1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

24 Shkurt 2022: Jo 2 por 10 vjet luftë e Rusisë në Ukrainë

24 Shkurt 2024

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës nisi me aneksimin e Krimesë në shkurt 2014. Për shumë kohë kjo u nënvleftësua, edhe brenda popullsisë ukrainase. E gjitha kjo ndryshoi më 24 Shkurt 2022 me zgjerimin e luftës. Një bilanc.

https://p.dw.com/p/4cpA5
Pallate të shkatërruara e rrënoja prej sulmeve ruse në Ukrainë
Bakhmut, UkrainëFotografi: Libkos/AP/picture alliance

Maryna Ljuschyna më 24 shkurt 2022 donte të jepte një kurs për gatimin e çokollatës. Ajo në mbrëmje shtroi tryezat dhe gëzohej për fëmijët, që do të vinin në teatrin e saj privat për rininë në Konotop në veri të Ukrainës.

Atë natë aktorja, nënë e dy fëmijëve nuk bëri gjumë të mirë. Ajo dëgjonte alarm dhe mendonte, se është sinjali i tramvajit. "Në orën shtatë të mëngjesit më telefonoi një shoqe dhe më tha: "Hap televizorin, është luftë", kujton Ljuschyna, e cila sot jeton në Bon, në Gjermani.

Konotop ndodhet rreth 80 km nga kufiri me Rusinë. Para dy vjetësh qyteti u rrethua brenda dy orësh nga trupat ruse. Pati rezistencë, por forcat ishin disproporcionale dhe ushtria ukrainase u tërhoq. Më vonë qyteti u rimorr sërish nën kontroll nga trupat ukrainase dhe u çlirua.

Ditët e para të luftës Ljuschyna u arratis tek nëna e saj në periferi të qytetit, kur u ndesh me trupat ruse: "Unë i pyeta: Çfarë bëni këtu?" Përgjigja e tyre ishte: "Kemi ardhur të marrim presidentin Selenskyj."

Nënat e ushtarëve të rënë në Ukrainë Ukrainë duke vajtuar gjatë një funerali
Lufta ka shkaktuar shumë viktima në Ukrainë. Nënat e ushtarëve të rënë duke vajtuar gjatë një funeraliFotografi: Evgeniy Maloletka/AP/picture alliance

Ukraina si top loje për matje forcash?

Sikur Ukraina të mos ishte shtet i pavarur, indinjohet ajo. Pushtuesit kishin menduar se do të ishin të mirëpritur dhe u befasuan, që hasën në të kundërtën, tregon gruaja.

Pas tri ditësh Ljuschyna u arratis në perëndim të Ukrainës dhe që andej bashkë me miliona ukrainas të tjerë vazhdoi rrugën drejt BE-së. Bashkëshorti i saj qëndroi.

Ajo ende sot e kësaj dite nuk është në gjendje ta kuptojë: "Nuk e kisha pritur, që do të kishte një luftë të madhe. Si mund të ndodhë një gjë e tillë në mes të Europës në shekullin e 21-të.?"

Ljuschyna akuzon Perëndimin, që po e konsideron Ukrainën si një top loje dhe si mall pazari: "Europa bënte sehir dhe priste, nëse ne do të vritemi ose jo."

Kjo vlen për të gjitha qeveritë. SHBA, Britania e Madhe dhe të tjera qeveri perëndimore qysh përpara invazionit rus i jepnin armë Kievit. Gjermania iu bashkua më vonë këtyre ndihmave, por sot Gjermania po kryeson listën e vendeve që ndihmojnë.

Burra të maskuar pushtuan Krimenë

Dy vjet më parë shumë u befasuan, madje edhe njerëzit vetë në Ukrainë. Ndërkohë që sulmi rus kishte nisur tetë vite më parë me aneksimin e Krimesë: më 27 shkurt 2014 burra të armatosur dhe të maskuar në uniforma me simbole kombëtare pushtuan parlamentin dhe administratën territoriale në gadishull. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin më pas pranoi, se kishin qenë ushtarët rusë.

Ukraina ishte dobësuar shumë. Në Kiev protestat opozitare e detyruan presidentin pro-rus Viktor Janukoviç që të arratiset drejt Rusisë.

Qeveria e re pro-perëndimore nuk kishte guxim ta mbronte me armë Krimenë. Perëndimi i këshilloi Kievit të qendrojë i tërhequr – edhe pasi në pranverën e vitit 2014 nisi lufta e armatosur në zonën e qymyrit në lindje të Ukrainës, në Donbas. Sanksione të ashpra nuk pati.

