1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindja e Mesme dhe Ballkani në axhendën e ministrave të BE-së

Bernd Riegert10 Mars 2006

Të premten (10.03) dhe të shtunën (11.03) 25 ministrat e jashtëm të BE-së do të mblidhen në një takim informal në Salcburg. Rendi i ditës është fleksibël për shkak të karakterit jozyrtar. Megjithatë nuk mungojnë temat aktuale.

https://p.dw.com/p/ArBs
Salcburgu
SalcburguFotografi: Illuscope

zDita e parë do t´i kushtohet harkut të krizës nga Lindja e Mesme, Afganistani, Irani e deri tek Iraku e territoret palestineze. BE-ja ende shpreson, që Hamasi, fituese e zgjedhjeve paralmenatre në territoret palestineze të pranojë rezultatet e deritanishme të procesit të paqes dhe do të njohë Izraelin. Ursula Plasnik, ministre e jashtme e Austrisë dhe organizatore e takimit: "Dhuna dhe terrori janë të papajtueshme me proceset demokratike. Ndaj ne i kemi bërë thirrje Hamasit që të heqë dorë nga dhuna, të njohë Izraelin dhe të çarmatoset."

Por si duhet të reagojë BE-ja, nëse Hamasi, që zyrtarisht konsideorhet si organizatë terroriste, do të qeverisë e vetme në territoret palestineze? Ndërprerja e ndihmave financiare, apo afrimi me kujdes me realitetin, kjo është çështja. BE-ja tani për tani ka aprovuar ndihmat financiare për vitin në vazhdim prej 121 milionë eurosh për autoritetin e autonomisë palestineze, megjithatë kjo shumë nuk do të lëvrohet derisa Hamasi të marrë zyrtarisht drejtimin e qeverisë.

Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shteinmajer paralajmëron, që vetëm presioni financiar nuk do të mjaftojë që Hamasi të lëkundet nga pozicioni i vet: "Unë shoh rrezikun, që ato do të gjejnë donatorë që mund të zëvendësojnë gatishmërinë për ndihma financiare të BE-së. Por nuk mund të gjykoj, nëse kjo do të ndodhë shpejt, ose në kohën e përshtatshme për autoritetin palestinez."

Si donatorë mund të jetë padyshim Irani, që deri më sot e ka mbështetur Hamasin. Me këtë do të vështiorësohej edhe më shumë raporti me republikën islamike të Iranit. Situata është mjaft e tensionuar për shkak të kalimit të grindjes atomike me Iranin Këshillit të Sigurimit. Diplomatët e BE-së mendojnë, se ministrat e jashtëm do të theksojnë edhe një herë pozicionin e tyre ndaj grindjes atomike dhe do të insistojnë që edhe në Nju Jork të bëhen përpjekje për një zgjidhje diplomatike.

Tani për tani konsiderohen të dështuara përpjekjet mëse tri vjeçare të tri shteteve të BE-së: Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe për të ndërmjetësuar në çështjen e programit të pasurimit të uranit në Iran.

Krahas gjendjes në Bjellorusi në prag të zgjedhjeve, ministrat e jashtëm do të trajtojnë edhe problemet e brendëshme të BE-së. Pas krizës së kushtetutës në BE gjithnjë e më me forcë po shtrohet pyetja, se ç´drejtim do të marrë kursi i unionit. Ministrat duan të diskutojnë se sa duhet të zgjerohet blloku, dhe nëse shtetet si Ukraina, Gjeorgjia ose Izraeli afatgjatë do të jenë pjesë e këtij blloku ose jo.

Tani është vendosur pranimi i të gjitha shteteve të Ballkanit perëndimor. Bisedimet e antarësimit me Turqinë kanë filluar. Komisioneri i BE-së për zgjerimin Oli Rehni do të prezantojë planin kohor për afrimin e shteteve të Ballkanit në BE. Motoja e tij është: të mos nxitohemi dhe të verifikojmë me rigorozitet kriteret politike dhe ekonomike.

Për rindërtimin e Kosovës, statusi i ardhshëm i së cilës është duke u negociuar, BE-ja ka premtuar ndihma të tjera financiare. Oli Rehn: "Ndërkohë që vazhdon procesi i Kosovës, ne duam t´i inkurajojmë popujt e Ballkanit perëndimor që të gëzohen për të ardhmen evropiane dhe të mos kthehen tek nacionalizmat e së shkuarës."

Të premten (10.03) do të jenë të ftuar në konsultimet në Salcburg edhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë e Malit të Zi. Njëkohësisht pritet edhe një demonstratë e kundërshtarëve të globalizimit kundër BE-së. Partia austriake e lirisë, parti populiste e djathtë kjo, në qytetin e Moxartit ka vendosur pllakatën me përmbajtjen, neutraliteti i Austrisë dhe fundi i diktatit të BE-së.

Këtë mendim radikal e ka vetëm një pakicë e austriakëve, por anketimet rezultojnë, se popullsia e republikës së alpeve është mjaft kritike kundrejt BE-së, veçanërisht sa i përket antarësimit të Turqisë. Ndaj kryetari i radhës i këshillit të BE-së dhe kancelari austriak Volfgang Shysel vazhdimisht thekson: "Kapaciteti i zgjerimit të unionit është një temë shumë e rëndësishme e së ardhmes, ne nuk duhet ta mbingarkojmë Evropën."

Deri në samitin e BE-së në qershor unioni do të përcaktojë kursin e ardhshëm dhe do të gjejë një rrugëdalje nga kriza kushtetuese.