërrimit aq të madh sa nuk do ta njohin një ditë Grüheiden e tyre."
Në një kohë që banorët në Grünheide nuk e fshehin mendimin e tyre, punonjësit e Teslas që vijnë përditë në punë janë shumë fjalëpakë dhe duhet të kalojnë para stendave me informacione të protestuesve për të hyrë
Protestuesit planifikojnë protesta të tjera -së bashku me grupe të tjera aktivistësh. Roman nuk kritikon vetëm Teslan, por në përgjithësi edhe kërkesën për rritje të vazhdueshme ekonomike pa menduar pasojat që sjell. "Këtu eventualisht do të shkatërrohet edhe një pjesë e pyllit. Si ç'është bërë atje. Për të ndërtuar automjete leketrike që njëherë na duken si një alternativë e mirë. Dhe natyrisht mund të argumentosh, se kjo sakrificë ia vlen për të arritur një reduktim më të madhe karbonik. Por ne nuk jemi vetëm për pyllin këtu, por kundër të gjithë atij zinxhiri furnizimi, gjithçka që lidhet me të, aty lulëzon një shfrytëzim i jashtëzakonshëm, shkatërrim i madh i mjedisit."
Kur bie mbrëmja, ulen tonet dhe vjen qetësia. Por në pyllin e Grünheides lufta kundër Teslas vazhdon.
Autor: Killian Bayer/DW