1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Konsiderata e gabuar ndaj Moskës është krejt pa vend'

11 Prill 2018

Të mbyllen xhirollogaritë dhe të mos bëhet më biznes me gjigandin rus të armëve Rosobonexport. Përballë sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin sirian Duma, HRW kërkon nga Berlini vepra në vend të fjalëve.

https://p.dw.com/p/2vnaF
Quadriga Sendung 25.01.2018 Michalski Wenzel
Fotografi: DW

Deutsche Welle: Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka thuajse fare dyshime që në sulmin e fundjavës ndaj qytetit sirian Duma bëhet fjalë për një sulm me armë kimike. Ajo kërkon një "gjuhë shumë, shumë të qartë". Cilat janë hapat që prisni nga qeveria gjermane?

Wenzel Michalski: Ne presim që qeveria gjermane të angazhohet me vendosmëri për sqarimin e këtyre sulmeve dhe ta bëjë këtë pa konsiderata të gabuara ndaj Iranit ose Rusisë. As marrëveshja atomike me Iranin dhe as afrimi politik potencial me Rusinë nuk duhet të luajë rol këtu. Konsiderata e gabuar është krejt pa vend. Vetëm heshtja, tundja në mënyrë mohuese e kokës, ngritja deri tani e supeve të qeverisë gjermane në konfliktin e Sirisë nuk ka sjellë asgjë. Në Siri punët vazhdojnë si deri tani, fundi nuk duket gjëkundi.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert deklaroi se Rusia nuk duhet ta bllokojë më një hetim për përdorimin e armëve kimike në Siri. A ju mjafton kjo? 

Jo. Rusia duhet vënë nën presion në këtë drejtim dhe kjo të bëhet shumë më fort se deri tani. Të vetmet mjete, që kemi përdorur deri tani kundër Moskës janë sanksionet për shkak të pushtimit të Krimesë dhe të konfliktit të Ukrainës. Në çështjen e Sirisë ne nuk kemi përjetuar asgjë në këtë drejtim. Të gjitha sanksionet që kemi parë deri tani janë të argumentuara në pikëpamje gjeopolitike, jo për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut. Gjigandi rus i armatimit Rosoboronexport për shembull lejohet edhe më tej që t'i ekspozojë në panairet perëndimore të armëve produktet e tij dhe t'i shesë ato në të gjithë botën. Kësaj i duhet dhënë fund. Kjo mund të arrihet duke ushtruar presion ndaj personave të veçantë, të cilët janë në pushtet dhe të cilët pengojnë vazhdimisht që shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri të kritikohen publikisht dhe të ndëshkohen.

Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti francez Emanuel Macron kërkuan një reagim monolit të komunitetit ndëkombëtar. Ushtria siriane dhe aleatët e saj kanë kaluar "në gjendjen më të lartë të alarmit". I dërguari i posaçëm i OKB-së, Staffan de Mistura paralajmëron për rrezikun e shkallëzimit të situatës. A keni frikë që nga shkallëzimi i situatës, ajo që vuan të jetë në fund popullata civile?

Ky rrezik natyrisht që ekziston në rastin e një ndërhyrjeje ushtarake. Unë besoj se de Mistura mendon që një ndërhyrje ushtarake do ta zgjerojë edhe më tej luftën dhe njerëzit e fundit që kanë mbetur në gërmadha do të vuajnë. Në këtë pikëpamje është e kuptueshme që ai paralajmëron për këtë rrezik. Por ka edhe lloje të tjera përgjigjesh të ashpra, për t'i ndëshkuar dorasit. Mendoj për shembull në mbylljen e llogarive rrjedhëse të atyre njerëzve dhe në konfiskimin e tyre, në ngrirjen e rrugëve të parave të atyre personave që janë në pozicionet përkatëse për t'i urdhëruar këto sulme me gaz helmues, qofshin ata pushtetmbajtës ushtarakë, të cilët e shtypin vetë butonin - qofshin dorasit në tryeza në prapavijë.

 Wenzel Michalski është Drejtor i Human Rights Watch Deutschland

Bisedën e zhvilloi Daniel Heinrich.