1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë baktereve rezistente

12 Janar 2012

Studiues në qytetin e Gracit në Austri po punojnë për krijimin e një antibiotiku të ri. Ai mund të shkatërrojë bakteret rezistente kundër medikamenteve të deritanishme. Kjo do të thotë shpresë për të sëmurët kronikë.

https://p.dw.com/p/13iG7
Koloni bakteresh parë në mikroskop
Nga ndihmës në armiq - përdorimi pa kriter i antibiotikëve mund të jetë vdekjeprurësFotografi: Fotolia/Irina Tischenko

Kur Alexander Fleming në vitin 1945 u nderua me çmimin Nobel për mjekësinë për zbulimin e penicilinës, bakteriologu paralajmëroi që në atë kohë, se keqpërdorimi i antibiotikëve mund të shkaktonte rezistencën e baktereve. Këto parashikime të errëta kanë dalë të vërteta. Sipas vlerësimeve të institutit Robert-Koch çdo vit infektohen më shumë se 132.000 pacientë në spitalet gjermane me mikrobe rezistente. Më shumë se 1000 vdesin nga patogjenët e rrezikshëm. Tendenca është në rritje. Edhe jashtë spitaleve problemi bëhet gjithnjë e më masiv.

Antibiotikët janë jetikë

Antibiotikët përdoren ndër të tjera kundër sëmundjeve kronike si fibroza cistike. Tetëvjeçari Jack Lewellyn-Johnson u lind me këtë sëmundje metabolike gjenetike.

Jack Lewellyn-Johnson vuan nga fibroza cistike dhe duhet të marrë vazhdimisht antibiotikë
Jack Lewellyn-Johnson vuan nga fibroza cistike dhe duhet të marrë vazhdimisht antibiotikëFotografi: Sue Johnson

Përpara se djali të shkojë në mëngjez në shkollë, mamaja Stephanie i jep atij antibiotikë. Sepse fibroza cistike shkakton te Jack-u vazhdimisht infeksione të rënda të mushkërive. Për të mos u sëmurur, ai duhet të marrë vazhdimsiht antibiotikë. Sapo fillon të marrë formë një infeksion djali duhet të marrë ilaçet përkatëse dhe në rastin më të keq të kurohet në spital, thotë Stephanie Lewellyn-Johnson. Në muajt e dimrit Jack-u merr përherë antibiotikë të ndryshëm. Kështu pengohet, që bakteriet të bëhen rezistente.

Superantibiotiku
 

Shkencëtarë në Grac të Austrisë punojnë prej vitesh për një super-antibiotik, kundër të cilit mikrobet e rrezikshme të mos jenë në gjendje të zhvillojnë rezistencë. Me këtë preparat, të cilin studjuesit e kanë zhvilluar në institutin e biofizikës dhe të studimit të nano-sistemeve, duket se ata kanë bërë një zbulim shkencor, edhe pse deri në futjen e tij në treg do të duhen akoma vite.

Gjithnjë e më shumë antibiotikë po bëhen të paefektshëm
Gjithnjë e më shumë antibiotikë po bëhen të paefektshëmFotografi: picture alliance/dpa

Si me një çekiç në mur

Superantibiotiku nga Graci bazohet në peptide antimikrobiale, pra proteina shumë të shkurtëra, që janë në gjendje, të vrasin mikrobet. Preparati i sapozhvilluar hap si të thuash vrima në bakteret, "ashtu siç hap një çekiç vrimë në mur", shpjegon dr. Karl Lohner, i cili kryeson ekipin e studjuesve në Grac. Kështu bakteret do të shkatërroheshin shumë shpejt.

Peptidet antimikrobiale veprojnë madje në mënyrë të dyfishtë: Ato shkatërrojnë mbështjelljen qelizore të baktereve dhe neutralizojnë përveç kësaj endotoksinat, pra mbeturinat toksike të patogjenëve të sëmundjes.

Patentë amerikane për superantibiotikun

Vitin e kaluar Instituti i Gracit për biofizikë dhe studimin e nano-sistemeve fitoi një patentë amerikane për preparatin e ri, i cili në eksperimentet me minj nuk shkaktoi asnjë rezistencë të baktereve. Studime klinike megjithatë nuk ka ende, dhe teste të tilla zgjasin normalisht me vite. Do të zgjasë ende disa kohë, derisa preparati i ri të dalë në treg.

Deri atëherë Jack-u i ri do të përtypë ndoshta antibiotikë të ndryshëm. Momentalisht ai pi në mengjez dy tableta, dhe një në mbrëmje. Me preparatin e ri nga Graci jeta e Jack-ut dhe e shumë të tjerëve do të lehtësohej shumë.

Autor: Gudrun Heise / Angjelina Verbica
Redaktoi: E. Xhani