1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindja e Mesme: paqe e lënë në pritje

Daniella Cheslow28 Dhjetor 2015

Viti në Lindjen e Mesme përfundon me dhunë. Izraelitët pohojnë se vendi i tyre me gjithë kritikat është i suksesshëm. Palestinezët ankohen për udhëheqjen e tyre të dobët dhe për represionin izraelit.

https://p.dw.com/p/1HUZp
Fotografi: Reuters

"Izraeli po i zgjeron çdo ditë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe më e rëndësishmja është, se ka gjithnjë e më shumë kontakte me botën arabe", thotë zëdhënësi i qeverisë izraelite Mark Regev për Deutsche Wellen. "Izraeli ka marrë këtë vit rreth 20 përqind të të gjitha investimeve globale në sigurinë kibernetike."

"Unë jam e shqetësuar", thotë Diana Battu, analiste politike nga Ramallahu dhe ish- këshilltare e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO). "Të rinjtë tanë nuk durojnë më. Ata nuk kanë perspektivë për të ardhmen dhe nuk shohin mundësi, që brezi i ri të mund të ndryshojë diçka këtu."

Procesi i paqes ka dështuar. Nën hijen e bisedimeve të ndërprera kështë përshkallëzuar dhuna. Që nga mesi i shtatorit palestinezët kanë vrarë me thika apo me armë zjarri 19 izraelitë, ndërsa izraelitët kanë vrarë së paku 113 palestinezë, 76 prej tyre konsiderohen sulmues. Izraeli fajëson udhëheqjen palestineze për nxitje të dhunës. Palestinezët nga ana e tyre thonë se sulmet vijnë nga dëshpërimi, për të mos shpëtuar dot nga sundimi ushtarak izraelit.

Zgjerimi i kolonive, këtu Gilo në Jerusalemin Lindor
Zgjerimi i kolonive, këtu Gilo në Jerusalemin LindorFotografi: picture-alliance/dpa/J. Hollander

Izraeli në 2015 e ka përforcuar edhe më shumë kontrollin mbi bregun perëndimor të Jordanit. Në zgjedhjet në mars partia në pushtet Likud mundi të fitojë mbi opozitën duke shtuar edhe 30 vende në parlament. Kryeministri Benjamin Netanjahu ka premtuar për mandatin e tij të katërt një koalicion me mbështetësit e kolonive dhe me ultraortodoksët. Qeveria e tij ka vazhduar ndërtimin e kolonive në zonat palestineze të pushtuara. Në mes të dhjetorit administrata e qytetit të Jerusalemit miratoi 891 njësi të reja banimi në Gilo, një lagje hebreje në Jerusalemin Lindor.

Projekti po zgjerohet, thekson Miri Maoz Ovadia, zëdhënëse e këshillit Jesha, një organizatë ombrelë e kolonive hebreje. 600.000 kolonë jetojnë ndërkohë në Jordanin Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, në zona që Izraeli i ka pushtuar në vitin 1967, të cilat palestinezët duan t'i bëjnë shtetin e tyre të ardhshëm. "Komuniteti ynë jo vetëm që rritet më shpejt, por familjet tona kanë një natalitet më të lartë", thotë Maoz Ovadia. "Izraelitët jetojnë këtu prej brezash. Kjo është e pakthyeshme."

"Do të duhej një mrekulli"

Tek palestinezët zhgënjimi për pushtimin izraelit bashkohet me zemërimin me udhëheqjen e tyre. Mahmud Abbas, president i Autoriteteve autonome Palestineze dhe kryetar i OÇP, nuk e ka lëshuar kurrë postin e tij, megjithëse mandati i ka përfunduar në vitin 2009. Në vend që të sillte një pasues, 81 vjeçari ka vepruar kundër rivalëve dhe disidentëve dhe e ka programuar si të thuash kaosin për kohën pas largimit të tij, kritikon Diana Buttu. Sipas një sondazhi të institutit për hulumtimin e opinionit Palestian Center for Policy and Survey Research, 65 përqind e palestinezëve mendojnë se Abbas duhet të japë dorëheqjen.

