Lista Serbe thirrje Prishtinës të shpallen zgjedhjet në veri
14 Tetor 2023Partia më e madhe e serbëve të Kosovës Lista Srpska, u shpreh e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet komunale në veri të Kosovës, ndonëse kjo parti vetëm disa muaj më parë bojkotoi pikërisht zgjedhjet në veri. Zyrtarë të Srpska, i bënë thirrje Prishtinës që të organizojë Srpska lista që në muajin prill vet bojkotoi zgjedhjet në veri të Kosovës, tani është e gatshme të marrë pjesë në to. Prishtina zyrtare nuk e ka komentuar këtë kërkesë, por më herët është shprehur e gatshme të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat në veri, Leposaviq, Zveҫan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut. Një ditë më parë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuҫiq, u bëri thirrje serbëve të Kosovës "që të dalin me nisma për organizimin sa më parë të zgjedhjeve në katër komunat”, me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kryetari i Srpska Goran Rakiq tha, se subjekti i tij politik e dëgjon këshillën e Beogradit zyrtar.
"Sikundër gjithmonë i kemi marrë vendimet në bashkëpunim me Beogradin dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, do të dëgjojmë këshillën e tij dhe jemi të gatshëm të dërgojmë mesazhin nga ky vend se jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet në katër komunat në veri dhe në këtë mënyrë të nxisim procesin politik dhe dialogun që do të ndihmonte përmbushjen e kushteve tona. Prandaj, kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë zgjedhjet për kryetarët e rinj dhe kuvendet e reja të të katër komunave”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konferencë për medie.
Tani për tani katër komunat me shumicë serbe në veri, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill të këtij viti që u bojkotuan pikërisht nga partitë serbe. Vendosja e kryetarëve shqiptar në objektet komunale nën përcjelljen e policisë, u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë, të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s. Për muaj të tërë situata vazhdoi të jetë e tensionuar deri në kulmin e saj me 24 shtator kur një grup serbësh të armatosur rëndë sulmuan policinë ku mbeti i vrarë një polic dhe më pas tre sulmues. Përgjegjësinë për sulmin mbi policinë e mori pikërisht tashmë ish-nënkryetari i listës Srpska Milan Radoiҫiq, i cili po strehohet në Serbi, ndonëse u mor në pyetje nga prokuroria serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi rrezikun e mundshëm nga përsëritja e sulmeve të dhunshme siç tha nga "strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”, ngjashëm me sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjska në veri të vendit. Këto informata, kryeministri Kurti tha se i ka nga strukturat kosovare të sigurisë, duke akuzuar drejtpërdrejtSerbinë për përfshirje. "Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës”, tha Kurti pas një mbledhje të qeverisë. Autoritetet e Kosovës po e akuzojnë Serbinë për organizimin e sulmit, me 24 shtator mbi policinë e Kosovës, por, Beogradi zyrtar ka mohuar çfarëdo lidhje me grupin e armatosur që vrau një rreshter të policisë dhe plagosi një tjetër.
"Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, përkatësisht, Presidencës, Shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe, në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë, janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues”, tha kryeministri Kurti.
Përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në veri, e mori Milan Radoiçiq, nënkryetari i deritashëm i Listës Srpska. Pak ditë më pas, Radoiçiq u arrestua në Serbi, por u lirua shumë shpejt nga një Gjykatë serbe. Sipas kryeministrit të Kosovës, "lirimi i Milan Radoiçiqit, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse me 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi”, tha kryeministri Kurti. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nga ana tjetër, tha se Prokuroria serbe po vazhdon hetimet mbi krimet që i ka pranuar vet Milan Radoiçiq, dhe Vuçiq paralajmëroi se në përfundim të hetimeve "do të ngrihet aktakuzë kundër Radoiçiq.
Pas deklaratave të kryeministrit Kurti, i menjëhershëm ishte reagimi i autoriteteve të Serbisë. Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se "Kurti është duke u shërbyer teorive të konspiracionit e kërcënimeve të sajuara për të forcuar represionin kundër serbëve”. Por, kryeministri Kurti ju bëri thirrje qytetarëve serbë, që të përmbahen nga siç tha "cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakëqija”.
"Ju ftoj që të mbështeteni në Policinë e Kosovës. T'i besoni profesionalizmit të saj. Të raportoni sjelljet e dyshimta të individëve në komunitetet tuaja”, tha Kurti në thirrjen e tij drejtuar qytetarëve serb.
Zyrtarë të Bashkimi Evropian ndërkaq, thanë se ata presin bashkëpunim të Serbisë në hetimin e sulmit të 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës dhe pas ndriçimit të plotë të rrethanave të sulmit, atëherë BE do të vendosë për hapat e ardhshëm "ndëshkues”, për Serbinë.
Sidoqoftë, pas sulmit terrorist mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, situata e sigurisë sipas KFOR-it, është e tensionuar dhe e paqëndrueshme. Për këtë fakt, Aleanca Veriatlantike NATO, ka dërguar trupa shtesë në Kosovë dhe ka vënë në gjendje gatishmërie edhe një batalion tjetër me armatim të rëndë në rast të nevojës për të intervenuar.