Luftime të reja në Ukrainën Lindore
2 Qershor 2014
Anëtarë të Gardës Kombëtare të Ukrainës pranë Slovjanskut
Me helikopterë luftarakë dhe me automjete të blinduara trupat qeveritare ukrainase në afërsi të kështjellës separatiste Slovjansk kanë ndërmarrë sërish një sulm kundër aktivistëve prorusë. Forcat e sigurisë hapën zjarr kundër pozicioneve të separatistëve dhe kundër bllokadave të ngritur prej tyre në rrugë, bëjnë të ditur mediet ukrainase nga Lindja e ish-Republikës Sovjetike.
Një zëdhënës i separatistëve tha se shumë civilë në Slovjansk për siguri janë futur në bodrume. Një pjesë tjetër, para së gjithash gra dhe fëmijë është larguar sipas të dhënave me autobusë nga qyteti.
Për fatin e vëzhguesve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë edhe më tej nuk ka të dhëna të besueshme. Një zëdhwnësi i forcave besnike ndaj Moskës i kundërshtoi informacionet, sipas të cilave ekipet e vëzhguesve tashmë janë liruar. Edhe një punonjës i OSBE-së tha se nuk mund ta konfirmojë lirimin.
Nëntë persona të zhdukur
Janë nëntë bashkëpunëtorë të OSBE-së, fati i të cilëve nuk dihet. Meqenëse që të hënën u ndërpre kontakti edhe me një grup prej katër vetësh në Ukrainën Juglindore midis Donetskut dhe Luhanskut, sipas OSBE-së që të enjten është ndërprerë kontakti edhe me një ekip prej pesë vetësh. Akviteti i grupit të humbur qe shtrirë së fundi në veriperëndim të rrethit Luhansk.
Ambasadori rus në OSBE, Andrej Kelin bëri të ditur të shtunën se vendi i tij po zhvillon me separatistët në Ukrainën Lindore bisedime për vëzhguesit e OSBE-së. Kohëzgjatja dhe rezultati i negociatave janë krejtësisht të hapura, i tha Kelin agjencisë Itar-Tass.
Prani më e madhe e NATO-s në Poloni?
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë bëri të ditur se NATO-ja po shqyrton rritjen e pranisë së saj në Poloni, në sfondin e krizës në Ukrainë. Një përforcim i përkohshëm i Trupës Multinacionale Verilindje në Stettin do të jetë temë diskutimi në takimin e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, bëri të ditur një zëdhënës i ministrisë në Berlin. Nëse shtimi i trupave të NATO-s do të realizohet, kjo është krejtësisht e hapur, tha ai.
Trupa përbëhet zakonisht nga një shtab me ushtarë, para së gjithash nga Gjermania, Polonia dhe Danimarka, por në rast nevoje mund të shtohet me ushtarë të tjerë. Në të kaluarën kjo trupë ka marrë pjesë në manovrat e përbashkëta në Poloni. Për shkak të krizës së Ukrainës, Polonia ka kërkuar zhvendosjen e trupave të NATO-s në territorin e saj. Polonia ndihet e kërcënuar nga Rusia.