Liqeni Bodensee - Perla e Gjermanisë rëzë alpeve
Çlodhje, kënaqësi, romantizëm këto e shumë më tepër ofron Bodensee. Liqeni më i madh i Gjermanisë është ndër zonat më të bukura të vendit dhe një destinacion i preferuar pushimesh. Fotografitë tregojnë larminë e zonës.
Kështu të jep kënaqësi vera
Një e treta e gjermanëve i kalojnë pushimet në vend dhe shumë udhëtojnë në jug në Bodensee. Sivjet qysh në gjysmën e parë të vitit në këtë zonë ka pasur 13% më shumë prenotime se në 2013. Në liqen mund të shijosh atmosferën me klimë mesdhetare. Pas Plattensee (594 km.) dhe liqenit të Gjenevës (580 km.) Bodensee me 536 km. katrorë është liqeni me sipërfaqen e tretë për nga madhësia në Europë.
Ta shijosh diellin në panoramë alpine
Bodensee ndodhet rëzë alepeve në trikëndshin Gjermani, Austri dhe Zvicër. Këtu mund të notosh, të lundorsh dhe të shëtisësh gjatë bregut duke vizituar disa qytete të bukura si dhe ishuj atraktivë. Po ashtu mjaft të preferuara janë edhe turet me biçikletë dhe ekskursionet në malet përreth. Bregu i Bodensees përbëhet kryesisht nga zall, por në zona të caktura gjen edhe plazh me rërë të mirfilltë.
Një hap drejt parajsës
Kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer, e konsideron landin e tij si "një hap drejt parajsës." Nga gjithsej 273 km gjatësi e bregut të Bodensee, 18 km ndodhen në Bavari. Këtu bën pjesë edhe qyteti piktoresk Lindau. Këtu mahnitesh duke soditur nga shëtitorja në bregun e liqenit spektaklin natyror prej ujit dhe maleve: po, këtu Seehofer ka të drejtë. Panorama është thjeshtë një parajsë!
Zbulime të reja në tabanin e liqenit
Liqeni i parë nga lart. Gjatësia rreth 70 km. Në disa zona gjerësia arrin 14 km. 254 m. është thellësia në pikën më të thellë. Tabani i Bodensee po eksplorohet rishtaz. Eshtë konstatuar se nën ujë ka gropa të mëdha. Sipas ekspertëve ato mund të jenë krijuar nga shkrirja e akullnajave të epokës së fundit të akullnajave. Një tjetër zbulim është skeleti i avullores 60 m. të gjatë e mbytur në 1933.
Eldorado për të apasionuarit e trëndafilave
Klima në Bodensee është e butë - me shumë ujë, ngrohtësi dhe dritë ajo është e përshtatshme për bimët e kopshtarinë. Një vend i kopshteve të superlativave është ishulli Mainau. Mbi një milionë vizitorë në vit pret ishuli. Për të apasionuarit e trëndafilave Mainau është një Eldorado - aty ka mbi njëmijë lloje trëndafilash. Shkalla spanjolle (në fotografi) është vetëm një prej atraksioneve të tij.
Banim në mjedis të bukur në epokën e gurit
Në bregun e Bodensee njihen rreth 70 vende, ku banorët e kryeherës jetonin në shtëpi të ndërtuara në ujë. Një rikonstruktim i ngulimeve të tilla gjendet në Unteruhldingen. Muzeu i 23 shtëpive palafite tregon për jetën e përditshme të epokës së re të gurit dhe të bronzit. Në ndërtimet palafite mund të përjetsoh se si ka qenë pamja e bujqërve, tregtarëve dhe peshkatarëve të athershëm në Bodensee.
Uji shumë i pastër për peshkim
Në Bodensee ka 45 lloje peshqish. Më me shumicë gjendet peshku koregon (Coregonus ëartmanni). Por edhe variacione të tjera peshku bien në rrjetën e peshktarit: ngjalat, një lloj salmoni dhe esox. Rreth 100 peshktarët po përballen me rënien e kuotave të peshkimit. Kjo sepse uji është aq i pastër, sa peshqit s'mund të gjejnë sa duhet ushqim. Vallë duhet hequr dorë prej impianteve të kullimit?
Verë dhe mollë për republikën
Klima e butë në Bodensee është e favorshme për kultivimin e vreshtave dhe frutave. Përreth liqenit ka kodra të bukura me vreshta dhe rreth 1600 sipërmarrje të kultivimit të frutave. Këtu ndodhet edhe një ndër rajonet më të larta të vreshtarisë në Gjermani në një lartësi prej 400 deri në 560 metra. Në Gjermani çdo vit prodhohen rreth 900.000 ton mollë. Pothuajse një në tre mollë vjen nga Bodensee.
Romantizëm pakufi
S'mund të ketë më shumë romantikë se sa të shtrihesh në shilarës me një libër interesant në dorë në mbyllje të një dite të bukur vere buzë liqenit! E kur perëndimi i diellit të magjeps me lojën mahnistëse të dritës në sipërfaqen e liqenit - atëherë mendon: mrekulli! Këtë dua ta shijoj edhe më shumë! Vitin e ardhshëm do të vij sërish.