65% e palestinezëve mendojnë se Abbas duhet të japë dorëheqjen.
65% e palestinezëve mendojnë se Abbas duhet të japë dorëheqjenFotografi: AP

2015 ka qenë me të vërtetë një vit i mirë, mendon Mukhaimer Abu Saada, politolog në universitetin Al-Azhar në Gaza, por vetëm në krahasim me vitet e tjera. Nuk ka pasur luftra dhe kjo ishte një atmosferë pushimi pas 50 ditëve shkatërrimtare plot beteja ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në verën 2014. 51 vjeçari Abu Saada ka mundur të udhëtojë dy herë nga Gaza në Europë - edhe kjo është diçka e rrallë për shumicën e banorëve të brezit bregdetar të rrethuar nga Izraeli.

Në përgjithësi marrja e pushtetit nga Hamasi islamik në Gaza në vitin 2007 dhe prishja e marrëdhënieve në mes tij dhe Fatahut më të moderuar të Abbasit i kanë thelluar problemet e enklavës në Bregun Perëndimor, thotë Abu Saada. Egjipti hap kufirin me Gazën vetëm, kur forcat e sigurisë të Autoritetit Palestinez, të dominuar nga Fatahu ruajnë kalimet dhe kjo ështe e pakonceptueshme, për sa kohë që të dy fraksionet janë në mosmarrëveshje. Dhe Izraeli refuzon të heqë bllokadën ndaj Gazës për aq kohë sa atje në pushtet është Hamasi. Rezultati është një enklavë e varfëruar, e izoluar, ku popullata kryesisht e re është e konfrontuar me një papunësi prej 43 për qind, thekson një raport i Bankës Botërore. "Duhet një mrekulli për të zbuluar në 2016 diçka të mirë në Gaza", thotë Abu Saada. "Ajo duhet të vijë nga Zoti."

Më shumë ekstremistë izraelitë

Për izraelitët liberalë bllokimi i procesit të negociatave është shkak për shqetësim. Në fillim të dhjetorit ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry, provokoi një zemëratë duke komentuar se Izraeli përmes pushtimit të vazhdueshëm të Bregut Perëndimor do të bëhet një "shtet binacional".

Ushtarë izraelitë në Hebron
Ushtarë izraelitë në HebronFotografi: Getty Images/M. Kahana

Tal Schneiderin, vëzhguese politike nga Tel Aviv, këtë vit e kanë tronditur dy vrasje: në fillim të korrikut një radikal ultra-ortodoks theri me me thikë 16-vjeçaren Shira Banki gjatë një demonstrate të homoseksualëve dhe lezbikeve në Jerusalem. Pak më vonë ekstremistë hebrenj i vunë zjarrin një shtëpie në fshatin Duma duke vrarë tre palestinezë. "Ne po shohim më shumë aktivitete politike ilegale në Izrael", paralajmëron Schneider. "Ne shohim në të dyja anët ekstremistë, që na kontrollojnë."

Kryeministri Netanjahu është zotuar se Izraeli nuk do të bëhet shtet binacional. Zëdhënësi i qeverisë Regev fajësoi palestinezët si përgjegjës për ndërprerjen e negociatave. Palestinezët thonë se nuk do të negociojë më, nëse Izraeli vazhdon zgjerimin e vendbanimeve.

Larg syve, larg mendjes

Si izraelitët edhe palestinezët janë të një mendimi se angazhimi ndërkombëtar nuk ndikon gati aspak në realitetin e Tokës së Shenjtë. Ndërsa lufta në Siri hyn në vitin e pestë, Evropa merr mbi një milion refugjatë dhe e sheh veten të kërcënuar nga "Shteti Islamik", konflikti izraelito-palestinez e humbet rolin e tij si prioritet i politikës së jashtme të Evropës dhe SHBA.

Në nëntor Bashkimi Evropian përcaktoi që mallrat nga vendbanimet izraelite të etiketohen në mënyrë adekuate. Maoz Ovadia nga Këshilli Jesha e quan një gjë të tillë "populiste" dhe thotë se ndikimi i saj mbi ekonominë izraelite në Bregun Perëndimor është i pakët.

Buttu në Ramallah u referohet zgjedhjeve presidenciale, që po afrohen në SHBA, të cilat me siguri do të jenë shkas për politikanët amerikanë për t'u shprehur në mënyrë patetike lidhur me konfliktin izraelito-palestinez. "Sa për Intifadën e tanishme", thotë Buttu "ka gjasa të vazhdojë në këtë nivel të ulët. Dhe aty palestinezët do të vdesin."