Rusia vendosi njerëzit e saj në krye të forcave pro-ruse në Donjeck dhe Lugansk dhe vazhdoi t'i armatosë gjithnjë e më shumë në fshehtësi. Perëndimi përpiqej përmes bisedimeve ta ngrinte konfliktin, Ukraina nuk shpalli gjendjen e luftës. Lufta u quajt "aksioni kundër terrorit".

"Jo lufta jonë"

E gjitha kjo bëri, që për shumë lufta të dukej mjaft e largët. "Shumica e ukrainasve nuk e kuptuan, që kjo ishte lufta e tyre", thotë Ljuschyna.

Ndërsa Maksym Kosub, përkthyesi nga Kievi, kujton, se si në qershor 2014 në një manifestim para ambasadës ruse ai kërkonte prishjen e marrëdhënieve.

"Unë e kam kuptuar qysh atëherë, së është luftë", thotë Kosub. Ai u regjistrua vullnetarisht në front në Donbas dhe u plagos. Ai ishte pjesë e një pakice patriote, që iu kundërvu Rusisë. Që nga sulmi në shkurt 2022 ai sërish vazhdon të luftojë në ushtrinë ukrainase.

A do të duhej të kishte luftuar Ukraina për Krimenë? Në Ukrainë shumë mendojnë kështu. "Unë tentoj të them, që do të duhej të ishte bërë përpjekje", thotë Susan Stewart, eksperte për Ukrainën në think tank-un e Berlinit "Fondacioni Shkenca dhe Politika" (SWP).

Ajo i referohet megjithatë "dobësisë së udhëheqjes në Kiev" në atë kohë. Tek e vërteta bën pjesë edhe se: Rusia vendosi trupat më 2014 përgjatë kufirit ukrainas dhe kërcënonte qysh atëherë me ndërhyrje masive. Ushtria ukrainase në Krime ishte e demoralizuar, një pjesë e madhe e ushtarëve kaluan në anën tjetër.

Varet nga ndihmat perëndimore

Ushtarë ukrainas duke u stërvitur me maskat e mbrojtjes nga gazi
Ushtarë ukrainas duke u stërvitur Fotografi: Efrem Lukatsky/AP/picture alliance

Lufta në Donbas dukej se ishte ngrirë mes viteve 2015 dhe 2022, ndonëse faktikisht ajo ishte kthyer në një luftë llogoresh me mijëra të vrarë. Përse Perëndimi besonte, së kjo do të mbetej kështu? Përse askush nuk e furnizoi Ukrainën me armë të rënda dhe vazhdohej të projektoheshin projekte të mëdha silinja e gazjellësit Nord Stream 2me Rusinë? Susan Stewart e shpjegon këtë me besimin që ekzistonte, se përmes integrimit mund të parandalohej lufta në Europë. Pas vitit 2022 Ukraina ndryshoi shumë. "Ne vazhdojmë të luftojmë për Ukrainën pavarësisht se kostoja është shumë e lartë", thotë ushtari Maksym Kosub. Ushtria ka ndryshuar shumë, është bërë më profesioniste, pavarësisht që ka ende probleme.

"Shoqëria është dëshmuar me aftësi vetëorganizimi", thotë Kosub. Si shembull ai përmend ndihmësit vullnetarë, që prej dhjetë vjetësh furnizojnë ushtrinë me automjete, pajisje vrojtimi apo medikamente. Kosub beson se lufta do zgjasë dhe do ketë shumë viktima – por në fund do mbyllet me fitoren e Ukrainës. Në vështrim retrospektiv, thotë ai: "Të gjithë e kanë nënvleftësuar Putinin dhe gatishmërinë e tij për t'i injoruar të gjitha rregullat."

Edhe Maryna Ljuschyna beson në një fitore. Lufta e ka bërë atë më të fortë, më të pakompromis kundrejt Rusisë, kundrejt gjuhës dhe kulturës ruse, thotë aktorja.

Një ditë ajo dëshiron të kthehet tek bashkëshorti i saj, por jo më në Konotop, por do të dëshirojë të jetojë në perëndim të Ukrainës: "Atje është më e sigurtë." Rusia, sipas saj do të mbetet një fqinj i rrezikshëm.

Susan Stewart nuk do të bëjë parashikime përtej një viti. Në Rusi ajo nuk pret ndonjë "surprizë". Me mbëstetjen perëndimore Ukraina do të rezistojë, megjithatë pas dhjetë vjetësh luftë raskapitja vazhdon të ndihet. "Fare pak mendohet, se çfarë mund të ndodhë nëse Ukraina humbet",thotë ekspertja. Kostoja do të ishte "shumë më e lartë".