Lufta e Parë Botërore në media
9 Janar 2014Turma entuziaste që brohorasin për luftën, kolona ushtarësh rrugës për në front dhe pamje të vdekurish në Verdun: Lufta I Botërore është aktualisht kudo. Në shumë ekspozita në të gjithë Evropën po përkujtohet lufta dhe pasojat e saj.
Rreth 150 libra të rinj janë botuar për këtë temë vetëm në Gjermani. Dhe edhe në media po shfaqen emisione speciale ku komentohet dhe analizohet shpërthimi i luftës 100 vjet më parë. Një trajtim i tillë është i ri, sepse deri tani në kujtesën gjermane "katastrofa e parë e shekullit të 21-të" e cila pati 20 milionë të vdekur ka luajtur vetëm një rol të dorës së dytë. Kjo për shkak se tmerret e Luftës së Dytë Botërore dhe Gjermania si nismëtare e saj kanë bërë që kujtimi i Luftës së Parë Botërore të ishte për dekada në radhën e dytë.
Gjermanët fajtorët kryesorë?
Por tani "Lufta e Madhe", sikurse quhej dikur Lufta e Parë Botërore është kthyer në çështje të madhe dhe komentatorët po rishtrojnë pyetjet e vjetra: Kush e kishte fajin për Luftën e Parë Botërore? Si mund të ishte parandaluar kjo fatkeqësi? Dhe çfarë mund të mësojmë ne sot nga kjo kohë? Diskutimet janë ndezur veçanërisht prej dy botimesh të reja monumentale: "Somnambuli" nga Christopher Clark dhe "Lufta e Madhe - Bota 1914-1918" nga Herfried Münkler.
Clark vë në dyshim atë që në vitet 1960 ishte konsensus në radhët e historianëve gjermanë, faktin që Gjermania qe fajtore për shpërthimin e Luftës I Botërore. Ai i përshkruan ngjarjet që çuan deri në shpërthimin e luftës në gusht 1914 si një "rezultat i një sekuence të dendur ngjarjesh dhe vendimesh të një bote të ngarkuar me marrëdhënie të ndryshme dhe konflikte."
Tezat e Clark, i cili në libër trajton p.sh. edhe gjendjen e Serbisë në atë kohë dhe ndikimin e saj në këtë konflikt të madh por pa e minimizuar përgjegjësinë e vendeve të tjera, të ashtuquajturat perandoritë e qendrës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Turqisë dhe Bullgarisë, kanë gjetur si miratim edhe kritika. Historiani Hans-Ulrich Wehler mendon në një shkrim për gazetën "Frankfurter Rundschau" se faji kryesor u takon gjermanëve. Ndërkohë që fajtor është edhe nacionalizmi fanatik në të gjitha anët.
Aktualitet i jashtëzakonshëm
A ka të bëjë Lufta e Parë Botërore më shumë me konfliktet e sotme nga sa mendojmë ne? Revista "Der Spiegel" (1/30.12.2014) shkruan se kjo luftë ka aktualitet të jashtëzakonshëm: "Në kohët e NATO-s me forcat e armatosura të integruara është e vështirë që dikush të imagjinojë një luftë në mes të evropianëve. Por edhe në shekullin e XXI mund të shkaktohen pakënaqësi. Ajo që dikur qe mobilizimi i forcave të armatosura, sot mund të jetë kërcënimi për të lënë të falimentojë një shtet si Greqia, nëse qytetarët e saj nuk u përgjigjen kërkesave të ministrave të Financës të BE-së."
Paralele mes krizës së korrikut në vitin 1914 dhe krizës së tanishme të euros gjejmë edhe në media të tjera si p.sh. tek gazeta "Kölner Stadt-Anzeiger" (dt. 01.01.2014). "Në takimet e krizës për euron e dinë të gjithë se dështimi i negociatave mund të ketë pasoja katastrofike. Megjithatë sërish e sërish interesat kombëtare dominojnë aty ku bëhet fjalë për të mirën e të gjitha shteteve. Aktorët e korrikut 1914 mund të jenë, thënë mprehtazi, bashkëkohësit tanë."
Edhe mediat ndërkombëtare përpiqen të nxjerrin mësime nga Lufta e Parë Botërore. Kështu Financial Times shkruante më 02.01.2014: "Edhe pse nuk ka arsye për të pasur frikë se bota është në vitin 2014 në prag të një katastrofe të tillë epokale, ka disa ngjashmëri shqetësuese mes së sotmes dhe asokohe." Për shembull: "100 vjet më parë ishte Gjermania që kërkonte vendin e saj në kurriz të Perandorisë Britanike, sot janë gjithnjë e më shumë Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës."
Kujtime personale
Megjithë krahasimet në media të viteve 1914 dhe 2014 përkujtimi i Luftës I Botërore bëhet kryesisht nga masa përmes portaleve në internet, postimit të fotografive nga albumet familjare apo i letrave të gjyshërve a strëgjyshërve, përmes dokumenteve që dëshmojnë për vuajtjet e ushtarëve të thjeshtë në "Luftën e Madhe".
Edhe DW ka përgatitur për vitin 2014 një sërë projektesh multimediale, filma dhe serialë. Informacione për to mund të gjeni në: #link:12313:www.dw.de/geschichte#.