1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lirohen tre policët e Kosovës

26 Qershor 2023

Tre policët e Kosovës të arrestuar nga policia e Serbisë më 14 qershor, në kufirin me Kosovën, u liruan. Ata mund të kthehen në Kosovë dhe të mbrohen në liri, tha avokati i tyre.

https://p.dw.com/p/4T3s3
Neue Spannungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Fotografi: Serbian Ministry of Interior via AP/picture alliance

Gjykata e Kralevës vendosi sot (e hënë 26 qershor) për lirimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës të cilët, sipas aktakuzës u arrestuan nga policia e Serbisë me 14 qershor, në kufirin me Kosovën. Lajmin për lirin e tyre e ka konfirmuar Gradimir Naliq, avokati i policëve që i përfaqësoi ata në gjykatë. Naliq tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar. Por ata do të mbrohen në liri dhe tani mund të kthehen në Kosovë.

Prokuroria e Serbisë i akuzon tre policët e Kosovës, Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, për veprën penale, "prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese”. Sipas ligjeve të Serbisë, për një akuzë të tillë mund të shqiptohet denimi me burg deri në 12 vjet.  Pala kosovare pohon se të tre policët janë rrëmbyer në thellësi të territorit të Kosovës prej rreth 300 metra. Sidoqoftë kapja dhe dërgimi i tyre në Sërbi ka shkaktuar reagime të shumta jo vetëm në Kosovë e Serbi, por edhe në Bashkimin Evropian dhe SHBA, të cilat vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e tyre.

Autoritet e Kosovës e kanë quajtur rrëmbimin e tre policëve si një akt agresioni ndaj Kosovës. Serbia i ka mohur këto pohime dhe ka pohuar se tre zyrtarët policorë janë arrestuar në brendsë të territorit të Serbisë. Ndërsa autoritetet ndërkombëtare në Kosovë thonë se nuk kanë mundur të përcaktojnë sakt se ku janë rrëmbyer/arrestuar këta policë.