Lirohen inspektorët e OSBE-së në Ukrainë
4 Maj 2014Pas deklaratë të shtunën paradite (3.5.) nga separatistët prorusë, për lirimin e inspektorëve të OSBE-së, pengje prej një jave, lajmi u konfirmua në Twitter edhe nga OSBE: inspektorët ushtarakë janë të lirë.
Njëri prej tyre, oficeri i Bundeswehr-it Alex Schneider, citohet me keto fjalë nga gazeta gjermane Bild: "Jemi të gëzuar që jemi të lirë. Dhe duke parë rrethanat mund të themi se jemi mirë. Përleshjet e ditëve të fundit i kemi përcjellë direkt, nuk ia uroj askujt një gjë të tillë."
Sipas fjalëve të inspektorit gjerman, grupi do të largohet brenda së shtunës (3.5.) nga Slavjansku bashkë me të dërguarin rus, Vladimir Lukin.
Pjesëtarët e OSBE-së ishin ndaluar në 25 prill gjatë një inspektimi në terren në lindjen e Ukrainës, të tronditur nga konflikti civil. Në grup bëjnë pjesë edhe një çek, një polak dhe një danez.
Lehtësim në Berlin
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier konfirmoi në Berlin se i gjithë grupi i vëzhguesve të OSBE-së është në liri. "Jemi të gëzuar dhe të lehtësuar për këtë", tha ministri i Jashtëm. Por puna nuk ka mbaruar. "Jemi ende larg fundit të krizës", tha Steinmeier. Shpërthimi i dhunës në Odesa tregoi "se sa shumë ka përparuar kriza". Tani nuk i duhet hedhur më benzinë zjarrit, theksoi ministri i Jashtëm gjerman.
Situatë e rëndë në Ukrainë
Ndërkaq konflikti në Ukrainë po shkallëzohet gjithnjë e më shumë. Në Odesën deri tani të qetë në Detin e Zi, të premten (2.5.) sipas autoriteteve kanë humbur jetën 31 vetë, shifra e saktë nuk dihet ende. Ata ranë viktimë e një zjarri që përfshiu një ndërtesë e cila mbahej e pushtuar nga separatistë prorusë. Shkaqet e sakta të zjarrit nuk dihen. Dëshmitarët në vendngjarje thonë se fillimisht ishin hedhur bomba molotov në ndërtesë. Më parë demonstruesit që marshonin me flamujt ukrainas në rrugët e Odesës, ishin përleshur me separatistët. Të dy palët ishin të armatosura kur filloi përleshja. Si pasojë sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës janë vrarë katër vetë dhe plagosur më shumë se 200 të tjerë. Policia ka ndaluar rreth 130 persona. Autoritetet kanë shpallur një zi triditore.
Odesa, shumica e banorëve të së cilës flasin rusisht, ndodhet jo larg gadishullit të Krimesë, bashkimi i të cilit me Rusinë në muajin mars, çoi në shkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit të Ukrainës.
Të premten në mëngjes (2.5.), ushtarë ukrainas avancuan ndër të tjera në periferi të qytetit Slavjansk në lindje të Ukrainës dhe gjatë gjithë ditës zhvilluan luftime me rebelët prorusë. Megjithatë nuk arritën të thyenin pozicionet e tyre. Në qytetin me 130.000 banorë, mbaheshin peng edhe vëzhguesit e OSBE-së. Një zëdhënës i Presidentit rus Vladimir Putin deklaroi se forcat ukrainase të sigurisë kanë hapur zjarr nga ajri kundër civilëve dhe me "aksionin e tyre ndëshkimor", kanë minuar planin ndërkombëtar të paqes për Ukrainën.
Gjatë luftimeve milicët prorusë sipas të dhënave të qeverisë qëlluan edhe kundër dy helikopterëve ushtarakë, dy ushtarë humbën jetën. Pas një pushimi të përkohshëm të luftimeve, në mbrëmje u vranë sërish dy ushtarë në afërsi të Slovjanskit. Kryebashkiaku i vetëshpallur i Slovjanskit, Vjateshlav Ponomarjov tha se në luftime janë vrarë katër luftëtarë të tij dhe dy civilë.
Luftime edhe në Kramatorsk
Sipas të dhënave të shërbimit të fshehtë ukrainas SBU, një prej helikopterëve ushtarakë është qëlluar me raketë tokë-ajër nga aktivistë prorusë. Sipas tyre kjo vërteton se në krah të separatistëve luftojnë "specialistë të huaj, të stërvitur mirë".
Sipas njoftimeve në medie forcat e armatosura ukrainase kanë sulmuar pozicione të separatistëve dhe në qytetin Kramatorsk. Sipas të dhënave të pakonfirmuara të agjencisë ruse të lajmeve Ria Novosti, si pasojë ka pasur të vdekur dhe të plagosur. Kramatorsk gjendet në krahinën Doneck, rreth 20 kilometra në jug të Slovjanskit.
Në shenjë proteste ndaj "misionit ndëshkimor" të ushtrisë ukrainase, Moska kërkoi një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e 13-ta që prej fillimit të krizës. Në takim pati replika të ashpra të përfaqësuesve të Moskës dhe të fuqive të mëdha perëndimore. "Asnjë anëtar i Këshillit në këtë tryezë nuk do të toleronte që qytetet e tij të viheshin nën kontroll të milicëve të armatosur", theksoi ambasadori britanik në OKB Mark Lyall Grant. "Aktivistë paqësorë" si ata për të cilët flet Rusia duke përdorur një "moral të dyfishtë", nuk kanë mjete për rrëzimin e helikopterëve, tha më tej ambasadori britanik.
Më parë edhe qeveria ukrainase kishte folur për "mercenarë të armatosur" në lindje të Ukrainës.
Ashtu si Grant, edhe ambasadorja e SHBA-së Samantha Power mbrojti veprimet e Ukrainës si të balancuara. "Kjo është diçka që do ta kishte bërë çdokush prej nesh në vendet tona", tha ajo në adresë të Rusisë, dhe i cilësoi shqetësimet e shprehura nga Moska si cinike dhe të pandershme. I dërguari i Moskës në OKB, Vitali Curkin paralajmëroi ndërkohë Ukrainën për "pasoja katastrofale" nëse nuk do t'i japë menjëherë fund ofensivës ushtarake "kriminale". Akuzën për moral të dyfishtë ai e adresoi tek SHBA.