"Lufta në Ukrainë na ka kushtuar tashmë 100 miliardë euro".
20 Shkurt 2023"Lufta në Ukrainë dhe shpërthimi i kostos së energjisë që pasoi si rrjedhojë i ka kushtuar Gjermanisë pothuajse 2.5 për qind ose 100 miliardë euro në performancën ekonomike në vitin 2022. Këto kosto do të vazhdojnë të rriten në vitet në vijim," tha presidenti i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), Marcel Fratzscher për gazetën Rheinische Post.
"Gjermania është më e prekur ekonomikisht nga kriza, sepse ishte më e varur nga energjia ruse, ka një përqindje të lartë të industrive me energji intensive dhe është jashtëzakonisht e varur nga eksportet dhe zinxhirët e furnizimit global," shpjegoi presidenti i DIW.
'E dhimbshme, por e nevojshme'
Dëmtimi për Gjermaninë si zonë biznesi nuk ka ndodhur ende, por do të ndodhë nëse kompanitë nuk përshpejtojnë transformimin ekologjik, ekonomik dhe digjital, vazhdoi Fratzscher. Sipas Fratzscher-it, çmimet më të larta të energjisë do të mbeten një disavantazh i dukshëm konkurrues për dhjetë vitet e ardhshme, të cilin politika dhe biznesi duhet ta kompensojnë me më shumë inovacion dhe produktivitet.
Qeveria gjermane në asnjë rast nuk duhet "të vazhdojë në rrugën e subvencioneve masive për lëndët djegëse fosile”, deklaroi ekonomisti nga Berlini. "Shoku i çmimit të energjisë është si rrjedhim një alarm i dhimbshëm, por i nevojshëm, që shpresojmë se do të bëjë që ekonomia të transformohet më shpejt."
Një rënie masive e mirëqënies
Një vit pas fillimit të luftës ruse të agresionit kundër Ukrainës, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) foli gjithashtu për një rënie të mirëqënies në Gjermani. Në total, deri në fund të vitit 2023 pritet të humbasë rreth katër për qind e prodhimit të brendshëm bruto të Gjermanisë nga fillimi i luftës. Kjo do të ishte rreth 160 miliardë euro më pak, ose rreth 2000 euro për frymë, i tha presidenti i DIHK Peter Adrian në Rheinische Post.
aud/dk/tko dpa, rtr)