Lufta si temë në mësim
8 Janar 2014"Si mund të flas për gjeografinë dhe kufijtë e vendit tonë pa folur automatikisht për luftën?" pyet Sibela Jevtiq. Që nga viti 1993 ajo është mësuese e historisë dhe e gjeografisë në Banja Lukë. Në qytetin në veri të Bosnjë dhe Hercegovinës së sotme mësuesja e ka përjetuar personalisht luftën civile dhe absurditeten e saj. Im atë luftonte për palën serbe, tre xhaxhallarët për palën anën kroate, tregon ajo.
"Unë u tregoj nxënësve nga përvoja personale", thotë Jevtiq . Ajo dëshiron t'i nxisë të rinjtë që të reflektojnë. "Lufta nuk është thjesht e zezë apo e bardhë", thotë mësuesja. Por përvojat e dhimbshme janë të thella, jo vetëm tek mësuesja por, edhe tek nxënësit e saj. Diskutimi për luftën në klasë është jashtëzakonisht i vështirë por i rëndësishëm, thotë Jevtiq. Për këtë arsye ajo ka marrë pjesë në seminaret e Institutit gjerman Georg Eckert për studimin ndërkombëtar të teksteve shkollore. Në këto seminare diksutohet për hartimin e teksteve të reja shkollore që merren edhe me luftën civile .
Histori nga jeta e përditshme në luftë
Me historinë e re filluam të merremi në vitin 2008 tregon koordinatorja e projektit, Katarina Bartilo-Henschen. Megjithatë materialet mësimore nuk merren me çështje të tilla si lufta, kampet e përqendrimit dhe masakra e Srebrenicës, por me histori nga jeta e përditshme e asaj kohe. Më shumë sot nuk është e mundshme, sipas mendimit të ekspertëve. Por meqë jeta e përditëshme në luftë qe e njejtë për të gjithë, pra si për serbët, kroatët dhe boshnjakët (myslimanët e Bosnjës) fëmijët mund të diskutojnë mirë me njëri-tjetrin për këto tema. Së fundi, të gjithë e kanë përjetuar se sa e rrezikshme ishte që të shkoje në shkollë në atë kohë, se si racionohej ushqimi apo problemet me furnizimin me energji elektrike.
Për më shumë se një dekadë, Instituti Georg Eckert zbaton një projekt të Ministrisë së Jashtme Gjermane për t'u ardhur në ndihmë mësimdhënësve si Sibela Jevtiq në Bosnje-Hercegovinë, që të mund të trajtojnë luftën sipas grupmoshave në shkollë. Përveç punës në Evropën Juglindore, Instituti është i përfshirë në të gjithë botën për përpilimin e teksteve shkollore në rajonet e krizës, si në Afrikën e Jugut dhe aktualisht edhe në shtetet baltike si dhe në Gjeorgji, Bjellorusi dhe Ukrainë.
Tekste mësimore për zonat e krizës
Instituti Georg Eckert ka përpiluar gjithashtu edhe një tekst të përbashkët historie për nxënësit izraelitë dhe palestinezë. Por ky nuk mund të përdoret në mësim në asnjë nga të dy palët e konfliktit. "Gjithsesi është sukses që për këtë libër kanë punuar së bashku izraelitë dhe palestinezë," thotë Georg Stëber, drejtori i departamenti "Tekstet shkollore dhe konflikti" në Institutin gjerman Georg Eckert në Braunshvajg.
Hartimi i teksteve të historisë në rajonet ku ka pasur apo ka konflikte nuk është i lehtë, sqaron ai. Palët në konflikt kanë shumë paragjykime ndaj njeri-tjetrit, si në rastin e krotaëve, serbëve dhe boshnjakëve. Në fillim të projektit ata as nuk flisnin me njëri-tjetrin, kujton Georg Stëber.
Të vërteta të ndryshme rreth luftës
Në vitin 2003 në Bosnje-Hercegovinë filloi reforma e librave shkollorë. Sidomos mësuesit më të vjetër kishin probleme me pranimin e një perspektive të ndryshme rreth luftës, tregon Baratilo-Henschen. Ata kishin ende ide komuniste në lidhje me mësimdhënien e historisë. "Shumë prej tyre reagonin me alergji që papritur duhet t'u tregonin nxënësve që nuk ka vetëm një të vërtetë, por se burimet ofrojnë mundësi dhe pikëpamje të ndryshme për të njëjtën ngjarje," thotë Bartilo-Henschen.
Autorja e librave shkollorë Melisa Foric nga "European Association for History Educators" (Euroclio) dëshiron që në Bosnje-Hercegovinë të përdoret i njëjti libër historie për të gjitha shkollat. Por ndarja e Bosnjes në kantone me drejtori të ndryshme arsimore e bën të pamundur një gjë të tillë. Ajo thotë se për këtë shkak nuk ka kontroll se ç'histori mësohet në njërën apo në tjetrën shkollë. Por të paktën prej një viti trajtimi i luftës në Bosnje-Hercegovinë është pjesë e detyrueshme e programit mësimor në të gjitha kantonet, me përjashtim të Brcko-s.